A do t’i bashkohet Kosova Shqipërisë?

Shaqir Vukaj

Kohët e fundit, sidomos gjatë muajit gusht të këtij viti është rihapur çështja e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, ku janë përfshirë Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, por edhe personalitete të larta të politikës në të dy vendet dhe në vende të tjera të rajonit. Por, si do që të vijnë punët, në thelb mbetet pyetjamadhore: Kur do të bashkohet Kosova me Shqipërinë? Këtë duan të dinë shqiptarët. Mirëpo, para se të arrijmë te përgjigjja e kësaj pyetjeje, tani që po flitet për ripërcaktim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, le të shtrojmë një pyetje më imediate: A do t’i bashkohet veriu, dmthMitrovica Kosovës?

Është kjo padyshim një nga çështjet më të nxehta, kur dihet ecuria e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve. Për këtë çështje do të diskutohet në javën e parë të shtatorit në Bruksel në prani të kryetarëve Thaçi dhe Vuçiç. Por sa i mundur është realizimi i këtij projekti? Në këtë studim, pjesën më të madhe të të cilit e kam shkruar shtatë vjet më parë, unë bëj një retrospektivë historike të kësaj historie. Ky nuk është një debat i lindur papritmas. Projektet dhe idetë janë hedhur në tryezat e politikës e të diplomacisë shumë kohë më parë…


Tashmë edhe Beogradi është bindur se Kosova nuk do të jetë më nën Serbinë, dhe veprimet e shumta që kanë ndërmarrë politikanët serbë, rrahin larg e kanë synime e qëllime të përcaktuara qartë, e që nuk lidhen vetëm me ndarjen e asaj pjese të Kosovës që jeton e shkëputur prej saj. Ata nuk i shqetëson kjo pjesë e Kosovës, që ka marrë emrin Veriu i Kosovës, të cilën serbët, nga v.2002, e kanë ndarë me “vijë të verdhë”, megjithëse de jure është pjesë e Kosovës, por de facto jeton si pjesë e Serbisë, mbasi, siç thotë edhe eksperti amerikan për Ballkanin, D. Server “Në Veriun e Kosovës nuk ka struktura paralele, por ka vetëm institucione serbe”.

Ka vite që problemi i ndarjes se Kosovës, është bërë objekt diskutimesh e propozimesh nga më të ndryshmet, për të cilin janë shprehur presidentë e kryeministra, ministra të jashtëm e të mbrojtjes, politikanë e politologë, analistë e gazetarë të shumë vendeve, që nga ShBA, Anglia, Rusia, Gjermania, Franca, Italia etj. e ku janë dhënë mendime nga më të ndryshmet, pro dhe kundra, e në mjaft raste të dykuptimta e të paqarta…

Ideja për ndarjen e Kosovës është e vjetër, dhe ka lindur dekada më parë (sipas disa studiuesve, ka dokumente se në Beograd me këtë problem janë marrë që në fund të viteve 60-të) në atë kohë kur disa politikanë largpamës parashikonin se Jugosllavia mund të shpërbehej…

Po të shkojmë më thellë në histori, që në kohën e Perandorisë Osmane, Kosova është ndarë disa herë, por, në çdo rast brenda vilajeteve shqiptare. Fuqitë e Mëdha dhe Serbia (Jugosllavia) e kanë ndarë e copëtuar si kanë dashur Kosovën. Në Londër, në v. 1913, Fuqitë e Mëdha e ndanë Kosovën nga trungu natyral shqiptar, duke e lënë jashtë kufijve të Shqipërisë (ndarja më tragjike), por Malësinë e Gjakovës (Tropojën) e ndan nga Kosova dhe ia lanë Shqipërisë. Gjatë Luftës Dytë Botërore, kur Gjermania Naziste dhe Italinë Fashiste krijuan të ashtuquajturën “Shqipëri Etnike” (megjithëse të cunguar) veriun e Mitrovicës e mbajti Gjermania për vete. Mbas Luftës së Dytë Botërore, Beogradi e ndau dhe e bashkoi sa herë deshi dhe si deshi Kosovën, në vartësi me interesat e momentit, ashtu siç bëri me të gjitha tokat shqiptare dhe popullsinë shqiptare të ish Jugosllavisë.

Kur punët po shkonin keq në Jugosllavi, dhe lëvizjet në republika të ndryshme për shkëputje nga Serbia po ktheheshin në lëvizje popullore, në Beograd filluan të hidhen ide e të bëhen projekte për ndarjen e Kosovës, me qellim që ai të mbante sa me shumë për vete.

Si ideator për ndarjen e Kosovës, autorë të ndryshëm reklamojnë “babain e kombit” serb, akademikun Dobrica Qosiç, (president i Jugosllavisë në vitet 1992-1993). Që në vitet ’80-të, ai në biseda private, për t’iu shmangur termit “ndarje” të Kosovës, përdorte fjalën “kufizim” me shqiptarët. Në “Shënime pune” të vitit 1991 ai shkruante: “Rishikimi i kufijve është i pashmangshëm, demokratik dhe shpëtimtar për popujt jugosllavë dhe të Europës”, ndërsa në v. 1993 shkruante “bashkimi i popullit shqiptar është historikisht i pashmangshëm”, prandaj ai propozonte “rikompozimin e të gjithë hapësirës jugosllave dhe ballkanike mbi bazën e “vetëvendosjes së popujve” (parullë e përdorur gjerësisht nga Tito e shokët e tij që para Luftës së Dytë Botërore).

Në ato vite, edhe jashtë Jugosllavisë, janë paraqitur projekte e propozime për ndarjen e Kosovës. Ndërmjet të tjerash, përmendim atë të botuar në revistën gjeopolitike italiane “Limes”, (shoqëruar edhe me harta) sipas të cilit, Serbisë duhej t’i jepej gjithë rajoni i Trepçës, Fushë Kosova etj. dhe kufiri duhej të kalonte diku në periferi të Prishtinës. Qyteti i Pejës së bashku me Patriarkanën e Pejës, si dhe manastiret e Deçanit dhe Graçanicës duhej t’i jepeshin Malit të Zi.

