“Vjen një zë” nga Zylyftar Veleshnja

Nga Bashkim Koçi

Nuk i përkas atij kontigjenti shqiptarësh që, për të justifikuar prapësitë e politikanëve tanë në ka 28 vjet, të kthej kokën mbrapa për të nxjerrë e për t’i bërë jehonë të kaluarës, të atyre viteve të cilët i përjetuam me “kokën lart e duar bosh”. Jo, nuk jam për t’iu bërë hosana marrëzirave. Ashtu si shumë shqiptarë të brezit tim, e ca më pas, jam i mendimit për të parë e vlerësuar realitetet me dorën në zemër, për t’i thënë të zezës të zezë e të bardhës të bardhë. Ashti siç ka qenë, pa zbukurime që, ndonjëherë, të përshtiroset edhe vetja.

Atëherë ç’dua të them, për ç’problem e kam fjalën? Dua të them atë që sistemi që lamë pas, nëse e shikojmë dhe e vlerësojmë me syrin e zemrës, me ata sy që e duan prej vërteti Shqipërinë, na la si trashëgim ca mirësira e virtyte, të cilat, për hir të së vërtetës, kishin për “pronar”, jo një e dy, por një shumicë të konsiderueshme kuadrosh e intelektualësh. Kanë qenë shumë, vërtet shumë. Mijëra. Le të mbyllim sytë për një çast dhe të shkojmë nëpër mend punërat e mëdha që u bënë në ato vite; U çlirua vendi nga pushtuesit nazifashistë. Këtë vepër të madhe, të bekuar për Shqipërinë, e kryen njerëz absolutisht të betuar me kokën për atdhe. E hoqën palavinë fashiste, duke larë tokën me gjak; U zhduk analfabetizmi. Kemi qenë komb në masën mbi 95 për qind injorantë, në kuptimin më saktë të kësaj fjale. Brezi i sotëm, përfshi edhe autorin e këtyre radhëve, nuk mund të përfytyrojnë dot ç’ishin “gardat” me të rinj e të reja që u bënin kurse njerëzisë, në fshat e në qytet, për mësuar shkrim e këndim; Tharja e kënetave të Maliqit në Korçë, të Tërbufit në Lushnje, të Hoxharës në Fier etj, u bë në kohë rekord. Ishim popull malarik, term që sot nuk e konceptojmë dot. I thau e i qëndisi me të mbjella, me bimë bujqësore, panxhar, grurë, misër etj populli, rinia. Pa shpërblim, por me entuziazmin dhe kurajon që i bënin të dinin se e gjithë kjo punë bëhej për vendin tim, për vendin tënd; Ngritja e spitaleve dhe të shkollave cep më cep të Shqipërisë për të sjellë kulturën shëndetësore dhe “udhën” për të mësuar gjuhën shqipe; Ndërtimin e hidrocentraleve të fuqishëm. Ndër më të mëdhenjtë në Europë. Nga ai investim i njerëzve të thjeshtë, i specialistëve kurajozë që nuk gjenden “mbi dhe”, i makinistëve të aftë për të bërë çudira, ne kimi sot energji elektrike. Të gjitha këto i kemi dhuratë nga ca breza shqiptraësh të jashtëzakonshëm, të cilët herë-herë i akuzojmë se na paskan lënë në varfëri. I akuzojmë, por edhe hakmerremi me ta, duke i trajtuar me ca pensione si të ishin thërrimet e falura nga oligarkët që kanë vjedhur pasurinë tonë, të vënë me djersën e ballit për dekada.

Për çka solla në këta pak rreshta më duhet të pyes ty lexues: Eshtë kështu, apo jo? Sigurisht, e vërteta shpesh nuk pranohet lehtë, por në rastin konkret, besoj ajo na ka venë më shpatulla për muri. Dhe, meqë duhet të besojmë, të pranojmë që ata “të marrë” kanë qenë njerëzit tanë, ata njerëz idealistë të cilët u udhëhoqën nga synime të larta, nga synime fisnike që, jo rrallë, luftuan e punuan deri në vetëmohim.

