554 vjet më parë: Liria si testamenti i bashkimit
“Lirinë s’e solla unë, atë e gjeta midis jush” – Skënderbeu
Nga Moikom Zeqo
Të shikosh mbas 554 vjetësh një dukuri të mrekullueshme dhe jashtëzakonisht të mençur të historisë kombëtare të shqiptarëve, siç është tubimi i Kuvendit të Lezhës në 2 mars 1444, do të thotë të shikosh një nga thelbet më të mëdha të vitalitetit dhe të mbijetesës së kombit, për të kuptuar sërish, në mënyrë shumëdimensionale, të kaluarën si prapavijë të lavdishme dhe krenare për të ardhmen, pa asnjë frikë dhe kompleks nga “horroi vaqui” (“frika nga boshllëku”).
Shekulli XV është “shekulli i Skënderbeiadës” i Eposit të Lirisë.
Shekulli XV është shekulli i Shpatës, po edhe shekulli i Mendjes, emancipimit të vetëdijes.
Kuvendi i princërve dhe prijësve shqiptarë, me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun, në Lezhë, qe personifikimi i mendjes, e cila projektonte çerekshekullin e fitoreve të shpatës, kundër vërshimit të kuçedërshëm osman, nga më kobzinjtë në historinë e njerëzimit.
Kuvendi i Lezhës qe kryevepra konceptuale e shqiptarëve.
Pa Kuvendin e Lezhës Skënderbeu nuk do të qe kurrë ai, që u bë.
Në rrethimet apokaliptike të Krujës mbrohej pikërisht figura bashkuese dhe frymëzuese e Lezhës.
Nuk duhet harruar kurrë, se këto dy emra emërtonin tërë emrat e shqiptarëve, jo vetëm në shekullin XV, po edhe përtej këtij shekulli.
Kuvendi i Lezhës do të fitonte kështu atributet e simbolit vigan, të përsëritshëm në shekujt e së ardhmes, përherë diellandritës, përherë të pashuar e të panemitur kurrë.
Historianët, specialistët e Shqipërisë mesjetare kanë shkruar jo pak për Kuvendin e Lezhës, por një rivlerësim më i plotë, më i shumëanshëm, më zhbirues dhe sidomos në rrafshin krahasues ballkanik e europian është më se i domosdoshëm.
Vetëm kështu karakteri analitik, shpjegues i dijes historike bëhet sintezë, vijimësi sinkronike.
Mendoj, se Kuvendi i Lezhës duhet parë në substancë nga disa pika vështrimi.
1-Shqiptarët arritën te ideja e Kuvendit të Lezhës jo rastësisht.
Në shek. XII-XIII dokumentat flasin për Shtetin e Arbërit.
Një figurë e madhe historike e pandriçuar ende, për fat të keq, nga historianët, Dhimitri i Arbërit, në 1209, quhet nga Papa Inoçenti III si kryezot dhe “gjykatës i arbëreshëve” (“judex”).
Në një dokument, tepër të rëndësishëm, Dhimitri nënshkruan si i pari i 15 bujarëve të lartë arbëreshë, që i quan “njerëzit e mi” (“homines mei”).
Ky, është me sa dimë, akti i parë i një shteti kombëtar shqiptar, pra, i një bashkimi centrifugal, që synon mënjanimin politik të partikularitetit feudal.
Kjo parakupton një marrëveshje.
Më 21 shkurt 1272 shpallet, ndonëse, nën siglën anzhuinase, “Regnum Albaniae” (“Mbretëria Shqiptare”) që bashkon në një modus vivendi princërit dhe bujarët shqiptarë, emrat e të cilëve, në shekullin XIV stolisën stemat heraldike të principatave të pavarura shqiptare.
Si Shteti i Arbërit, si Regnum Albaniae përfaqësojnë njësi bashkimesh, pra, konvergjimesh, uniciteti, nën guaskat, që i mbështillnin, duke respektuar në thelb, një histori të brendshme, të vënë në reliev nga kontaktet e jashtme, pavarësisht nga siglat.
Të habit fakti, që një mendje e ndritur si Faik Konica, e ka kapur i pari këtë “kuptim të fshehur” të ngjarjeve domethënëse të historisë së jetës shtetërore të shqiptarëve të mesjetës.