Sipas një propozimi të B.Krstiçit, ato rajone që nuk do të mund të kontrolloheshin nga ushtria dhe policia serbe, do të merrnin një status të posaçëm, nën kontrollin e paqeruajtësve, ndërsa pjesët e tjera do t’i jepeshin Serbisë (tërheq vëmendjen fakti se Kryeministri i ardhshëm i Serbisë, Koshtunica shprehej pro këtij projekti). Një projekt tjetër është ai i paraqitur nga M. Radovanoviçi, sipas të cilit 40% e territorit të Kosovës do i jepej Serbisë, ndërsa pjesa tjetër, do të kishte një autonomi të zgjeruar, por, pa të drejtë shkëputje.

Mbas Dejtonit, pra mbas v.1996, diskutimet për ndarje trajtoheshin më shumë në rrafshin demografik, dhe kryesisht, në nivel akademik. Akademiku A. Despiç, shkruante se “mbas 30 vjetësh në Serbi do të kemi dy popuj, me popullsi pothuajse të barabartë, me dy gjuhë krejtësisht të ndryshme” etj. Ai bënte thirrje për “të filluar bisedimet me ata që insistojnë për shkëputjen e Kosovës, për një shkëputje të civilizuar” gjë që u prit shumë keq nga shumica e drejtuesve të partive serbe të asaj kohe (Millosheviçi, Drashkoviçi, Shesheli, Arkani, Koshtunica etj).

Tërheq vëmendjen një projekt i botuar në v.1998 përsëri në revistën italiane”Limes” (si shpesh janë marrë disa qarqe italiane me këto probleme) për kantonizimin e Kosovës. Sipas tij, në qytete, do të krijohej një administratë e përbashkët serbo-shqiptare, ndërsa në kantone do të përfshiheshin krahinat fshatare me shumicë popullsi serbe, ku duhej të përfshiheshin dhe të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse, të cilave do t’u ktheheshin tokat që kishin pas deri në Luftën e Dytë Botërore. Një projekt të ngjashëm ka përpunuar në atë kohë dhe Kisha Ortodokse serbe, të cilin ia kishte paraqitur Ministrive të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë. Ministrat e jashtëm të këtyre vendeve, Vedrin dhe Fisher e hodhën poshtë një propozim të tillë, mbasi, sipas tyre ai “ishte në kundërshtim me qëllimin e komunitetit ndërkombëtar, për krijimin e një Kosove etnike”. Të njëjtin qëndrim në atë kohë mbajti dhe Departamenti i Shtetit i ShBA. Tërheqë vëmendjen termi “Kosovë etnike” i përdorur në atë kohë prej tyre, e që filloi të zinte vend në fjalorin politik ndërkombëtar…

Ideja e ndarjes së Kosovës mbështetej edhe nga disa politikanë e ekspertë perëndimorë (në atë kohë u hodh edhe ideja për ndarjen e Kosovës midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë) Ndërmjet tjerëve, kjo ide mbështetej edhe nga ish ambasadori i ShBA në Jugosllavi në vitet 1989-1992 U. Cimerman, i cili, megjithëse mbështeste ndarjen, shprehej se ndarja, sipas propozimit serb është e papranueshme sepse “shqiptarët duhet të marrin pjesën më të madhe të territorit, ndërsa serbët, territorin në të cilin ndodhen një pjesë e manastireve të mesjetës”. Siç propozonte ai, pjesa shqiptare duhej të ishte e pavarur, ose të bashkohej me Shqipërinë.

Edhe më radikal ka qenë në atë periudhë Lordi D. Ouen (përfaqësues i BE për Ballkanin në vitet 1992-1995) i cili në fund të v.1998, shprehej se nëpërmjet ndryshimit të kufijve në Ballkan, mund të arrihet stabilizimi i Bosnjës dhe të shmanget lufta në Kosovë. Në mbështetje të kësaj ideje, kryeredaktori i “The Neë York Times”, T. Fridman shkruante se kushti për t’u tërhequr trupat amerikane dhe të NATO-s nga Ballkani “është që shumica e popullsisë të jetojë aty ku dëshiron”.

Në vitin 1998, kur komuniteti ndërkombëtar filloi të angazhohej seriozisht për zgjidhjen e problemit të Kosovës, edhe në Rusi filluan të flasin për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Megjithëse jo zyrtarisht, personalitete të ndryshme iu qasën kësaj teme. Kështu në shtator të atij viti, J. Moskovskij, bashkëpunëtor me peshë i Akademisë së Shërbimeve Shtetërore pranë Presidentit Jelcin, doli publikisht (në dukje, në kundërshtim me politikën zyrtare të Moskës) në mbështetje të shkëputjes dhe pavarësisë së Kosovës, por me kusht që një pjesë e territorit të Kosovës t’i jepet Serbisë, në mënyrë që serbëve t’u jepet mundësia “të ruajnë territoret që banohen kompaktësisht nga serbë etnikë, që nuk duan të bashkohen me shqiptarët”. N/kryetari i Dumës Shtetërore (Parlamenti rus) Baburin (specialist i njohur dhe i angazhuar me problemet e kufijve të Jugosllavisë) gjatë një bisede në shtator të v. 1998 ( kur punoja si ambasador i Shqipërisë në Moskë) më ka thënë se “herët a vonë, Kosova do të shkëputet nga Serbia, por një pjesë e saj do t’i mbetet Serbisë”.

Ndaj këtyre propozimeve, në atë kohë reaguan edhe shqiptarët. Lideri e asaj kohe i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, foli mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, por hodhi poshtë variantet e propozuara nga serbët, mbasi siç shprehej ai, sipas këtyre varianteve “jashtë Kosove mbeten 1 milion shqiptarë”. Sipas tij, në rast ndarje, serbët mund të llogarisin të marrin komunën e krijuar rishtazi të Zubin-Potokut, si dhe disa zona tjera në veri të Kosovës, të përfshira administrativisht brenda Kosovës mbas Luftës së Dytë Botërore, por “me kusht që brenda Kosovës të përfshihen krahinat me shumicë popullsie shqiptare që ndodhen brenda Serbisë e konkretisht Presheva, Bujanovci, e Medvegja”. Rugova insistonte që brenda Kosovës të përfshihej pjesa veriore e Mitrovicës.