Ashtu si edhe e përmenda më sipër ata janë me mijëra, por për të ilustruar e thënë disa të vërteta, të cilat, me dashje apo pa dashje po i harrojmë, po sjell një nga ata që edhe luftoi edhe punoi për Shqipërinë, “Heroin e Popullit” Zylyftar Veleshnja.

Zylyftar Veleshnja ishte idealist, ishte nga ata burra që nuk i ngopej shpirti me asgjë kur vajtimi i vendit të tij i kish prekur zemrën. Viti kur lindi ishte muaji gusht 1902. S’behej fjalë fare për shkollim sepse fshati i tij, Veleshnja, as që mund të bëhej fjalë të kishte shkollë. Me një llogari të vogël, i bje që të ketë qënë rreth 18 vjeç në ngjarjet intensive politike të pas 1920-ës, vite të cilët rrezikonin mëvetësinë e Shqipërisë, bërjen e shtetit dhe nxjerrjen e popullatës nga mizerabiliteti ku e kishte katandisur një qeverisje turkoshakësh. Zylyftari, si shumica e të rinjve në Skrapar, i përkiste një familje të varfër. Aq të varfër sa, të ardhurat që nxirrte familja nga një i të ashtuquajturi mulli bloje, nuk mjaftonin për të shkolluar në Evrope, edhe pse Zylyftari e kish “marrë në sy” qysh i vogël për ta bërë jetën të jashtëzakonshme. Por ai, duke ia ditur rëndësinë mësimit të ABC-së, e mësoi shkrimin e këndimin në mënyrë autodidakte dhe mbeti i tillë për aq sa jetoi, pra që nuk e pati kurrë nevojën e mësuesit.

Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njëjtën mënyrë, por secili bën atë që mundet. Që mundet, por edhe kur i bën gjërat me shpirt atëherë kur duhet. Zylyftar Veleshnja ka qenë edhe me pak fat. Ai kishte për mik e shok revolucionarin Riza Cerova dhe, në të gjitha veprimtaritë e Rizait, do të çfaqej edhe Zylyftari. Si trim, si patriot e luftëtar. Këtej ka dalë edhe fjala e urtë: më thuaj me kë rri të të them cili je. Thuhet se Zylyftari me Riza Cerovën ishin kushërinj. Ka të ngjarë. Ka të ngjarë sepse gjatë gjithë kohës Rizai e merrte Zylyftarin me vete. Edhe në Çorovodë, edhe në qytetin e Beratit, punën Zylyftarit ia gjeti Riza Cerova. Madje kur Rizai shërbente në Krumë, një herë mori me vete edhe Zylyftarin, i cili ishte vetëm 20 vjeç. Ishte viti 1922. Sipas një arsyetimi të thjeshtë, del që Rizai, pasi ka pikasur tek Zylyftari ndjenja të palëkundura patriotike, ka patur si qëllim për ta patur krah të djathtë, gjatë gjithë kohës, në veprimtaritë politike e revolucionare të mëvonshme. Në Krumë, këtij djali faqepadirsur, i ra rasti të takojë e të bashkëbisedojë me ata që i përkisnin sojit të tij, me ata që vajtimi i vendit u kish prekur zemrën. Ishte Bajram Curri dhe Ali Kelmendi. Nuk mund të hamendësojmë se si e qysh i programuan punët, por dimë që Bac Bajrami i qëndroi pranë dhe nuk i ndërpreu lidhjet me Zylyftar Veleshnjen deri sa ra nga plumbat e tradhtisë, atje në Dragobi. Sigurisht që miqësinë dhe bashkëmendësinë për probleme të mëdha midis tyre i bënin të pazgjidhshme idealet, por duhet të mos harrojmë se të gjitha gjërat bëheshin edhe në mirëbesim të Riza Cerovës.

