Prof. Asoc. Dr. Muhamet Bela

Për vetë rëndësinë dhe rolin e spikatur që pati figura e Gjergj Kastriotit-Skanderbeg jo vetëm për zhvillimet historike në zotërimet e tij arbërore, por dhe për ato rajonale e më gjerë europiane (pasi ndali dallgën e madhe otomane përmbytëse të vërshonte në bregun tjetër të Adriatikut, duke rrezikuar të ndryshonte seriozisht klimën politike dhe fizionominë e krishterë të qytetërimit europian), – jo pak diskutime janë ngritur hera-herës qoftë në rrafshin studimor historiografik, qoftë edhe në rrafshin politiko-mediatik, mbi origjinën dhe përkatësinë etnike apo krahinore të tij.

Ky diskutim historiografik, që shpesh kalon edhe në debate aspak shkencore, merr shkas padyshim nga fakti se për shkaqe dhe rrethana të ndryshme historike në të cilat është gjendur trualli shqiptar përgjatë gjithë shekujve, dokumentacioni autentik dhe burimet shkrimore me karakter analitik dhe arkivor janë të pakta (vetëm ato që kanë shpëtuar nga asgjësimi prej djegies dhe shkatërrimit të vërshimeve të huaja, e përkatësisht për këtë kohë prej vërshimit osman), dhe ata që marrin përsipër të trajtojnë çështjet historiografike janë të detyruar t’u drejtohen burimeve të huaja shpesh jo fort bindëse, shpesh të manipuluara për shkaqe politike të prejardhjes përkatëse, ose të mbështeten më fort në deduksione të tërthorta dhe në hipoteza me baza jo fort të qëndrueshme.

Dhe, nëse në rastin e parë, atë të origjinës dhe përkatësisë etnike, debatet dhe pseudo-hipotezat dukshëm janë nisur nga qëllime të mirëfillta politike për të dëmtuar dhe mohuar qenësinë dhe aftësinë historike të vetë shqiptarëve, duke i veshur origjina të huaja, që diskutimi shkencor me të drejtë i ka zhvlerësuar apo nuk i merr në përfillje, – në rastin e dytë, atë të origjinës dhe përkatësisë krahinore, ngjan se diskutimi merr shkas nga një shtysë e brendshme autoriale që kërkon të bëhet zëdhënëse e vlerave dhe “karshillëkut” krahinor kundrejt të tjerëve. Në këtë hulli, dëshira dhe misioni që i caktojnë vetes autorët hera-herës tejkalon edhe argumentin logjik apo faktet dhe të dhënat burimore shkrimore e dokumentare në dispozicion, duke rënë edhe në spekulime klienteliste jo vetëm nga ana e autorëve diletantë por edhe të autorëve që gëzojnë një emër të caktuar në fushën e historiografisë. Dukuri kjo që favorizohet siç thamë edhe nga dokumentacioni i munguar i cili nuk do të linte shteg për ekuivoke.

Për rastin e parë, atë të përkatësisë së huaj të origjinës së Skënderbeut, pa hyrë në argumentime të detajuara pasi nuk mund të zhvillohet debat profesional me shkrues politikë e mediatikë, mund të themi se është anashkaluar logjika e kohës në të cilën jeton dhe vepron Gjergj Kastrioti duke iu shmangur faktit se një sundimtar me përkatësi të huaj nuk mund të gëzonte atë popullaritet dhe atë mbështetje masive që gjeti ai në zotërimet e tij e më gjerë në territoret arbërore, e më tej kur ai vetë shprehet sipas burimeve shkrimore e dokumentare, se i përket dhe flet në emër të një vetëdijeje etnike, asaj arbërore (apo epirote, apo shqiptare, sipas konotacionit që i jepej asokohe vendeve dhe popullsive). Ndërkohë që Noli duke iu referuar dëshmisë së Gjon Muzakës në “Gjenealogjinë” e tij, në studimin e tij “Historia e Skënderbeut, Kryezotit të Arbërisë (1405-1468)”, ndër më të rëndësishmit dhe më argumentuesit e studimeve të periudhës bashkëkohore mbi Skënderbeun, vëren: “Gjon Kastrioti ishte i martuar me Vojsavën, të bijën e kryezotit të Pollogut afër Tetovës. Kjo krahinë dukej që ishte një pjesë e Principatës Balshjane dhe hynte nën influencën e Kastriotëve … sipas dëshmimit të Gjon Muzakës, e ëma e Vojsavës ishte nga dera e Muzakajve”.