Gjatë kohës se Luftës për Kosovën, në pranverë të v.1999, kur problemi i të ardhmes së Kosovës diskutohej në shumë takime e tavolina, madje edhe të nivelit më të lartë, ndërmjet tjerave, në rast pavarësie për Kosovën, ndarja e saj, ishte një ndër variantet e mundshme që ish hedhur për diskutim. Në atë kohë, në Moskë (që ishte mbështetësja kryesore e Beogradit) analistë e politologë rusë me peshë, herë pas here dilnin me idenë për ndarjen e Kosovës, Madje ne trupin diplomatik të asaj kohe ishte krijuar bindja se sido që të vijë puna, edhe mbas shumë vitesh, Serbia nuk do e lëshojë të gjithë Kosovën. Disa materiale e kujtime të aktorëve të rëndësishëm të asaj periudhe, të botuara kohët e fundit, vërtetojnë se ata kanë pas të drejtë.

Ata që kanë ndjekur zhvillimet lidhur me Kosovën në atë kohë, kujtojnë përpjekjet, mosmarrëveshjet e përplasjet e Rusisë me NATO-n e ShBA, e cila, dërgimin e pjesëmarrjen e trupave paqeruajtëse ruse në Kosovë e kushtëzonte me dhënien asaj të një zone apo sektori të veçantë, në veri të Kosovës, ku serbët janë shumicë, mbasi, siç shprehej presidenti i ardhshëm i Rusisë V. Putin “serbët kanë besim vetëm tek rusët”. Pavarësisht se Rusisë nuk iu dha zonë e veçantë në veri dhe paqeruajtësit rusë u dislokuan brenda sektorëve të ShBA, Gjermanisë dhe Francës, ndërkombëtarët, e ndanë Kosovën, vunë kufirin tek ura e Ibrit në Mitrovicë, dhe nuk lejuan që UÇK-ja të kalonte matanë urës, duke e ndarë realisht Kosovën, dhe duke venë në jetë një nder variantet serbe për ndarjen e saj. Atëherë lindi dhe emërtimi “Veriu i Kosovës”, emërtim i ri, në dukje gjeografik, por në thelb me përmbajtje politiko- administrativo-territoriale…

Pavarësisht se ç’kanë thënë e ç’thonë politikanë amerikanë e europianë, ndarja e Kosovës është bërë me qëllime të caktuara nga ndërkombëtarët që në qershor të v.1999, atëherë kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë, dhe nuk e kaluan urën e Ibrit, duke mos lejuar as UÇK-në të hyjë as në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicas, qytet historikisht shqiptar, duke e lënë ketë pjesë të territorit të Kosovës në duar të ushtrisë e policisë jugosllave. Ndonjë politikan me peshë i asaj kohe, tani e pranon këtë “gabim”. Kështu Bernard Kushner në librin e tij “Luftëtarët e paqes” shkruan: “Forcat franceze zunë urën e Ibrit dhe nuk i ndoqën forcat serbe, disa prej të cilëve, vrasës e kriminelë mbanin në rripat e mesit skalpet dhe flokët e grave të vrara. Me urdhër të kujt ishin ndaluar forcat e UÇK-së tek ura e Ibrit? Kurrë nuk kam arritur ta mësoja saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik”.

Unë kam bindjen se nuk ka qenë “gabim i madh politik”, por një gjë e planifikuar mirë, deri në hollësi.

Mbas çlirimit të Kosovës, kur akoma nuk ishte vendosur për statusin e saj, vazhdonin diskutimet, hidheshin ide e bëheshin projekte për të ardhmen e saj. Në fillim të viteve 2000, mbas ardhjes në pushtet të Z. Xhinxhiçit, zëvendësi i tij, N. Çoviç, doli me propozimin për krijimin në Kosovë të dy etniteteve, serb dhe shqiptar, që në të vërtetë ishte përsëritje e disa ideve e propozimeve të vjetra. Kundërpërgjigja e disa veprimtarëve shqiptarë ishte e menjëhershme, se “kjo është prelud gjakderdhjeje”. Në v.2003 në intervistat, dhënë kanalit televiziv “BK” dhe gazetës “The Times”, Xhinxhiçi u shpreh për krijimin e një “minishteti kosovar” (që praktikisht do të thoshte ndarje e Kosovës), e që u prit me kritika të ashpra si brenda Serbisë ashtu dhe nga ndërkombëtarët.

Disa nga politikanët serbë që e kuptonin realitetin, dhe shihnin se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme, filluan të flisnin haptazi se duhet “shpëtuar çfarë mund të shpëtohet”, ku ata kishin parasysh marrjen e Veriut të Kosovës, domethënë territoret sipër lumin Ibër. Sipas “Shënimeve të Xhinxhiçit” nëse “Kosova shkon drejt pavarësisë, dhe ne nuk mund ta ndalojmë”, atëherë “ne do të kërkojmë: a- ndarjen territoriale b- garanci efektive territoriale për serbët e mbetur në pjesën shqiptare c- status të posaçëm për objektet e kultit”. Por edhe ky propozim i Xhinxhiçit do të thoshte që vërtetë mund të krijohej një minishtet kosovar, por mënyra e funksionimit të tij të ishte e tillë, që praktikisht, ai të varej nga Beogradi.

Që atëherë, disa politikanë serbë shpreheshin se “ndarja e Kosovës do të jetë zgjidhja e fundit”. Edhe mbas vrasjes së Xhinxhiçit, vazhduan diskutimet e propozimet për të ardhmen e Kosovës.

