A do ta shesë Kosovën Hashim Thaçi?

Bedri Islami

Në të gjithë këto ditë, pas një deklarimi të Presidentit të Kosovës për korrigjimin e kufijve është ndezur, ndoshta me të drejtë, një debat i pafund rreth kësaj teze, e cila, si jam i bindur, kurrsesi nuk mund të jetë vetëm ide e Hashim Thaçit. Po ashtu, dua të besoj se, si ndodh zakonisht në nën zërat e politikës, ai duhet të ketë marrë një mendim nga strukturat që e mbështesin në botën e politikës. Dhe këto struktura janë të njohura.

Por, edhe sikur të ishte mendim vetjak i tij, ai , si po alarmohen analistët dhe njerëzit e politikës opozitare në Shqipëri, por edhe në Kosovë, as nuk e vendosi këtë, as nuk i vuri zjarrin kontinentit të vjetër, dhe as nuk ka fuqi të hapë atë që quhet Kutia e Pandorës.

Sidoqoftë unë e them haptas: nëse ai arrin të bëjë atë çfarë ka në mendje, kthimin e Kosovës Lindore si pjesë integrale të Kosovës, le të hapen 100 kuti pandorash, të cilat janë mbyllur një mijë herë për vendin tonë dhe gjithnjë në dëm të tij. Mendimi i një politikani lësëist se “kufijtë janë mirë” është naiv, pasi, pas këtyre kufijve shumë nga shqiptarët që bëjnë pjesë në shtetet rrethuese, sidomos në Kosovën Lindore, janë në prag të asgjësimit si pjesë formuese; ata po shpërngulen me dhunë, po mohohen të drejta dhe vetë jeta e tyre është në rrezik.

Por të kthehem tek ideja e këtij shkrimi, “A do ta shesë Kosovën Hashim Thaçi”?

As Hashim Thaçi dhe askush tjetër nuk është sot zot i Kosovës dhe mbinjeriu që vendos për fatin e saj. Edhe nëse, në rastin më të hidhur, ai provon të bëjë lëshime mbi hartën e Kosovës, sado të vogla të jenë ato, përgjegjësinë historike por edhe ndëshkimin kohor do e marrë vetëm ai, por sigurisht se asgjë e tillë nuk do të mund të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të saj.

Ka shumë zëra se e gjithë kjo që po ndodh aktualisht në Kosovë, pra përplasjet dhe përdallimet e mëdha të klasës politike dhe rolit të Thaçit kanë të bëjnë me lëshimet e këtij të fundit ndaj strukturave euroatlantike për të qenë i sigurtë se ndaj tij nuk do të veprojë Gjykata Ndërkombëtare, e njohur si Gjykata Speciale, e cila tani mund të ketë filluar të mbyllë dosjet e saj.

Të bësh politikë përmes një teze të tillë dhe të synosh të bësh të kapshëm mendimin se lëshimet e Thaçit kanë të bëjnë me “ruajtjen e kokës së tij” do të thotë që nuk ke kuptuar dy gjëra themelore: që bashkësia ndërkombëtare po vepron kundër Kosovës, për deri sa kërkon lëshime politike e territoriale dhe, e dyta, të mos e njohësh mekanizmin që është vënë në lëvizje nga drejtësia ndërkombëtare, e cila, jo si në Kosovë e kurrë si në Shqipëri, nuk është institucion politik, nuk varet nga shefat e shteteve dhe as nuk do të ia dijë se çfarë lëshimesh është i gatshëm të bëjë Hashim Thaçi.

Nëse ndaj tij, si ndaj kujtdo tjetër në Kosovë, ka fakte dhe saktësi se me emrin dhe luftën e tij, janë të lidhur edhe krimet të ndryshme, kjo nuk ka të bëjë aspak, në asnjë çast, me lëshimet ose idetë që ka ndër mend Presidenti i Kosovës.

Vetëm ata që në rrethana të ndryshme kanë bërë lëshime të tilla, qoftë politike, qoftë kombëtare, për më shumë hapësirë politike e jetësore, e perceptojnë Gjykatën Ndërkombëtare si një han ku futet e del secili që mbron apo dënon politika jashtë Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi nuk ka tagër të shesë asnjë metër katror të Kosovës. As të ndërrojë kufijtë e saj në rrudhjen e tyre. Dhe as nuk synon të bëjë këtë. Në mos tjetër, ai e di fare mirë që mbi fatin e tij, jo vetëm politik, por edhe mbi investimin e shkuar, varet një darë e fuqishme, përmes së cilës nuk mund të luash me asgjë tjetër, veç dobisë për shtetin tënd.

Kosova nuk është çiflig as i Thaçit, as i Mustafës, as i Haredinajt dhe as i Veselit. Ata e kanë radhën tani të qeverisin, por kjo nuk do të thotë se janë të përjetshëm në qeverisjen e tyre. Më mirë se gjithë të tjerët, këtë e dinë ata vetë.

Ata, secili prej tyre, është e mundur që të luajnë me prona dhe tenderë, të vënë pasuri dhe të shpërrallisin për patriotizëm, por, shumë herë më tepër se një klan opozitar përreth tyre, ata, të cilët drejtojnë sot tre institucionet më të rëndësishëm të Kosovës,në të shkuarën, kanë dëshmuar më tepër përkushtim se sa disa “trima lëdëkëistë”, të cilët në kohën e pushtetit të tyre e kishin për nder të ishin pjesë e bashkim-vllaznimit serbojugosllav.