Pra, mbetemi në rrafshin e origjinës arbërore (shqiptare) të Skënderbeut dhe në diskutimin mbi përkatësinë krahinore brenda arealit shqiptar të tij. Këtu duket se dëshmitë shkrimore janë të ndryshme, por shpesh bihet në një gabim në leximin dhe interpretimin e tyre. Bihet shpesh në lapsus logjik kur, duke u nisur nga zotërimi faktik i një treve të caktuar i shënuar nga ndonjë dëshmi shkrimore, ky zotërim shihet edhe si përkatësia krahinore e tij, duke i ikur faktit se origjina duhet kërkuar në rrënjët familjare dhe jo tek individi. Pastaj, në të vërtetë bëhet një projektim i gabuar në kohë, kur koncepti i sotëm mbi përkufizimet krahinore i mvishet një kohe tjetër gati gjashtë shekuj më parë; madje duke iu referuar edhe ndarjeve administrative të shekullit 20.

Më tej, duhet parë edhe rrjedha e zhvillimeve historike të zotërimeve arbërore (shqiptare) të shekujve 14-15 për të kuptuar më mirë se si kanë vajtur ngjarjet. Vërtetë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu përbën figurën qendrore të historisë shqiptare të trikuartit të tretë të shekullit 15, por parashtrati politik i zotërimeve shqiptare është disi i ndryshëm dhe duhet marrë patjetër parasysh. Skënderbeu përmbyll epilogun fatal të një etape kohore prej rreth një shekulli e kusur identiteti politik të shqiptarëve, me zotërimet e tyre të rëndësishme, duke nisur nga formacionet shtetërore madhore të Balshajve dhe Shpatajve, për të ardhur në një varg zotërimesh më të pjesëtuara pas rënies së fuqisë së tyre, si Dukagjinët, Aranitët, Muzakajt, Topiajt etj., dhe për të kulmuar me përballjen historike të zotërimit të Kastriotëve me perandorinë osmane dekadat e para të shekullit 15 e deri në rënien e fuqisë skënderbejane. Jo pa vlerë është dhe pohimi i vetë Gjergj Kastriotit se kërkon të ndjekë gjurmët e Balshës dhe të paraqitet si pasardhës i tyre, që vjen tek Nikolla Jorga, në Kronikën e Manjos tek “Notes” ku gjejmë pasazhin “Brenda tre ditëve pushtoi (Skënderbeu) vende të tjera në Shqipëri dhe u bë i fuqishëm duke thënë se ishte trashëgimtari i Balshës”.

Dhe duke ardhur përsëri në diskutimin tonë mbi origjinën krahinore (shqiptare) të Skënderbeut, shohim të ketë kryesisht këto hipoteza, që shpesh mbështeten në gojëdhana, legjenda apo duke marrë edhe faktet e shkëputur nga njëri-tjetri: – origjina e Skënderbeut është nga Mati, nga Dibra, nga Hasi, nga Mirdita; duke mos i dhënë rëndësi edhe një kuazi-hipoteze që pretendon të jetë nga jugu epirot, e cila nuk mbështetet në asnjë argument të qenësishëm, por vetëm në një përkim rastësor mbiemëror të njëfarë Branilo Kastrioti që del diku në një dokument të Kaninës.

Ndalemi së pari në hipotezën e parë, të origjinës së Skënderbeut nga Mati. Burimi kryesor ku mbështetet kjo hipotezë e origjinës matjane të Kastriotëve na vjen në fillim të shek. 16 nga humanisti shkodran Marin Barleti në veprën: “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum principis, impressum Romae, per B.V”. Ky botim nuk ka datë të caktuar, ndërsa për shkronjat B.V mendohet se i përkasin tipografit Bernardinus Venetus de Vitalibus, i cili kishte botuar më 1504 dhe veprën e parë të Barletit “De obsidione Scodrensi” (Rrethimi i Shkodrës). Në këtë vepër, e cila pati jehonë europiane dhe pati përkthime në shumë gjuhë, si dhe shpesh u pa edhe si burimi kryesor dhe më i afërt për Skënderbeun, në mes tjerash, ai shkruan: “Dhe, meqenëse nuk e quaj me vend që fisi i Skënderbeut të mbetet krejt i panjohur, por edhe s`kam ndër mend që të përshkruaj tërë vargun e të parëve të tij, do të jem i kënaqur të prek vetëm një gjë, se krerët e fisit të Kastriotit kanë rrjedhur nga Mati, prej një dere fisnike..”(shih: Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë 2005, f. 2).