Në nëntor 2004, zv/kryeministri i Serbisë Llabus, propozoi organizimin e një konference ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e Kosovës, që sipas tij, duhej të ndahej në dy kantone, ku kantoni verior duhej të kufizohej me Serbinë dhe tjetri me Shqipërinë. Manastiret e monumentet kulturore e historike serbe, sipas tij, duhej të fitonin një status eksterritorial. Ai propozonte që në të dy kantonet të kishte forca të NATO-s.

Në nëntor 2005, gjatë vizitës në Moskë, presidenti serb Tadiç, në takimin me presidentin rus V. Putin u shpreh se një ndër rrugët për zgjidhjen e problemit të Kosovës mund të jetë “krijimi i dy etniteteve”.

Të gjitha këto ide e propozime, pavarësisht nga mënyrat si paraqiteshin, ishin përsëritje e propozimeve të mëparshme, e që kishin për qëllim ruajtjen e unitetit administrativ të serbëve të shpërndarë nëpër enklava, si dhe të monumenteve, që ata i quajnë të gjitha serbe, pra mbajtjen e Kosovës nën Serbinë.

Qëndrimi i ndërkombëtarëve në këtë periudhë ishte i ndryshëm. Kishte prej atyre që i kundërshtonin këto ide e propozime të Beogradit, por kishte dhe prej atyre që i mbështesnin, pra që ishin dakord për ndarjen e Kosovës. Kështu S. Mejer zv/shef i CIA-s për Ballkanin, shprehej se “ndryshimi i kufijve nuk ka qenë kurrë i pamundur për BE-në dhe OKB-në” dhe se ideja e ndarjes së Kosovës nuk duhet përjashtuar. Sipas tij “serbët mund të merrnin territoret në veri të Ibrit, me garanci që monumentet serbe të kultit të gëzojnë të drejtën e eksterritorialitetit”.

Pro ndarjes së Kosovës, në atë kohë, u shpreh dhe anëtari i Këshillit amerikan të Marrëdhënieve Ndërkombëtare C. Kapllan i cili tha se “Duke lëshuar Veriun e Kosovës, Prishtina do të lirohet nga përpjekjet e kota për rivendosjen e pushtetit mbi territorin që do të ruajë marrëdhëniet me Beogradin”. Po kështu u shpreh dhe ish ambasadori i RF Gjermane H.Ajf.

Gjatë v.2006, në medien serbe dominonte mendimi, se e “vetmja rrugë në situatën e krijuar ishte ndarja e Kosovës”, ndërsa gjatë vitit 2007 shihet një qëndrim tjetër. Politikanët me peshë, nuk përsërisnin idenë e ndarjes së Kosovës, por atë të decentralizimit të pushtetit, që praktikisht do të thoshte që Kosova të mbetej në përbërje të Serbisë.

Por në ndryshim me Beogradin, gjatë këtij viti, nga ndërkombëtarët dëgjoheshin zëra mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, si minimum shkëputjen e Veriut të Kosovës. Tërhiqte vëmendjen në atë kohë qëndrimi i Moskës, ku filloi të flitej gjithnjë e më shpesh për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Madje, një prej kundërshtarëve më të ashpër të pavarësisë së Kosovës dhe ndarjes së saj, ish-Kryeministri i Rusisë, E. Primakov doli zyrtarisht me propozimin për ndarjen e Kosovës, si “varianti më i mirë ndër të këqijtë” ku shprehej pothuajse i sigurt se “Beogradi do ta pranonte një variant të tillë”, por vinte në dyshim qëndrimin e Prishtinës dhe të amerikanëve. Në atë periudhë, edhe përfaqësuesi i Treshes ndërmjetësuese të BE-së për Kosovën, ambasadori V. Ishinger, doli me propozim për ndarjen e Kosovës, por “në se do të ishin dakord Beogradi dhe Prishtina”.

Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, qëndrimi zyrtar i ShBA dhe BE-së ndryshoi. Ata filluan të shpreheshin më qartë kundër ndarjes së Kosovës. Kështu, me 29 shkurt 2008, përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit N. Berns deklaroi se ShBA “shprehen kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës”, Ministri i Jashtëm gjerman V.Shtajmajer deklaroi se “Misioni i OKB-së duhet të shtrihet në të gjithë Kosovën”. Ndërsa me 7 tetor 2010 sekretari amerikan i Mbrojtjes R.Gejts deklaroi se: “Unë nuk mendoj se ndarja e Kosovës nuk do të jetë zgjidhje, as tani, as në të ardhmen”, çka u komentua si një zbutje e qëndrimit amerikan.

Por pavarësisht nga këto, Beogradi vazhdoi të thellonte masat që e përfshinin gjithnjë edhe më shumë Veriun e Kosovës brenda Serbisë, madje duke iu kundërvënë haptazi ndërkombëtarëve, siç ishin lidhja hekurudhore e Veriut të Kosovës me Serbinë, mbështetja e organeve serbe të drejtësisë në Mitrovicë apo insistimi për ndarjen e pushtetit midis misionit të OKB-së dhe Serbisë në veri në lumit Ibër etj.

Krahas këtyre, udhëheqës të lartë të Serbisë rifilluan të flisnin zyrtarisht për ndarjen e Kosovës. Kështu në fund të shtatorit 2008, presidenti Tadiç, në një intervistë dhënë televizionit serb tha se: “Unë jam gati të mendoj për ndarjen e Kosovës, në se të gjitha variantet e tjerë, dhe ata janë të shumtë, janë të pamundur. Ka akoma mjaft rrugë të tjera për zgjidhjen e këtij problemi në formatin e autonomisë së gjerë, por në qoftë nuk arrihet asgjë, atëherë mund të shohim edhe këtë variant”.


A do i kthehet veriu i Mitrovicës Kosovës?

