1 e Korintasve - Kapitulli 12
|
1 Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.
2 Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.
3 Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: "Mallkuar qoftë Jezusi!"; edhe asnjë nuk mund të thotë: "Jezusi është Zot", veç se në Frymën e Shenjtë.
4 Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë.
5 Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot.
6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.
7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.
8 Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie;
9 një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat;
10 një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve.
11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.
12 Sepse ashtu si trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e të njëtit trup, megjithse janë shumë, formojnë një trup të vetëm, kështu është edhe Krishti.
13 Sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frym të vetëm në të njëjtin trup, qofshin Hebrenjtë apo Grekët, qofshin skllevërit a të liruarit, dhe të gjithë e kemi jemi uijtur në të njëjtin Frymë.
14 Sepse edhe trupi nuk është një gjymtyrë e vetme, por shumë.
15 Sikur të thoshte këmba: "Mbasi nuk jam dorë, unë nuk jam pjesë e trupit", mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
16 Dhe sikur veshi të thoshte: "Mbasi nuk jam sy, unë nuk jam pjesë e trupit", mos për këtë nuk është pjesë e trupit?
17 Po të ishte gjithë trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte gjithë dëgjim, ku do të ishte të nuhaturit?
18 Por Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur.
19 Po të ishin të gjitha gjymtyrët një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
20 Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm.
21 Dhe syri nuk mund t'i thotë dorës: "Unë nuk kam nevojë për ty"; dhe po ashtu koka nuk mund t'u thotë këmbëve: "Unë nuk kam nevojë për ju".
22 Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat;
23 dhe ato që ne i konsiderojmë më pak të nderuara, pikërisht ata rrethojmë me më shumë nderim; dhe të pahijshmet tona kanë më tepër hijë.
24 Por gjymtyrët tona të hijshme nuk kanë nevojë. Por Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më tepër nder asaj pjese që e kishte mangut,
25 që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën.
26 Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.
27 Dhe ju jeni trupi i Krishti dhe gjymtyrët e tij, veç e veç.
28 Dhe Perëndia i vuri disa në kishë, së pari apostuj, së dyti profetë, së treti mësues; pastaj vepra të fuqishme; pastaj dhuntitë e shërimit, të ndihmës e të qeverisjes dhe të larmive të gjuhëve.
29 A janë vallë të gjithë apostuj? Janë të gjithë profetë? Janë të gjithë mësues?
30 A kanë të gjithë dhuntinë e veprave të fuqishme? A kanë të gjithë dhuntitë e shërimeve? A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme? A interpretojnë të gjithë?
31 Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t'ju tregoj një udhë shumë më të lartë.