Po kështu edhe Dhimitër Frangu, prift katolik nga Drishti, që ka shërbyer pranë Skënderbeut dhe si funksionar financash, në veprën e tij origjinale latinisht, të përkthyer në italisht pas vdekjes pa emrin e tij, Venedik 1539 “Commentario delle cose de turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe di Epyrro”(Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skanderbeg, Princ i Epirit”, thekson se Kastriotët janë nga Mati. Edhe nipi i tij Andrea Engjëlli në veprën “Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe konstandinopolitë”, botuar në Romë në vitin 1553 (Andrea Engjëlli: “Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe konstandinopolitë”, f. 490) mbështet hipotezën se Kastriotët ishin nga Mati.

Kjo hipotezë nuk ka gjetur mbështetje nga studiues të ndryshëm, përfshi dhe prof. Kristo Frashërin, i cili, duke trajtuar mendimin e Barletit si humanist, ndalet në prirjen e tij klasiciste në lidhje me emërtimin Emat (Aemathia) për origjinën e Kastriotëve, ku në disa raste Barleti i jep kuptimin e Matit, por në raste të tjera ai kopjon shkrimtarët klasikë grekë dhe romakë (Strabonin, Plinin, Justinin, Klaudin), të cilët quanin Ematia provincën e Maqedonisë së Dytë, që Roma krijoi në shek. I në trevën midis Durrësit e Ohrit, që më vonë u quajt provinca e Epirit të Ri, dhe në Mesjetë u përfshi në emërtimin Arbëri (po ai, f.56-57).

Ndërkohë një argument logjik që zhvlerëson këtë hipotezë të prejardhjes së Kastriotëve nga Mati vjen edhe nga dëshmia e bashkëkohësit Gjon Muzaka në “Historia e Genealogia della casa Musachia, scritta da D. Giovanni Musachio Despote del Epiro”, botuar në “Chroniques greco-romanes, inèdites ou peu connues” nga Karl Hopf në Berlin 1873, i cili duke folur për paraardhësit e Skënderbeut thotë: “I biri i Palit, Gjon Kastrioti, u bë zot i Matit”, e më tej “mbasi rifitoi pronat atërore (Skënderbeu), mori qytetin e Krujës që nuk zotërohej prej të jatit” dhe aneksoi “Dibrën, Birinën, domethënë Randisinë, Tomanishën dhe Misien, si dhe krahinën e Gjonmit deri në bregdet”. Pra, Kastriotët nuk mund të kishin origjinën as nga Mati e as nga Kruja për shkak se nuk mund të kesh origjinën nga zotërimet që i fiton në kohë më të vonë se ekzistenca e mëparshme!

Së dyti, dhe që është mbështetur edhe nga historianë me emër, është hipoteza e origjinës nga Dibra. Në veprën e tij mjaft të thelluar “Skënderbeu, jeta dhe vepra, Tiranë 2002”, në Kreun III: Nga ishin Kastriotët, prof. Kristo Frashëri ndalet gjerësisht mbi origjinën e Skënderbeut. Që në fillim (faqe 54) thekson se “si familje, Kastriotët, paraardhësit e Skënderbeut, shfaqen më vonë se shumë familje bujare shqiptare të kohës së tij, të cilët përmenden si feudalë të vegjël që në vitet ‘70 të shek. 13, ndonjëri ndoshta më herët … në përgjithësi kanë përdorur si mbiemër emrin e fshatit të tyre të hershëm. Madje kjo praktikë ka vazhduar deri në ditët tona (Naim Frashëri, Faik Konica, Zef Jubani, Filip Shiroka,Ymer Prizreni, Isa Boletini dhe plot të tjerë). Po K. Frashëri, në vitin 1974 parashtroi tezën se origjinën e Kastriotëve duhet ta kërkojmë në Dibrën e Poshtme, në bashkësinë krahinore të Qidhnës, në juridiksionin e së cilës ndodhet fshati Kastriot (Kristo Frashëri, Gazeta “Mësuesi”, 4 shtator 1974). Prof. Frashëri mbështet origjinën e Kastriotëve nga fshati Sinjë i Dibrës, në bashkësinë krahinore të Qidhnës, bashkësi në të cilën ndodhet fshati Kastriot. Duke iu referuar kushëririt të parë të Donika Kastriotit, Gjon Muzakës, si njohës i mirë i familjeve feudale të shek. 15, që thotë se “gjyshi i zotit Skënderbeg quhej Zoti Pal Kastrioti, dhe ky nuk kishte më tepër se dy fshatra të quajtur Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”. Nuk është e rastit thotë Frashëri që të dy fshatrat ndodhen në krahinën e Qidhnës, ballë për ballë me fshatin Kastriot, nga i cili i ndan Drini i Zi. Sinja e Poshtme nuk është më larg se 6 km nga fshati Kastriot, ndërsa Gardhi sot nuk ekziston si vendbanim, por si toponim i dyfishtë rreth 2 km në jug të Sinave. Po kështu mbështetet tek historiani italian, Raffael Volaterrano, bashkëkohëtar i Skënderbeut, që në vitin 1506 ka botuar një biografi të shkurtër të Skënderbeut, i cili të atin e tij e quan Gjon Dibra ose Dibrani (shih Kristo Frashëri: Skënderbeu…, vep.cit. f. 64), si dhe tek St. Gaspari (St. Gaspari: Relazione del vescovado di Scutari etj. (1671), në: “Hylli i Dritës”, vëll.VII (1931), në emrin Has të ndeshur në shek. 17 në fshatin Tren, në Dibrën e Poshtme, në lindje të lumit Drin, në mikrokrahinën e Qidhnës.