Më vonë, sidomos gjatë v.2010, zërat për ndarjen e Kosovës u shtuan si në Serbi ashtu edhe jashtë, madje edhe në ShBA. Kështu, në fillim të v.2010 qarkulluan zëra mbi mundësinë e organizimit në Uashington të një Konference të llojit të Dejtonit, ku do të trajtohej mundësia e ndarje së Kosovës, ku në këmbim të Veriut të Kosovës, ajo do të merrte Luginën e Preshevës (ndoshta i vetmi rast që është folur nga ndërkombëtaret për këtë variant). Në këtë periudhë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, J.Krasniqi deklaroi se “Në qoftë se disa serbë nuk janë dakord të jetojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe mendojnë se mund të shkëputen, atëherë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës janë gati të bashkohen me Kosovën”. Kjo deklaratë pati një reaksion të madh në Beograd, i cili nëpërmjet O.Ivanoviçit u përgjigj se “Serbia nuk do të këmbejë rajonet e veta. Për ne, koncepti i ndarjes territoriale apo i këmbimeve nuk është aktual”. Sipas radios Europa e Lirë, në ketë periudhë edhe në ShBA, personalitete të larta filluan të shprehen për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Por më shumë për këtë flitej në disa kryeqytete të Europës, aq sa në maj të vitit të kaluar, diplomati amerikan Hooper deklaroi se “Disa kryeqytete të Europës do e mirëprisnin ndarjen e Kosovës, sepse janë më shumë të përqendruar në marrëdhëniet e tyre me Serbinë dhe Kosovën e konsiderojnë si një çështje e vogël”.

Aq shumë u shtuan zërat mbi mundësinë e ndarjes së Kosovës, sa në një intervistë dhenë RTK-së në qershor 2010, Ahtisari u detyrua të deklaronte se “Plani i përgatitur është ber për gjithë territorin e Kosovës e jo për ndarje”.

Mbas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare mbi pavarësinë e Kosovës, zv/presidenti amerikan Xh.Bajden i telefonoi Tadiçit dhe i tha se “Uashingtoni mbështet plotësisht Kosovën demokratike dhe shumëkombëshe” ku theksoi qëndrimin e palëkundur të ShBA për “pavarësinë e Kosovës dhe tërësinë territoriale të saj”. Por, po ato ditë, disa analistë nga Uashingtoni njoftonin se ShBA mund të hapin dritën jeshile për bisedime lidhur me dhënien e autonomisë Veriut të Kosovës.

Krahas ndarjes së Kosovës kanë qarkulluar edhe ide të tjera, siç është ajo e shpalljes së pavarësisë së Veriut të Kosovës, që është përmendur në Moskë, dhe ndonjëherë edhe në Beograd. Ka qarkulluar edhe ideja për dhënien e autonomisë Veriut të Kosovës, një ide që përmendej jo radhë nga ndërkombëtarët. Kështu sipas një përfaqësuesi të lartë të diplomacisë amerikane “Në shekullin e XXI, BE-ja është e hapur për autonomi dhe statuse të posaçme në disa rajone, në kuadrin e shteteve të pavarura”. Ndërsa n/kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug lindore, H.Svoboda u deklarua haptazi për autonominë e Veriut të Kosovës, kurse ambasadori francez në Prishtinë, Zh.Fitu propozonte “autonomi të fortë”

Në Europë kanë qarkulluar edhe mendime e propozime për dhënien Veriut të Kosovës të një “statusi të posaçëm”, të ngjashëm me atë Tirolit Jugor në Itali.

Shumë kuptimplote ishte deklarata e përfaqësuesit të Kombeve të Bashkuara për Veriun e Kosovës G.Galuci, i cili mbas vendimit te Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës u shpreh: “Veriu i Kosovës mund te mbetet pjesë e Kosovës legalisht dhe formalisht nën rezolutën e OKB-së. Por do të funksionojë si pjesë e qeverisjes lokale të Serbisë. Kjo është në fakt situata aktuale”. Hajde e merre vesh se për ç’lloj statusi fliste ai!

Siç e thamë më sipër, pavarësisht se çfarë thuhet (fatkeqësisht thuhen shumë), ndërkombëtarët, në çfarëdo statusi qofshin në Kosovë, si përfaqësues të OKB-së, KFOR-it, EULEX-it apo UNMIK-ut, te gjithë, në një formë apo tjetrën, që nga v.1999, kur vunë kufirin tek ura e Ibrit, e pranojnë se ata nuk kanë autoritet në Veriun e Kosovës. Aq të pafuqishëm janë, sa vitin e kaluar nuk ishin në gjendje të ndalonin Koshtunicën të hynte në Kosovë për fushatë, për zgjedhjet në Serbi (madje i armatosur). Kështu thonë ata, se nuk kanë forcë….Ose, megjithëse ka mbi një vit që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare kanë hartuar një strategji për integrimin e Veriut të Kosovës, deri tani nuk është bere asgjë, dhe siç u shpreh para pak kohesh Beogradi, nëpërmjet O.Ivanoviçit “kjo është një letër e vdekur”.

Edhe më agresiv ishte ministri i Jashtëm i Serbisë V.Jeremiç, i cili, në janar të këtij viti deklaroi se “çdo lëvizje për të marrë nën kontroll Veriun e Kosovës të dominuar nga serbët do të jetë fatale për procesin e paqes… Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, procesi i paqes mund të dëmtohet në mënyre dramatike, madje, ndoshta përfundimisht”.

Pa u zgjatur me shumë shembuj të tjerë, mund të thuhet pa frikë se Beogradi e konsideron problemin e Veriut të Kosovës si problem të vetin, si një kartë të fortë e si mjet presioni, që po e përdorë e do ta përdori derisa të arrijë qëllimet e veta.

Dhe të gjitha këto sepse në Beograd janë të bindur se kanë me vete një pjesë të ndërkombëtareve, të cilët pavarësisht se ç’thonë, janë dakord me kërkesat e tij. Prandaj kohët e fundit janë shtuar presionet, dhe po përsëriten propozimet për ndarjen e Kosovës, për të arritur deri tek provokacioni i hapur i ditëve të fundit i Tadiçit.