Kosova është mbi të gjitha krijesë e shteteve perëndimore dhe e politikës së tyre për Ballkanin. Duke u nisur nga lufta që ndodhi në Kosovë, dhe, pa këtë luftë nuk do të kishte ndërhyrje euroatlantike, ata synuan dhe arritën disa gjëra njëherësh, njëri nga të cilët do të ishte vendosja e kufirit të influencës ruse në kufirin verior të Kosovës.

Në rreth 20 vite shtetet perëndimore kanë investuar më tepër nga sa është pritur dhe kanë ngritur një shtet, ndonëse çalaman për jo për fajin e tyre deri në fund, i cili nuk ka as luksin, as dobësinë për të falur në paqe atë që është fituar me luftën e përbashkët.

Çështja e Kosovës, megjithëse është shtruar në një tryezë dypalëshe, nuk është vetëm e tillë. Ajo, në paskenat e saj, ka aktorë të tjerë, të cilët nuk kanë menduar vetëm sot për tezën e Presidentit të Kosovës dhe jo nga dita e sotme po synojnë për të realizuar një sovranitet gjithnjë e më të fuqishëm.

Ka të dhëna të plota se, ajo që po diskutohet sot mes dy përfaqësuesve shtetërore, është rrahur shumë herë në kancelaritë euroatlantike, është hapur jo vetëm si temë e nxehtë, por edhe si opsion për zgjidhje mes shteteve me qëndrime jo të njëjta, për të ardhur në këto ditë, kur gjërat po nxehen gjithnjë e më shumë dhe kur pritja bëhet e padurueshme.

Tagri i Hashim Thaçit është të përfaqësojë Kosovën në këto bisedime. Qëndrimi i opozitës që, Presidenti i Kosovës të mos jetë drejtuesi i tyre, sado gabime mund të ketë bërë Thaçi në të shkuarën dhe ai ka bërë, është si të kërkosh të lash duart dhe nesër të dalësh me teza nacionaliste, sikur vetëm qenia e tyre do të sillte një Kosovë dy herë më të madhe.

Të mos bëhemi të paditur: rolin e prijëtarit, duam apo nuk duam, Hashim Thaçi e ka marrë edhe kur ka qenë ndoshta i panjohur, si në Rambuje, e jo më sot që është në postin më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Nëse opozita ka drojën se Thaçi mund të bëjë lëshime në dëm të Kosovës, është më e frytshme të jenë aty, ta ndalojnë në kohën e duhur dhe, nëse ai nuk do të kishte zgjidhje tjetër, ata të bëjnë të mundur përballjen e tij masive me opinionin publik.

Politika për Kosovën bëhet më shumë jashtë Prishtinës, se sa në Prishtinë. Ajo i ka rrënjët nganjëherë shumë larg saj dhe nuk janë nga ato rrënjë që mund të lëvizin nga dëshira e një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe Presidenti i Kosovës.

Kosova e ka shpallur pavarësinë me propozimin e Kuvendit të saj dhe jo pa mbështetjen e atyre shteteve që qëndrojnë sot mbështetës të qëndrimit të shtetit të pavarur të Kosovës, pa i hequr asaj asnjë pjesë tokësore.

Si duket, mesazhi i ardhur nga Thaçi mund të jetë i nisur nga shumë larg, aq më tepër kur ai shoqërohet edhe dy mesazhe të tjerë, të cilët, analistët dhe opozita në Shqipëri, as nuk ka dashur dhe as nuk do t’i lexojë: nuk do të ketë ndryshime kufijsh, nuk do të jetë në diskutim asnjë metër katror tokë e Kosovës, pra, nuk do të ketë ndarje.

Do të ketë përpjekje për një rishikim të kufirit. Nëse Thaçi e arrin synimin e tij, atëherë do e ketë hak kujtesën e vendit të tij, do i harrohen mjaft gabime që ka pasur në rrugëtimin e tij politik; nëse e gjithë kjo është një shashkë vetëm e tij, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e tij. Dhe më tepër se kaq; do të jetë një faj dhe fajet paguhen.

Ajo për të cilën bëhen merak analistët duke i qarë hallin gjithë botës, Kutinë e Pandorës së kufijve, nuk është në dorën e Hashim Thaçit, as të hapet, as të mbyllet e, as të hapet paksa, veç për Kosovën.

Në fund më lejohet të sjell fjalët e një miku tim, jashtëzakonisht të vyer, të cilit i kam besuar dhe do i besoj gjithnjë, pjesë e hershme e lëvizjes çlirimtare, i cili vjen pikërisht nga trevat e Kosovës Lindore, Halil Selimi.

Ai shkruan se:

Presheva kërkon trajtim serioz dhe zgjidhje politike të mirëfilltë! Vetëm rikthimi në Kosovë është zgjidhje! Mos të guxojë askush të tallet publikisht, e as fshehtas me të drejtën historike, kombëtare dhe politike të një krahine dhe të një popullate të tërë, etnikisht e territorialisht pjesë integrale e Kosovës, padrejtësisht e shkëputur nga tërësia territoriale gjithëshqiptare! Nuk i lejohet askujt që të vazhdojë ta përdorë Luginën e Preshevës si strehim apo mashtrim politik, e cila, pikërisht si pasojë e mashtrimeve të vazhdueshme historike për kusuritje edhe ka mbetur deri sot nën Serbi! Lugina e Preshevës (Kosova Lindore) ka mbajtur një referendum gjithë popullor më 1-2 mars 1992, ku shprehet qartë vullneti politik për Autonomi politiko-territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën. Kush është rizgjuar kombëtarisht dhe politikisht, le të mbështesin vetëm këtë vendim plebishitar të kësaj popullate liridashëse, pa spekulime politike apo interesa individuale, kushdo dhe kudo qofshin ata.

Me mendimin e tij bashkohem plotësisht.


6 Gusht 2018