Prof. Frashëri më tej kundërshton kronikën raguziane të Lukarit dhe kodeksin boshnjak të Fermenxhinit, për të cilët thotë se “asnjëri prej tyre nuk ka vlerë dokumentare” (Po ai, vep. cit., f. 61).

Ndër argumentet që kundërshton origjinën e Skënderbeut nga “Hasi i Krumës” është pamundësia që ka një njeri nga “Hasi i largët të bëhet zot feudal në një krahinë të huaj për të dhe, ca më tepër që dibranët e bashkësisë krahinore të Qidhnës…., të pranonin të kishin mbi krye një feudal nga një krahinë tjetër e huaj për ta”?! … dhe “Në rastin më të mirë, emërimi i një pinjolli kastriotas nga Hasi i Krumës në trevën dibrane, mund të ketë ndodhur gjatë sundimit të Stefan Dushanit. Po Stefan Dushani, përveçse nuk ka shenja të ketë ushtruar pushtet absolut në viset e thella malore, nuk jetoi gjatë. Vdekja e tij duhet të ketë sjellë, si kudo, edhe në Dibër, dëbimin e funksionarëve të tij feudalë nga popullsia vendase” (po.aty, f. 62).

Duke kundërshtuar Nolin për origjinën e Skënderbeut nga Hasi, prof. Kristo Frashëri thekson se:”Vetëm në Krumë ka një lagje që mban emrin Kastrat”(po aty, f. 59).

Duke marrë në konsideratë dhe kujtimet e mbledhura shumë kohë më parë nga pleq të moçëm, nga një njohës i mirë i trevës dibrane, Azis Ndreu, ai thotë se “pjesa jugore e Fushës së Kastriotit deri në përroin e Gjelagjoshit, dikur thirrej Hasi i Thatë, kurse tani ajo quhet Fusha e Thatë, ashtu siç përmendet edhe në revistën e përmendur “Albania” të Faik Konicës (1903) (Po aty, f. 61-62).

Në mbështetje të origjinës dibrane të Gjergj Kastriotit, krahas studiuesve dibranë, është shprehur dhe prof. Mark Krasniqi në punimin kushtuar gojëdhënave që kanë qarkulluar mbi gjenezën e Kastriotëve (Gjeneza Kastriote e disa fiseve shqiptare dhe malazeze sipas traditës popullore, në “Simpoziumi për Skënderbeun”, Prishtinë, 1969, f. 265-266.), ku shton se: “sipas traditës popullore, Skënderbeu ka qenë prej katundit Kastriot, afër Dibrës”.

Mendojmë se ngulmimi i prof. Frashërit për mospranimin nga ana e dibranëve të zotëve nga krahina të tjera, është i pathemeltë pasi me të njëjtën logjikë nuk do ta pranonin as matjanët e as krutanët. E më tej, mbas rënies së Stefan Dushanit, zotërimin e gjithë trevave verilindore e mori në dorë dinastia e Balshajve që padyshim nuk janë nga Dibra (!) e as nga Mati, kështu që “argumenti” bie poshtë. Që edhe Dibra, apo Qidhna e prof. Frashërit, ishin nën zotërimin e Balshajve si pjesë e gjithë principatës balshjane, vijnë një mori dokumentesh e burimesh shkrimore. Kështu, kur flet për forcimin e principatës së Balshajve pas rënies së Dushanit, Gelchih në “La Zedda…” njofton se principata e Balshajve u zgjerua fillimisht në njësinë ekonomike Shirgj-Prizren e më pas zbriti drejt jugut duke zënë tokat Tivar-Prizren-Vlorë. Dëshmi të tilla vijnë edhe tek Nedeljkoviq apo në Acta Albaniae Veneta, për kontrollin nga Balshajt të gjithë arealit arbëror të Kosovës duke zbritur në jug drejt Ohrit e Kosturit. Dhe padyshim edhe Dibra e Poshtme nuk mund të ishte jashtë këtij areali. Ndërsa për zotërimin e Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm vijnë edhe dëshmi të tilla që këto dy katunde iu dhuruan gjyshit të Skënderbeut nga Gjergj Balsha, si shpërblim për trimërinë e dëftyer si komandant trupash ushtarake. E edhe në këtë rast, origjina nuk mund të nxirret nga vendet e dhuruara.