Në ketë frymë, mjaft interesante duket deklarata e Kryeministrit të Republikës Serbe të Bosnjë Hercegovinës, M.Dodik i cili në fillim të janarit, në një intervistë dhënë gazetës malazeze “Danas” deklaronte: “Po të isha unë në vend të udhëheqësve shqiptarë, për hir të paqes se qëndrueshme dhe vendosjes së kufijve, do të sakrifikoja Veriun e Kosovës” dhe me poshtë “Unë e di se Kisha dhe shumë njerëz në Serbi mendojnë ndryshe, por Serbia nuk mund ti lejojë vetes të mbetet skllave e miteve edhe 50 vjet të tjera. Miti për Kosovën i ka mbajtur serbët me shekuj të varur nga vetëdija politike… Për këtë mënyrë zgjidhje të problemit të Kosovës akoma nuk flet askush. Tani mbizotërojnë emocione dhe parulla të llojit “nuk e japim Kosovën, ndërsa Kosova nuk është e jona”.

Ato ditë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen, deklaroi se “Ndarja e Kosovës nuk është variant. Kjo duhet të jetë e qartë”

Pavarësisht se ç’thonë disa ndërkombëtarë, apo disa të ashtuquajtur politikanë në Prishtinë e Tiranë, praktikisht Veriu i Kosovës që nga v. 1999, megjithëse juridikisht është pjesë e Kosovës, aty sundojnë ligjet e Serbisë, përdoren simbolet serbe, aty drejtojnë organe lokale serbe te dala nga zgjedhjet e Serbisë, aty mësohet me programe të shkollave serbe dhe mësuesit paguhen nga Beogradi, aty gjithçka është serbe që financohet e kontrollohet nga Beogradi. Mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Veriu u Kosovës është ber edhe më i pavarur nga Prishtina. Dhe jo vetëm nga Prishtina, por atje nuk pyesin as për ndërkombëtarët. Kështu p.sh ata mbasi kanë ndërprerë të gjitha kontaktet me EULEX-in, në fund të muajit mars, paralajmëruan se nuk do të bashkëpunojnë as me KFOR-in, as me Agjencinë e ShBA. Ky është realiteti.

Siç thamë më sipër, Veriu i Kosovës, si emërtim ka lindur vetëm mbas luftës për Kosovën, mbasi ndërkombëtarët e vunë kufirin tek ura e Ibrit. Ai përbehet nga komunat e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Në kuadrin e planeve që kanë bere disa ndërkombëtarë në bashkëpunim me Beogradin (disa thonë edhe me Moskën), në përbërje të Veriut të Kosovës, përfshihet edhe veriu i Mitrovicës, dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1100-1200 km katrorë, ose rreth 10-11 e sipërfaqes se Kosovës (institucione e autorë të ndryshëm japin të dhëna të ndryshme, por të përafërta)

Për shumë arsye e sidomos për pasuritë që gjenden në nëntokën e Mitrovicës, që herët kjo zonë ka zgjuar lakmitë e shumëkujt. Historikisht ajo ka qenë pjesë e Kosovës, me shumicë popullsie shqiptare. Në periudhën e Perandorisë Osmane, në të gjitha kohërat ajo ka qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës. Kongresi i Berlinit ja dha Serbisë këtë pjesë të Kosovës, ndërsa Konferenca e Londrës, siç dihet, ja dha krejt Kosovën Serbisë. Në periudhën e Jugosllavisë së para Luftës Dytë Botërore, administrativisht atë e kalonin nga një banovinë (ndarje administrative në Jugosllavinë e para Luftës Dytë Botërore) në tjetrën. Gjatë Luftës Dytë Botërore, Gjermania nuk ja dha Italisë (Shqipërisë së cunguar Etnike) këto rajone, por i mbajti për vete.

Mbas Luftës Dytë Botërore, në kuadrin e politikës antishqiptare e “rregullimit” të kufijve, për të ndryshuar raportet e kryesorja, për të ulur numrin e popullsisë shqiptare në Kosovë, Beogradi përfshiu brenda saj rajonet me shumicë popullsie serbe, që nuk kanë qenë pjesë e Kosovës (Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok), ndërsa rajonet e Luginës së Preshevës, që historikisht kanë qenë pjesë e Kosovës (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë) me shumicë popullsi shqiptare i shkëputi nga Kosova dhe i përfshiu në përbërje të Republikës së Serbisë. Theksojmë se veriu i Mitrovicës edhe para bashkimit të këtyre tri komunave me Kosovës, ka qenë pjesë e Kosovës.

Sipas regjistrimit zyrtar të v.1991 (i bojkotuar nga shqiptarët), dhe i shpallur zyrtarisht nga Beogradi, në këto rajone, pra në Veriun e Kosovës (pa veriun e Mitrovicës, sepse në regjistrimet zyrtare që ka ber Beogradi, kjo pjesë e Kosovës nuk përfshihej në veriun e Kosovës, çka vërteton se ajo ka qenë pjesë e Kosovës) kanë jetuar gjithsej 35 mijë vetë, nga të cilët 84.9 për qind serbë, 11.1 për qind shqiptarë dhe 3.9 për qind të tjerë. Sipas të dhënave të OSBE-së të v.2006, aty jetonin rreth 46 mijë vetë (në ketë shifër përfshihen edhe serbë të ardhur nga rajone tjera të Kosovës).