Shembulli konician duhet t’i inkurajojë hulumtimet në këtë drejtim, që historiografia për gjysëm shekulli i ka bishtnuar.
2- Shekulli XIV afirmon partikularitetin e principatave shqiptare, duke mos arritur në konvergjime më të mëdha. Balshajt, Topiajt, Muzakajt, Buajt, Shpatajt, etj., duke forcuar autonomitë vetiake përgatitën, megjithatë, idenë e shtetit të ardhshëm shqiptar, të epokës së postprincipatave. Ata përfaqësojnë kostelacionin paraskënderbejan.
Sfidantë të tmerrshëm, rebelë, dinakë, luftëtarë të talentuar, ata u viktimizuan shpesh, pikërisht, nga mungesa e kodit të lidhjes midis tyre.
Pësimi i tyre u përsërit në histori edhe me rastin e mosmarrëveshjeve të Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatllinjve, shekuj më vonë, duke krijuar mitin e përçarjes së shqiptarëve.
Megjithatë e kemi një bashkim shqiptar, nën Balshajt, që e dëshmonte edhe mbishkrimi i Epitafit si mbiquajtur si i Gllavincës, në 1373, që nënvizonte kohën e zotërve “të gjithë Shqipërisë” që siç e ka analizuar Fan Noli zgjati deri në vitin 1379.
Bëhet fjalë për hapësirat etnike të shqiptarëve, dhe sipas fjalëve të Nolit “u ngjall një perandori iliriane, e cila ishte të paktën pesë herë më e madhe se sa Shqipëria e Konferencës së Londrës më 1913”.
Shteti efemer,por i madh i Balshajve nuk pati jetë të gjatë.
Po dukuritë e principatizmit shqiptar do të zhdukeshin përballë rrezikut të pushtimit osman, që depërtoi në Ballkan.
Disfata e koalicionit ndërballkanik, ku shqiptarët morën pjesë, në Betejën e Fushë Kosovës, në 1389, vuri në territoret shqiptare alternativën e rëndë e tragjike të pushtimit të huaj aziatik.
Kryengritjet e Gjergj Arianitit dhe të Gjon Kastriotit u përshëndetën nga Europa e shqetësuar dhe përgatitën epokën skënderbejane, bazuar në idenë e anticipuar të bashkimit.
3- Në planin e brendshëm Kuvendi i Lezhës qe marrëveshja e madhe për t’u ngritur mbi partikularitetet, pra, shënon fundin e epokës së principatave.
Rreziku i luftës, interesat kombëtare dhe ekzistenciale të përbashkëta krijuan projektin e koncentrizmit të forcave.
Skënderbeu si “primus inter pares” u zgjodh Kapiteni i Përgjithshëm (“Capitaneus generalis”).
Princërit shqiptarë krijuan me të, atë raport, që kishte dhe Dhimitri i Arbërit kur i quante bujarët e shekullit XIII “homines mei”.
Po ky raport, për shkak të përmasave të luftës, do ta lartësonte përherë e më shumë Skënderbeun si Zot i Shqipërisë (“Domines Albaniae”).
Ideja e bashkimit është ideja e konvergjimit, e krijimit të shteteve kombëtare, ide kjo tepër novatore e fundit të Mesjetës dhe e epokës së Rilindjes Europiane.
Që më përpara se sa Makiaveli ta bënte formulimin e shteteve kombëtare si teori për Europën, Kuvendi i Lezhës e mbartte mesazhin e vet, duke e bërë flamurin e shqiponjën dykrenare të Skënderbeut simbolin heraldik të krejt kombit shqiptar.
(Të mos harrojmë se bashkimin fjala vjen të Italisë dhe të Gjermanisë përkatësisht Garibaldi dhe Bismarku e aspiruan dhe luftuan ta realizojnë shekuj më vone , ne shekullin e XIX).
Kuvendi i Lezhës shpaloste një ide novatore në rrafshin europian.
Ky aspekt ndërkombëtar i tij nuk duhet mohuar.
