Dhjata e Vjetër
< 2 I MBRETËRVE >
Kapitulli 20
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25


1 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti: "Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe nuk ke për t'u shëruar"".

2 Atëherë ai ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit, duke thënë:

3 "Të lutem shumë, o Zot, mos harro si kam ecur para teje me besnikëri dhe me zemër të pastër, duke bërë atë që është e mirë për sytë e tu". Pastaj Ezekia shpërtheu në vaj.

4 Isaia nuk kishte arritur akoma në oborrin qendror, kur fjala e Zotit iu drejtua, duke i thënë:

5 "Kthehu prapa dhe i thuaj Ezekias, princit të popullit tim: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: Kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj; ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Zotit.

6 Do t'i shtoj pesëmbëdhjetë vjet jetës sate, do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për dashurinë që kam ndaj vetes dhe ndaj Davidit, shërbëtorit tim"".

7 Pastaj Isaia tha: "Merrni një jaki fiqsh". Kështu ata e morën dhe e vunë mbi ulçerën, dhe mbreti u shërua.

8 Por Ezekia i tha Isait: Cila është shenja që Zoti do të më shërojë dhe që ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Zotit?".

9 Atëherë Isaia iu përgjigj: "Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit që Zoti do të plotësojë atë që ka thënë: A dëshiron që hieja të shkojë përpara dhjetë shkallëza ose të kthehet prapa dhjetë shkallëza?".

10 Ezekia u përgjigj: "Éshtë lehtë për hijen të shkojë përpara dhjetë shkallëza. Jo! Më mirë hieja të shkojë prapa dhjetë shkallëza".

11 Atëherë profeti Isai kërkoi ndihmën e Zotit, që bëri hijen të kthehej prapa dhjetë shkallëzat që i kishte zënë në shkallën e Ashazit.

12 Në atë kohë Berodak-Baladani, bir i Baladanit, mbret i Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që Ezekia kishte qenë i sëmurë.

13 Ezekia priti në audiencë të dërguarit dhe u tregoi tërë shtëpinë e thesarit të tij: argjendin, arin, aromat, vajrat shumë të mira, arsenalin e tij dhe të gjitha gjërat që ndodheshin në magazinat e tij. Nuk pati asgjë në shtëpinë e tij dhe në të gjitha pronat e tij që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

14 Atëherë profeti Isaia shkoi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia iu përgjigj: "Kanë ardhur nga një vend i largët, nga Babilonia".

15 Isaia i tha: "Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?". Ezekia u përgjigj: "Kanë parë të gjitha ato që ka shtëpia ime; u tregova edhe ato gjëra që janë në magazinat e mia".

16 Atëherë Isaiai i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit:

17 "Ja, do të vijnë ditët, kur tërë ato që ka shtëpia jote dhe tërë ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohen në Babiloni; asgjë nuk do të lihet, thotë Zoti.

18 Përveç kësaj, disa nga bijtë e tu, që kanë dalë nga ti dhe që të kanë lindur, do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë"".

19 Ezekia iu përgjigj pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti ke shqiptuar është e mirë". Në fakt ai mendonte: "A nuk është një gjë e bukur që të ketë paqe dhe siguri gjatë jetës sime?".

20 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe të gjitha trimëritë e tij, ndërtimi i rezervuarit dhe i ujësjellësit, me anën e të cilëve pruri ujin në qytet, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

21 Pastaj Ezekian e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manasi.