Kurajoja është të dish se çfarë të mos kesh frikë. Zylyftar Veleshnja e dinte mirë këtë. E kish mësuar jeta. Ai nuk kish frikë nga regjimi dhe, duke asimiluar deri në fund filozofinë e fjalëve të Bac Bajramit, që vlera e njerëzve me pushtet është dhe matet sesi ata sillen me popullin kur qëndrojnë në kolltukë qeverisës, ishte i gatshëm në çdo kohë për të ndihmuar në rrëzimin e ngrehinës së kalbur të ngritur nga mbreti Zog. Ky ishte betim dhe për karakterin që kish, të cilin Zylyftari e vlerësonte si gjënë më të çmuar të njeriut, ai nuk u lëkund asnjëherë për t’i shkuar deri në fund betejës që mund t’i hante edhe kokën. Nuk lëkundej as vetë, por u jepte forcë e besim edhe të tjerëve, shokëve që ishin përkrahës të ideve e veprimeve revolucionare. Qëndrimin ndaj Revolucionit demokratiko-borgjez të Qershorit të viti 1924, e që udhëhiqej nga demokrati Fan Noli, Zylyftari i konsideronte si të kishe frikë ndaj dritës. A duhet të ketë frikë njeriu nga drita? Mund të falim dikë që ka frikë nga errësira, e jo ata që tmerrohen nga drita, siç ishte kjo lëvizje e madhe. Zylyftar Veleshnja ishte i bindur për këtë nda inkurajonte përkrahësit, ata që do të bëheshin mbështetës të fuqishëm të Nolit dhe të vegjëlisë.

Guxim është të dish se çfarë mos të kesh frikë. Guxim është, gjithashtu, të dish, të bësh lëvizjet e mençme dhe të duhura kur i paudhi një ditë të rrezikon jetën. Mund të qëndronte Zylyftar Veleshnja nëpër këmbë të spiunëve, të sahanlëpirësve të Mbretërisë, në një kohë që shumë patriotë po “grinte” një e nga një? Edhe ai mund të eliminohej sepse qeveria zogiste e kish në listën e më të kërkuarve për ta future në burg. Jeta është një shpalosje, dhe sa më shumë që udhëtojmë, aq më shumë të vërteta mund të kuptojmë. Të kuptojmë gjërat që janë tek pragu i derës sonë. Kjo është përgatitja më e mirë për të marrë vesh ato që ndodhen përtej saj. Zylyftari e kishte aftësinë për të kuptuar situatat ndaj, edhe pse shumë i dëshpëruar, duke lënë familjen në varferi të plotë dhe nën vëzhgimin e hafijeve të qeverisë, u largua si emigrant politik në Greqi, në Selanik. Edhe aty ai trokiti aty ku duhej, ku bëheshin përgatitje për punë të mëdha. Të refuzoje mospjesëmarrjen në lëvizjet patriotike, qoftë edhe jashtë atdheut, do të thoshte që vendi të vazhdonte të qeverisej nga batakçinjtë.

Zylyftar Veleshnja e dinte dhe ishte shumë i qartë se injoranca është rrënja e të gjitha të këqijave. Bënte të pamundurën për të injektuar të vërtetën tek bashkëluftëtarët, tëk ata që i kishte aty në emigracion, por edhe në Shqipëri, tek shokët dhe miqtë, të cilët dijet dhe mençurinë e tij e vlerësonin si ta kishin “perëndi”. Është ky autoritet, ky mirëbesim dhe ky inkurajim që Zylyftari të bëhej aq popullor në Lëvizjen e Fierit të vitit 1935. Nuk ishte vetëm Riza Cerova ai që ngriti të gjithë Skraparin në mbështetje të Lëvizjes, por edhe nxitës e frymëzues kapedanë siç ishte Zylyftar Veleshnja.