Një hipotezë që lëvrohet së voni nga autorë shqiptarë, por që mbështetet në disa autorë të huaj që nuk mbajnë parasysh ndarjet krahinore-etnografike të një kohe të mëparshme, por nisen nga realitete të shekullit 19-20, është ajo e origjinës së Skënderbeut nga Mirdita.

Mendimin për origjinën e Kastriotëve nga Mirdita fillimisht e ka shprehur J.Ph. Fallmerayer, vepra e të cilit është botuar në vitet 1857, 1860 dhe 1861 nga Akademia e Shkencave të Bavarisë. Sipas tij “Kastriotët ishin nga Kastri i Mirditës” (J.Ph. Fallmerayer: Elementi shqiptar në Greqi, Tiranë 2003, fq. 167).

Po ashtu Athanas Gegaj, me disertacionin që mbrojti në Universitetin e Louvainit (Belgjikë), me titull “L`Albanie et l`invasion turque au XV-e siècle”, mes tjerash vë në dukje se në Mirditë gjendet një lokalitet me emrin Kastri (midis Dibrit, Mënellës, Kashnjetit dhe Vigut), nga i cili Kastriotët e morën mbiemrin e tyre të parë. Ai shton se këtë pohim e mbështet në faktin se Kastriotët kishin të drejta zotërimi mbi krahinat e Mirditës (A. Gegaj: L`Albanie et l`invasion turque au XV-e siècle Paris 1937, f. 34-35).

Ndërsa në ditët e sotme, autorë si studjuesi Preng Cub Lleshi etj. kanë trajtuar origjinën e Kastriotëve nga Mirdita.

Edhe kjo hipotezë na duket e pambështetur në argumente, pasi duhet zbritur në kohë dhe verifikuar nëse në burimet e kohës spikat krahina e Mirditës apo jo, dhe nëse lidhet me argumente të tjera përveç koincidencës së një toponimi që nuk verifikohet në kohën e Skënderbeut, me rrënjën e mbiemrit Kastriot.

Krahas origjinës nga Mirdita, nuk kanë munguar dhe opsione të tjera si:

– Fan S. Noli ka shkruar se emri i Kastriotëve del në shesh për herën e parë më 1368 në një dekument i cili përmban betimin e Aleksandër Komnen Asenit, princit bullgar të Vlorës, si qytetar honorar të Raguzës, me nënshkrimet e disa dëshmorëve vërtetonjës nga parësia e vendit. Midis këtyre është edhe nënshkrimi i një Kastrioti, Kapedani të Kaninës, (Fan S. Noli, vep. cit. fq. 13), kur përmendet një Kastriot si kështjellar i Kaninës. Nuk ka munguar dhe ndonjë studiues i zellshëm krahinarist që sheh një paraardhës të Kastriotëve të mëvonshëm i cili është dëbuar nga pronat e veta dhe është vendosur në Kaninë.

Në paraprijë të hipotezës së fundit, pra të origjinës nga Hasi, të cilën dhe e mbështesim në mënyrë më argumentuese se të tjerat, duhet thënë fillimisht se prej disa familjeve që kanë emigruar në Itali, Kastriotët njihen edhe me një mbiemër të dytë Mazreku. Kjo mbështetet edhe në një pohim të Dyfren du Kanzhit, i cili duke iu referuar Flav Komnenit, jep si stërgjysh të Skënderbeut një “Constantinum Castriotus, cognomento Meserechus, Aemathiae, et Castoriae Princips” (Konstantin Kastrioti, i mbiquajtur Princ i Mazrekut, Matit dhe Kastratit).

Pra, tashmë le të ndalemi në hipotezën e origjinës nga Hasi, të cilën e kanë mbështetur studiues mjaft të njohur si Pietro Luccari, Frang Bardhi, E. Fermendzin, F. St. Noli, akademiku i njohur Aleks Buda, prof. K. Biçoku, Sh. Hoxha, Nexhat Çoçaj, dhe së fundmi studiuesi i zellshëm hasjan Muhamet Dauti.

Duke u marrë me këtë çështje dhe duke mbështetur origjinën e Skënderbeut nga Hasi, edhe unë do të përpiqem të sjell mendimin tim pas parashtrimit të dëshmive tashmë të shtjelluara nga historianë të njohur e deri tek studiuesit më pak të afirmuar në trajtimin e epokës skanderbegiane.