Mitrovica historikisht ka qenë shqiptare, pavarësisht se me zhvillimin e industrisë minerale e ngritjen e industrisë përpunuese, elementi serb ka ardhur gjithnjë në rritje. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse personeli inxhinjero-teknik e drejtues i gjithë asaj industrie ka qenë në shumicë serb. Megjithatë, shqiptarët përbenin shumicën . Në v.1999, ndërkombëtaret, duke venë kufirin mbi lumin Iber, praktikisht ndan edhe qytetin e Mitrovicës, duke e lëne pjesën veriore të qytetit në dorë të ushtrisë dhe policisë jugosllave. Edhe aty, si në komunat me shumicë popullsie serbe të Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, vazhdoi të funksiononte pushteti i Beogradit. Njëlloj si në kohen e Millosheviçit, në këto rajone vazhdoi persekutimi e dhuna ndaj shqiptarëve, aq sa në shkurt të v.2000, në sytë e forcave të KFOR-it, u dëbuan nga Mitrovica e veriut, pra nga shtëpitë e tyre, 1564 familje shqiptare ose 11364 shqiptarë. Shifrat nuk kanë nevoje për komente…..Aty gjithçka flet serbisht, madje edhe vizita e para pak ditëve e presidentit të porsazgjedhur B.Pacolli në veri të Mitrovicës u komentua si një ngjarje e jashtëzakonshme, sepse siç u shpreh para pak ditësh Kongresmeni amerikan Engell, “Serbia mban të pushtuar veriun e Mitrovicës”

Siç thamë me sipër, qe në fillim të viteve 90-të, Ibrahim Rugova, kishte pranuar ndarjen e Kosovës, por me kusht që brenda Kosovës të përfshiheshin veriu i Mitrovicës (si pjesë e pandashme e Kosovës) dhe Lugina e Preshevës (që mbas Luftës Dytë Botërore ishte shkëputur nga Kosova dhe i ishte dhenë Serbisë). Lugina e Preshevës ose Kosova Lindore përfshin komunat e Preshevës, Medvegjes, Bujanovcit dhe zë afërsisht 1200 km katrore dhe ka një popullsi prej rreth 110 mije banorë, në shumicë shqiptarë. Historikisht Lugina e Preshevës ka qenë shqiptare dhe në të gjitha ndarjet administrative të Perandorisë Osmane ajo përfshihej në vilajetet shqiptare. Vetëm mbas Luftës Dytë Botërore, në kuadrin e masave antishqiptare, Beogradi e shkëputi administrativisht nga Kosova dhe e bashkoi me Serbinë.

Pavarësisht nga masat e Beogradit, shqiptarët e Luginës Preshevës kanë dashur e duan të bashkohen me Kosovën (edhe një anketim i bere ditët e fundit me 1028 banorë të këtyre komunave tregoi se shqiptarët e këtyre komunave duan bashkim me Kosovën).

Në qoftë se serbët e Veriut të Kosovës kanë një sistem juridiko-politik të pavarur nga Prishtina, shqiptarët e luginës së Preshevës kanë një sistem të integruar plotësisht brenda atij të Serbisë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës në v.1992 kanë zhvilluar referendum, ku kanë votuar për autonomi (deri në të drejtë ndarje e bashkim me Kosovën), serbët e Veriut të Kosovës, pa referendum, kanë krijuar një institucion kompakt “Kuvendi i serbëve të Kosmetit”, që vepron i lidhur e nën komandën e Beogradit. Dhe së fundi, në qoftë se problemi i serbëve të Veriut të Kosovës është ndërkombëtarizuar, ajo e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me ndonjë përjashtim, nuk ka asnjë ngacmim ndërkombëtar, asnjë angazhim e madje asnjë dokument zyrtar ndërkombëtar. Megjithatë ai ekziston dhe në çdo moment mund të shpërthejë, siç shpërtheu mbas luftës së Kosovës të v.1999… Sigurisht që gjithçka do të varet nga zhvillimi i ngjarjeve në të ardhmen…Por sido që të vijë puna, në qoftë se Veriu i Kosovës do të ketë një lloj statusi të veçantë, të njëjtën gjë duhet të kërkojnë Prishtina, Tirana dhe të gjithë shqiptarët për Kosovën Lindore, e në qoftë se do të jetë e domosdoshme, deri në këmbim territoresh…

Duke gjykuar nga zhvillimet e gjithë këtyre viteve, mund të arrihet në përfundimin se Beogradit i intereson ruajtja e kësaj gjendje. Ai nuk e do bashkimin e Veriut të Kosovës me Serbinë, sepse në qoftë se ai do të shpallte bashkimin me Serbinë (zyrtarisht, sepse praktikisht ai është pjesë e Serbisë) atëherë Beogradit, do ti ikte një armë e fortë nga duart. Së dyti, dhe kryesorja, serbët e mbetur në enklava e të shpërndarë neper Kosovë, do të kërkonin të largoheshin nga Kosova, kështu që praktikisht Serbia nuk do të kishte më asnjë lidhje me Kosovën. Njëkohësisht, në qoftë se Veriu i Kosovës do bashkohej me Serbinë, ajo do të rrezikonte Luginën e Preshevës, që për nga pozicioni gjeostrategjik është një nder rajonet më të rëndësishme të Serbisë, sidomos për korridoret drejt Mesdheut…

Beogradit nuk i duhet ndarje territoriale, por vetëm ndarje funksionale siç i pëlqen shume politikanëve serbë ta quajnë, sepse, sipas llogarive të tyre, kështu ata do të mund të qëndrojnë në mos me të dyja, te paktën me një këmbë në Kosovë.

Në kohën kur ndërkombëtarët, kanë nxitur e organizuar bisedimet Beograd-Prishtinë, papritmas presidenti serb Tadiç doli me një “propozim” tejet interesant, tepër provokues, ndoshta më provokuesi dhe më i rrezikshmi i bërë nga Beogradi zyrtar vitet e fundit. Aq i rrezikshëm iu duk V.Petriçit (diplomat i njohur) ky propozim, sa u shpreh se “Deklarata e Tadiçit për ndarjen e Kosovës me Tiranën është një provokim për luftë në Ballkan”.

Sigurisht që një deklaratë e tillë ishte e menduar mirë, dhe e ber, sipas llogarive të Beogradit, në kohën e duhur. Ai hodhi si të thuash Tiranës “dorashkën”, duke provokuar gjithë kombin shqiptar, pavarësisht ku jeton ai.

