2 i Kronikave - Kapitulli 8
|
1 Njëzet vjet pasi Salomoni ndërtoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij,
2 Salomoni rindërtoi qytetet që Hirami i kishte dhënë Salomonit dhe bëri që të banojnë në to bijtë e Izraelit.
3 Salomoni marshoi pastaj kundër Hamath-Tsobahut dhe e pushtoi.
4 Përveç kësaj rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë dhe të gjitha qytetet e furnizimit që kishte ndërtuar në Hamath.
5 Rindërtoi Beth-Horonin e sipërm dhe Beth-Horonin e poshtëm, qytete të fortifikuara me mure, porta dhe shufra,
6 si edhe Baalathin dhe tërë qytetet e furnizimit që i përkisnin Salomonit, të gjitha qytetet e qerreve, qytetet e kalorësisë, me një fjalë të gjitha ato që i pëlqyen të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin që ndodhej nën sundimin e tij.
7 Tërë njerëzit e mbetur nga Hitejtë, nga Amorejtë, nga Perezejtë, nga Hivejtë dhe nga Jebusejtë, që nuk ishin nga Izraeli,
8 (domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin mundur t'i shkatërronin) Salomoni i rekrutoi për punë të detyrueshme deri ditën e sotme.
9 Por nga bijtë e Izraelit Salomoni nuk përdori asnjë si shërbëtor për punimet e tij; këta ishin përkundrazi njerëzit e tij të luftës, krerët e udhëheqësve të tij dhe komandantët e qerreve dhe të kalorësisë së tij.
10 Shefat e nënpunësve të mbretit Salomon që kontrollonin popullin ishin dyqind e pesëdhjetë.
11 Por Salomoni bëri që vajza e Faraonit të ngjitej nga qyteti i Davidit në shtëpinë që kishte ndërtuar për të, sepse mendonte: "bashkëshortja ime nuk duhet të banojë në shtëpinë e Davidit, mbretit të Izraelit, sepse vendet ku ka hyrë arka e Zotit janë të shenjta".
12 Atëherë Salomoni i ofroi olokauste Zotit mbi altarin e Zotit, që ai kishte ndërtuar përpara portikut të tempullit;
13 dhe e bënte këtë në bazë të numrit që kërkohej çdo ditë, duke i ofruar sipas urdhërimeve të Moisiut, të shtunave, kur kishte hënë të re dhe gjatë festave solemne, tri herë në vit, domethënë në festat e bukëve të ndorme, në festat e javëve dhe në festën e kasolleve.
14 Duke iu përmbajtur normave të Davidit, atit të tij, ai vendosi klasat e priftërinjve për shërbimin e tyre, Levitët në funksionet e tyre (të lëvdojnë Zotin dhe të shërbejnë para priftërinjve) sipas detyrave të përditshme, dhe derëtarët sipas klasave të tyre në çdo portë, sepse kështu kishte urdhëruar Davidi, njeriu i Perëndisë.
15 Ata nuk u larguan nga urdhëri i mbretit, që u ishte dhënë priftërinjve dhe Levitëve, për çdo gjë dhe për thesaret.
16 Tërë puna e Salomonit ishte e organizuar mirë nga dita që u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit deri sa kjo mbaroi. Kështu shtëpia e Zotit u përfundua.
17 Atëherë mbreti Salomon shkoi në Etsion-Geber dhe në Elath mbi bregun e detit, në vendin e Edomit.
18 Hirami me anë të shërbëtorëve të tij i dërgoi anije dhe shërbëtorë që njihnin detin. Këta shkuan me shërbëtorët e Salomonit në Ofir, morën aty katërqind e pesëdhjetë talenta ari dhe ia çuan mbretit Salomon.