Pietro Lukari në vitin 1605 (Copioso ristretto degli Annali di Rausa. In Venetia, 1605, f. 86) në kronikën e vet shkruan se “Gjon Kastrioti ishte zot i Krujës” dhe se “familja e tij ka dalë nga Kastrati, fshat në juridiksionin e Hasit në Shqipëri, pak larg lumit Drin (Giovanni Castriota signor di Crui, la qual famiglia usci da Castrati, villa nella guirisditione in Az in Albania, poco discoto dal fiume Drilon).

Në vitin 1553, Andrea Engjëlli ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka qenë i biri i “Gjergj Kastriotit” dhe ky i “Konstandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku, që kishte vdekur në vitin 1390 (Historia e popullit shqiptar, Vëllimi II, Tiranë 2002, f. 314).

Me mendimin e Pietro Lukarit bashkohet dhe humanisti, shkrimtari dhe historiani shqiptar Frang Bardhi(Frang Bardhi: Skënderbeu (Apologji), 1957, f. 69), i cili ka jetuar në Shqipëri. Në veprën e tij për Gjergj Kastriotin, botuar në vitin 1636, kundërshton pikëpamje si ato të J. Mërnjanoviqit, që duan t’i nxjerrin Kastriotët me origjinë sllave. Frang Bardhi, duke polemizuar me ta, argumenton se Kastriotët ishin nga Hasi. Pas një sërë argumentesh të autorëve të ndryshëm për origjinën e Skënderbeut, Frang Bardhi thekson:“ Megjithëse ato që kemi thënë gjer tani mund të mjaftojnë për vërtetësinë e çeshtjes në fjalë, unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mendja ime, të cilat ndihmojnë për ta ndriçuar punën e familjes së Kastriotëve. Duhet të dimë, d.m.th., se është një pjesë e vogël e Epirit apo Shqipërisë, që sot në kohën tonë quhet zakonisht nga Epirotët dhe bashkëkombasit tanë: As. Pranë këtij vendi janë vendosur Pulatasit (a) dhe Dukagjinasit, popullsi shqiptare. Përmes këtyre popullsive dhe përmes maleve shumë të larta rrëshqet lumi i shënuar dhe shumë i shpejtë Drin. Në këtë pjesë të Epirit, ndërmjet vendeve malore të asaj krahine, ngrihet një fshat i njohur, i quajtur prej Askolëvet (b) Kastrat. Ky fshat bashkë, sigurisht, me shumë fshatra, bashtina, kështjella e qytete të tjerë, që ndodhen në vendet më të ashpra të maleve, u sjell dëme jo të pakta mësymjeve dhe sulmeve të turqve. Për shkak të pozitës shumë të fortë të maleve dhe të këmbënguljes së banorëve, ky, bashkë me vendet që zumë në gojë, nuk e duron zgjedhën turke; prandaj gëzon një famë e lavdi të madhe pranë këtyre popujve, të cilët shpesh here me forca të pakta i shpërndajnë turmat numeroze të turqve (të cilat i quajnë sanxhakë), i vënë në ikje dhe i mbajnë larg kufijve të tyre. Të drejtën dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon për veten e saj një familje e përmendur dhe shumë e vjetër ndërmjet bashkëvendasve tanë, e quajtur Kastrati. Prej kësaj familje kanë dalë shumë burra të respektueshëm për mençurinë dhe trimërinë e tyre luftarake … Unë për shumë arsye guxoj ta pohoj si të vërtetë se nga ky vend e nga kjo familje kanë dalë ata që quhen zakonisht “Kastriotë”. Së pari, se me këtë mendim është në pajtim të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit, gjë që unë e kam patur shumë parasysh në çështjen që shqyrtojmë. Sepse ato që ne trashëgojmë etërit dhe gjyshërit, ua lëmë me lehtësi pasardhësve tanë, sidomos kur është fjala për gjëra të shquara e që vlejnë të mbahen mend, sipas fjalës: ”pyet babanë tënd dhe do t’i tregojë të parët e tu” – Pastaj është nevoja të merret parasysh se, që nga koha e Skënderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë sa që të jetë shlyer e harruar çdo kujtim i tij dhe i njerëzve të tij nga bashkëkombasit tanë. (Sepse këta e kanë zakon që të këndojnë gjithmonë nëpër gostitë e tyre, ashtu siç bënin të vjetrit, për origjinën dhe veprat e paharrueshme të burrave të tyre të shkëlqyer)” (Po aty, f. 70), dhe vijon me shpjegimin e emrit të familjes së Kastriotëve, nga fshati Kastrat, që gjendej buzë lumit. Për këtë sjell në vëmendje faktin se në kohën e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin e fshatit Kastrat.