Ai duke propozuar zgjidhjen e problemeve me Tiranën, përjashtoi Prishtinën zyrtare e shqiptarët e Kosovës. Ai u përpoq të falsifikoi historinë kur u përpoq të barazojë fajet e borxhet që i ka Serbia shqiptarëve, me ato, që sipas tij, i paskan edhe shqiptarët serbëve e Serbisë. Z. Tadiç nuk besoj se është aq i paditur në histori sa të mos dijë se nuk janë shqiptarët ata që kanë shkuar në tokat serbe, por ka ndodhë e kundërta. Nuk janë shqiptarët që kanë përzënë serbët, por e kundërta. Në qoftë se sot në Turqi jetojnë 2-3 milionë shqiptarë, shumica e tyre janë nga ata ose pasardhësit atyre që janë përzënë nga Jugosllavia, madje edhe ne atë kohë kur ne i pranonim sllavët, qoftë malazezë, qoftë boshnjakë në tokat tona dhe ndanim bukën e misrit me ta… Tadiçi besoj e di se edhe Maqedonia Perëndimore ose Shqipëria Lindore, është shkëputur nga trungu shqiptar vetëm nga pushtimi serb gjatë Luftës Parë Ballkanike. Edhe Lugina e Preshevës, që sot është në përbërje të Serbisë, është shqiptare. Shqiptarët nuk kanë marrë asnjë pëllëmbë toke të huaj, përkundrazi, të tjerët, e në radhë të parë serbët, kanë marrë prej nesh. Prandaj edhe pretendimi i Tadiçit, për konflikt midis serbëve dhe shqiptarëve, (madje 100 vjeçar), siç tha ai nuk ka asnjë bazë. Kurrë nuk ka pas konflikt shqiptaro-serb, por ka historikisht ka pas konflikt midis nacionalizmit serb dhe shqiptarëve, ku fatkeqësisht, i ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha, ka fituar nacionalizmi serb…..

Por Tadiçi nuk përmend një fakt interesant. Serbët (nacionalizmi serb, të paktën, që me Naçertanien e Garashaninit), kanë qenë në konflikte të vazhdueshme jo vetëm me shqiptarët. Historia e Ballkanit është e mbushur me konflikte që kanë pas serbët (nacionalizmi serb) me vëllezërit e tyre sllavë bullgarë (katër herë kanë luftuar Serbia e Bullgaria kundër njëra tjetrës), me kroatët, boshnjakët, e deri malazezët (të gjithë vëllezër të gjakut sllav), pa përmendur ato me hungarezët e grekët (kujtojmë se Beogradi donte të merrte mbas Luftës së Dytë krejt Maqedoninë e Egjeut, deri edhe Selanikun) apo me rumunët të cilëve donin tu merrnin Timoshoaren me të gjithë krahinat përreth. Nuk ka fqinj të Serbisë, me të cilët ajo të mos ketë pasur konflikte… E për këto nuk janë fajtorë shqiptarët.

Sigurisht lind pyetja se ku e merr ketë të drejtë e perse trimërohet kaq shumë Tadiçi tani, deri sa arrin në thënie të tilla? Sigurisht ka shumë faktorë, përfshijë edhe disa ndërkombëtarë…

Rëndësi për të ka faktori shqiptar, i cili sipas tij në këtë moment është në krizë, dhe ai kërkon të fusë pyka midis shqiptarëve. Tadiçi mendon se është momenti i përshtatshëm, sepse Kosova është në krizë, partitë shqiptare në Maqedoni janë në konflikt me njëra tjetrën, ndërsa situata në Shqipëri është ajo që dimë të gjithë. Ai mendon se Tirana zyrtare mund të bëjë lëshime për Beogradin, ashtu siç ka bërë për Athinën gjatë qeverisjes së Berishës. Përse të mos bëjë lëshime, mendon Tadiçi, kur Tirana zyrtare (me ish-President Sali Berishën) para pak vitesh furnizonte me karburant ushtrinë e Millosheviçit kur ajo ishte në luftë me fqinjët, e kur përgatitej për të “zgjidhur një herë e mirë problemin e shqiptarëve të Kosovës”, kur Tirana zyrtare jo vetëm u jep tokë grekëve për varreza apo për kisha greke (madje në qendër të Tiranës), por i fal edhe ujërat territoriale (njëlloj siç i falte Ahmet Zogu, Shën Naumin apo Vermoshin Beogradit), apo kur Beogradi na del edhe me pretendime për minoritet serb në Shqipëri (pretendime që nuk janë ngritur kurrë nga Beogradi, madje as në kohët e marrëdhënieve me të këqija në mes dy vendeve) e deri, siç po dëgjojmë këto ditë, edhe për varreza serbe (varreza serbe ka me shumicë, por janë të ushtrive pushtuese serbe që kanë lënë kockat në tokat shqiptare). E pushtetarët e Tiranës heshtin, e nuk japin as përgjigje.

Sigurisht që Tadiçi merr zemër edhe nga qëndrimi i një ministri shqiptar, i cili para pak ditësh, gjatë vizitës në Prishtinë, quante të bazuar në ligje arrestimin e luftëtarëve të UÇK-së, (sigurisht për të barazuar krimet e shqiptarëve me ato të serbëve) njëlloj si paraardhësi i tij që para disa kohësh, në Beograd, nga mangësitë në formim e kulturë historike e diplomatike (më e pakta që mund të thuhet për të) aprovonte ekzistencën e pakicave serbe në Shqipëri.

Dhe ç’është me e keqja, deri tani, askush nga Tirana zyrtare nuk i ka dhënë përgjigjen e duhur Tadiçit e shokëve te tij, sepse përgjigje të tilla si ajo që dha përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme (i qeverise demokratike), as ngrohin as ftohin, madje i japin zemër Beogradit…

Sido që të vijë puna, Beogradi, nuk duhet lejuar të provokojë, por duhet ta ketë të qartë se problemet që ka me Kosovën, për Veriun e Kosovës apo probleme të tjera, ai duhet dhe do ti zgjidhë vetëm me Prishtinën. Tirana mund e duhet të jetë vetëm ndihmëse e këshilltare, sigurisht një këshilltare e mirë dhe dinjitoze.


30-31 Gusht 2018