Në rrafshin ballkanik vetëm shqiptarët e bënë një Kuvend të tillë, kaq rezultativ, çka nuk e bënë dot popuj të tjerë të gadishullit, me përjashtim të hungarezëve etj.
Në këtë kuptim Milan Shuflaj ka shkruar se “luftëtari më i tmerrshëm, që krijoi përgjithësisht përledhja e Europës me turqit, qe Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ky dhe për së gjalli u madhërua prej Europës Perëndimore me legjenda të ndryshme burrërie”. Skënderbeu si luftëtar dhe strateg gjenial shkëlqeu në histori, sa që edhe vetë Napoleon Bonaparti në kujtimet e tij të shkruara në Shën Helenë e quan kryetrimin shqiptar si një nga ushtarakët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Skënderbeun e shoqëroi dhe gjenia e politikanit, që nisi dhe u pezmatua, pikërisht, me Kuvendin e Lezhës.
4- Në planin e jashtëm Kuvendi i Lezhës, si në rastet e paraardhësve të Shtetit të Arbërit dhe të Regnum Albaniae, që midis Perëndimit europian dhe Lindjes bizantine zgjodhën Perëndimin, bëri gjithashtu një zgjidhje të saktë jetike dhe strategjike: dmth lidhjen me Perëndimin kundër Lindjes, ku bizantizmi qe zëvendësuar nga otomanizmi, egërsisht i fuqishëm dhe fatal. Skënderbeu dhe bashkëkohësit e tij konfirmuan shkëlqyeshëm statusin europian të Shqipërisë.
U lanë pasardhësve shembullin aktual të integrimit përfundimtar në Europë.
5- Vektori europian i padiskutueshëm i Kuvendit të Lezhës ja fuqizonte rezistencën dhe mbijetesën Shqipërisë. I krijonte lidhjet e mëdha me qytetërimin europian në aspektin kulturor, humanist, po edhe në aspektin fetar të krishterë.
Sepse lufta titanike e shqiptarëve për liri u përjetua edhe në kuadrin e konfliktit madhor midis krishterimit dhe islamizmit, ndonëse nuk u fundamentalizua asnjëherë.
Po që vektori europian qe edhe i krishterë kjo nuk duhet mohuar, po dhe as vulgarizuar.
Kjo shpjegon pse, Skënderbeu u metafaforizua si “Atlet i Krishtit” dhe akoma dhe sot është emri shqiptar, që e lidh Shqipërinë me Europën më shumë se çdo emër tjetër. Kuvendi i Lezhës është dhe mbetet një guidë e Shqipërisë.
6- Mund të thuhet, se pa Kuvendin e Lezhës, ndoshta, s’do të kishim sot kombin shqiptar.
Kuvendi i Lezhës pati disa edicione të tjera në historinë tonë, po aq madhore: Lidhjen e Prizrenit, Kuvendin e Vlorës, Konferencën e Pezës.
Këto janë stacione të vetëdijes së kombit.
7- Gjatë këtyre 554 vjetëve kombi shqiptar ka përjetuar ngjarje nga më të çuditshmet dhe më të rëndat. Ai ka përjetuar gjithashtu copëtimin e 1913, që shqiptarët nuk e kanë merituar kurrë.
Kuvendi i Lezhës është ende sot një dëshmi e marrëveshjes dhe konsensusit të institucionalizuar kombëtar.
Deformimi i pluralizmit, ku partitë shpesh luajnë rolin e principatave, duke mos vënë në plan të parë marrëveshjen, po konfliktin, krijon një tjetër vonesë të pajustifikuar në histori.
8- Në kishën e Shën Kollit, ku u mbajt Kuvendi i Lezhës, u varrosën edhe eshtrat e Skënderbeut, si për të treguar pafundësisht, se pikërisht, origjina e unitetit kombëtar qe dhe sekreti i krejt epokës kastriotase, ku heroi identifikohet me kolektivitetin dhe esencën e kombit.
Si përfundim, Kuvendi i Lezhës pati rrënjë historike, ashtu si lëshoj dhe degë vigane në histori. Është simbol që ndërlidh epokat.
Kuvendi i Lezhës është një testament i patjetërsueshëm!
Botuar fillimisht në ZP, 25 shkurt 1994, 24 vjet më parë
31 Maj 2018