Duke ndalur mbi këtë pohim të Frang Bardhit, mund të ngulmohet se një autoritet si Bardhi, që ka si objekt të veprës së tij pikërisht origjinën e Skënderbeut, dhe që nuk është i largët nga koha që trajton, siç thotë dhe vetë, ka një peshë më të rëndësishme se autorë të tjerë që i referohen ose koincidencave emërore, ose fakteve të veçuara pa marrë në konsideratë tërësinë e argumenteve. Kështu që Frang Bardhi superon ndjeshëm mjaft burime të tjera për origjina të ndryshme të Skënderbeut.

Historiani boshnjak E.Fermenxhiu, në vitin 1892 (E. Fermendzin: Acta Bosnae, Monumenta Spectantis Historam Slavorum Meridionalium, vol. XXIII, Zagreb 1892, fq. 132), gjatë studimit të dekumenteve të Bosnjës mesjetare, të evidentuara në Hungari në një manastir françeskan, u njoh dhe me informacione që flisnin mbi familje fisnike boshnjake dhe shqiptare. Në një prej tyre flitet se “Kastriotët ishin nga fshati Kastriot në krahinën e Hasit”.

Fan S. Noli, duke folur për këtë, thekson: “Një dekument i zbuluar në një manastir franciskan të Hungarisë prej dijetarit Fermenxhin, na tregon që Kastriotët ishin nga një fshat i quajtur Kastriot në Malësinë e Hasit. Këtë na e vërteton edhe kronikani i Raguzës Luccari, duke bërë vetëm lajthim në emrin e katundit, të cilin e shtrembëron si Kastrati, po pastaj e ndreq kur na thotë që ndodhej në krahinën e Hasit afër Drinit (Fan S.Noli, vep. cit., f. 13)

Profesor Aleks Buda (Shkrime Historike, Tiranë 1986, f. 164) thekson se ”Megjithëse Noli, duke u mbështetur mbi dokumentin, ngul këmbë se fshati quhet Kastriot, unë mendoj se emri duhet të jetë Kastrat. Lukari në “Annali di Rausa”, Venedik 1605, Libri II, f. 80, thotë se katundi nga rridhnin Kastriotët ishte Kastrati në Has. Ky indikacion vërtetohet edhe nga shkrimtari ynë Frang Bardhi. Në kohën e Bardhit gjendej aty ende një familje që ishte fis me Skënderbeun. Megjithatë Gegaj ngul këmbë se Kastriotët rrjedhin nga një katund Mazrek në Has, duke u mbështetur edhe mbi faktin se nuk ekziston në Has fshat Kastrat, sepse ky është emri i një fisi në veri të Shkodrës; emrin e tyre Kastriotët e morën, sipas Gegajt, nga pronat që kishin në fshatin Kastri në Mirditë.

Një njohës i mirë i vendit etnografi Rrok Zojsi, më dëshmon se një lagje e Krumës sot në Has mban ende emrin Kastrat dhe vërteton me këtë indikacionet e Lukarit dhe të Bardhit, rrëzon hipotezën e Gegajt dhe korrigjon, pas mendimit tim, indikacionin e dokumentit të botuar nga Fermenxhin. Arsyeja që ky dokument e shkruan Kastriot dhe jo Kastrat emrin e katundit është padyshim se shkruesi ka qenë ndikuar nga analogjia me emrin e familjes. Arsyet, përse emri i familjes që vjen nga Kastrati ka marrë formën Kastrioti, duhen kërkuar në ndikimin bizantin, që ka vepruar mbi emrat e shumë krerëve feudalë shqiptarë në mesjetë” (Aleks Buda, Shkrime Historike, Tiranë 1986, f. 164).

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 460, thuhet: “Kastriotët ishin me prejardhje nga Hasi dhe kishin atje fshatrat me emër Mazrek, Kostur, Ujmisht (Vumestje), emra që do t’i mbajnë edhe në emrin e tyre të familjes. Më vonë i shtrinë zotërimet drejt jugut, ku Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, zotëronte fshatrat Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm, dhe mandej dy Dibrat. Shtrirja e mëtejshme territoriale dhe fuqizimi i sundimit të Kastriotëve lidhet me emrat e Gjon Kastriotit si dhe të Gjergj Kastriotit Skënderbeut”.

F.S.Noli ka shkruar: “Si në ditët e sotme, ashtu dhe në kohërat e vjetra, më të shumtët e shqiptarëve kanë patur një emër të parë …, mbi të cilin shtonin si llagap emrin e fshatit, a të bajrakut, a të krahinës. Për shembull, llagapët Kastrioti, Balsha, Muzhaqi, Araniti dhe Shpata janë emra katundesh që ekzistojnë ende në Shqipëri (shih Fan S. Noli, vep. cit. f. 13).

