140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: Çfarë simbolizon kjo datë e shënuar
Kjo e diel shënon 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që në Kosovë do të përkujtohet me aktivitete të shumta, kryesisht në qytetin e Prizrenit.
Axhenda e aktiviteteve është si më poshtë:
Ora 09:00 – Në oborrin e Lidhjes së Prizrenit vihet gurthemeli i kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes.
Ora 09:30 – Hapja e ekspozitës së buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar dhe ekspozita e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë me monedha të vjetra, nga koha e Skënderbeut.
Ora 10:00 – Mbahet Seanca Solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).
Ora 11:00 – Akademia Solemne (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).
Ora 11:30 – Konferencë për media (Hotel Theranda).
Ora 12:00 – Organizohet turniri ndërkombëtar i Mundjes (Klubi i Mundjes Prizreni), Pallati i Sporteve.
Ora 13:00 – Konferencë shkencore 140 vjetori i Lidhjes (Tri institutet e Historisë: Tiranë, Shkup dhe Prishtinë), salla e Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Ora 15:00 – Hapet Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë, Hamami i qytetit në Prizren (10-20 qershor).
Por çfarë dihet mbi këtë datë të shënuar?
Përpara se të tërhiqeshin nga Kosova, pas bombardimeve të NATO-s, serbët menduan t’i vinin zjarrin shtëpisë ku u themelua Lidhja e Prizrenit.
E pavarësisht asaj ngjarjeje, ajo shtëpi ngre krye edhe sot dhe jeton në kujtimet e çdo shqiptare, pasi pikërisht aty do të hidheshin bazat e kombit modern shqiptar, duke shkruar kështu historinë e Shqipërisë përpara pavarësisë.
Më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren u takuan krerët e të gjithë rajoneve shqiptare, pa dallime fetare.
Asokohe, kërcënimet ishin të shumta. Traktati i Shën Stefanit i nënshkruar mes Rusisë dhe Turqisë, nuk e llogarisnin ekzistencën e Shqipërisë. Toka shqiptare ndahej mes shteteve fitimtare si të ishte send shpërblimi.
Por, 300 delegatë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Prizren, mes të cilëve Ahmet Koronica, Abdullah Pashë Dreni, Shaban Prizreni, Zija Prishtina, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri, e shumë të tjerë, duke zgjedhur si president anëtarin më të vjetër, Iljaz Pashë Dibrën.
Të gjithë të pranishmit do të rakordonin ruajtjen me çdo kusht të integritetit territorial të Shqipërisë.
10 Qershor 2018