Po kështu, në Vëllimin I të Historisë së popullit shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave viti 2002, është interesant argumenti në lidhje me mbiemrin e dytë të Kastriotëve, siç ishte Mazreku, si dhe pronat e tyre Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend A. Engjëlli, të cilat gjenden në mikrotoponiminë e hershme dhe të sotme të Hasit (Kostur, Kastrat dhe Mazrek), dhe të Drenicës e të Lumës (Ujmiri dhe Ujmisht, që përmend edhe Dh. Frangu), në përforcim të të cilëve renditet dhe një dëshmi e fillimit të shek. 19 se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi Mihal Kastrioti, që flet për praninë e ruajtjes ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën e Hasit nga e kishin origjinën Kastriotët (Historia e Popullit Shqiptar, Tiranë 2002, V. I, f. 314).

Profesorët tanë të mirënjohur që mbështesin origjinën e Skënderbeut nga Hasi, krahas argumenteve të tjerë, citojnë një lagje Kastrat në qytetin e Krumës. Prof. Kristo Frashëri, i cili e kundërshton origjinën e Skënderbeut nga Hasi i Republikës së Shqipërisë, midis të tjerash vë në dukje se “Po ashtu lagja Kastrat e Krumës nuk ndodhet pranë lumit Drin” (Kristo Frashëri, vep. cit. f. 59).

Historishkruesit e deritanishëm duhet të dinë se fare pranë lumit Drin, afro 1 km larg tij, ndodheshin Kastratët e fshatit Brrut (Pikërisht në këtë fshat janë gjetur gjurmë neolitike dhe të periudhave të mëvonshme). Kastratët numerikisht përbënin lagjen më të madhe të këtij fshati. Këta kastratë, me rastin e ngritjes së Hidrocentralit të Fierzës, u zhvendosën në qytetin e Krumës ku kanë lagjen e tyre. Jo larg ish fshatit Brrut, në zonën malore ndodhen Kastratët e Pusit të Thatë, në lagjen Demiroll, me të cilët asnjëherë nuk kanë bërë krushqi, pasi i quajnë të një gjaku. Kastratët gjenden dhe në fshatin e njohur të Golajve në Has.

Kastratët e Brrutit kanë qenë vendosur në një mjedis me kushte gjeomorfologjike mjaft të përshtatshme për banim, ku para së gjithash kishte një fushë tejet pjellore aluvionale, ku kultivoheshin gjithë prodhimet bujqësore, kishte kullota malore për blegtorinë dhe shfrytëzohej edhe peshkimi. Siç duket, fuqizimi i kësaj familjeje mundësoi zgjerimin e saj me prona aq sa ka arritur më vonë të shtrijë zotërimet e saj në Dibër, Mat e Krujë.

Si përmbyllje, Frang Bardhi thekson në veprën e tij të cituar, se “Por me gjithë këtë, unë nuk mund të kaloj në heshtje, ndërmjet tjerësh, dy nga heronjtë e panumërt të familjes Kastrati, të cilët janë gjallë gjer më sot… I pari u rrëmbye që fëmijë nga duart e prindërve të tij katolikë prej një farë turku epirotas që mban emrin Isuf Beg dhe që është nga më të fuqishmit e kohës sonë. Mbasi u edukua ndërmjet oborrtarëve të këtij sipas zakonit turk, u la i lirë dhe mbas pak vjet shkoi në Stamboll, ku u nderua me gradën e spahiut. Ky është një burrë trim, i urtë dhe i pajisur me dhunti të tjera të shquara. Tani jeton pranë njerëzve të tij, i mbuluar me lavdinë më të madhe dhe quhet Mustafa Kastrati. Tjetri quhet Gjon… Duke dhënë prova të shkëlqyera të burrërisë së tij, po tregohet kështu trashëgimtar i denjë i lavdisë dhe trimërisë stërgjyshore (vep. cit, f. 71-72).

Nëqoftëse mbështesim traditën e gojëdhënave, edhe sot Kastratët e Brrutit e bashkëkohës të tjerë transmetojnë tregime për Mustafa Kastratin, të përcjella më parë gojë më gojë nga paraardhësit e tyre.

Duke hedhur hipotezën se Skënderbeu është me origjinë nga Kastratët në Has, pikërisht fare pranë Drinit ku shtrihej fshati Brrut, shpresoj të kem dhënë një kontribut modest në këtë çështje mjaft të trajtuar nga opinioni shkencor, e edhe ai mediatik.


29 Maj 2018