Dështimi i asaj Lëvizje dhe “kurbanët” që u bënë në emër të ruajtjes dhe forcimit të Mbretërisë, dihen. Zylftari iku, u arratis sapo e informuan që kërkohej, madje që emri i tij ish ndër të parët në listën e të dënuarve me vdekje. Iku atje ku mund të rimerrte forcat, tek shokët e luftës, në Selanik. Duke e futur tek kategoria e njerëzve më karakter të fortë, ai nuk u tërhoq nga bindjet e tij se në Shqipëri diçka duhej bërë. Me hir apo me pahir. Vrasja e mikut të tij të shtrenjtë, Riza Cerovës, e lëndoi pa masë, por jo që ai të tërhiqej për të parë punët e veta. Ai ishte aq i aftë sa të shikonte përtej hijeve dhe gënjeshtrave që sajoheshin për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. E pikaste këtë tek zhvillimet e ngjarjeve në Shqipëri, por edhe rreth e rrotull nëpër botë ku ndjehej era e flamës fashiste. Pa e thirrur kush Zylyftar Veleshnjen 1939-ta e gjeti në Atdhe. I vendosur për të luftuar deri në fund ndaj pushtuesve, sepse “trimi” Zog, ai që ish “betuar” kur hipi në fron për të ruajtur të pastër flamurin e Skënderbeut, ia kishte mbathur hajduçe, duke grabitur edhe atë pak “dhjamë” që kishte e nëmura Shqipëri.

Ky trim i rrahur me vaj e me uthull nga jeta, kishte mësuar shumë edhe nga dështimet, në përpjekje për të triumfuar e mira. Madje dështimet, sipas tij, ndërtonin karakterin e njeriut. Në një farë mënyre tashmë e ndjente veten të kuptonte se fillimi ishte pjesa më e rëndësishme për të nisur një punë. Pas formimit të Çetës së Skraparit më 14 Mars të vitit 1042, Zylyftar Veleshnja formoi çetën territoriale me emrin e atij që u vra “për popullin fukara”, Riza Cerovës. Nëse do të përdornim një tog fjalësh që e përcaktonte hovin e tij në luftë kundër nazifashistëve duhet thënë “ai nuk mbahej më”. Gjatë viteve 1942-1943 dha një ndihmesë të madhe në ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë në zonën e Myzeqesë. Edhe në Berat e gjetkë. Sikurse ndërtuesit thonë, gurët më të mëdhenj nuk qëndrojnë mirë pa më të vegjlit, edhe për Zylyftarin çetat territoriale, këshillat e fshatrave, veprimtarët e rinisë, ishin shumë të rëndësishëm dhe pa këta brigadat partizane do të ishin “pa krahë”. Atij për një periudhë 6 mujore iu ngarkua detyra e zv/ komandantit të Shtabit të Qarkut të Beratit, sepse më 18 janar të vitit 1944 u vu në krye të Grupit Partizan të Skraparit. Vetëm tre ditë më pas ky formacion partizan, bashkë më forcat e Brigadës së Parë Sulmuese, të udhëhequra nga legjendari Mehmet Shehu, u përleshën trup me trup me gjermanët në betejën e të famshmes të Tëndës së Qypit. Siç edhe dihet, aty Zylyftar Veleshnja u plagos rëndë, duke mbetur përjetë invalid i Luftës Nacional Çlirimtare.

Nga dhembja kanë dalë shpirtrat më të forte dhe karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët. Kjo thënie brilante është nga më të goditurat për të portretizuar luftëtarin dhe njeriun me zemër të madhe Zylyftar Veleshnja. Nëse ndjekim veprimtarinë e tij pas çlirimit të vendit, kur kryente detyrat e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Skraparit dhe z. kryetar të këtij institucioni shtetror për Qarkun e Beratit, mëson fakte e ndodhira nga më të çuditshmet, që sot nuk i beson kush. Në një ditë gushti, kur pionierët e qytetit të Beratit e bënë në këmbë distancën Berat-Tënda e Qypit për të njohur historinë e betejës së famshme, i shoqëronte edhe “Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja. Fshat më fshat, rrugë pa rrugë, e përrua më përrua, më në fund, pas disa ditësh, arritën aty ku Zylyftari, përveç jetës së shokëve, kishte lënë edhe këmbën për të mbetur invalid tërë jetën. Gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, në biseda të vogla apo kur pinin ujë burimeve që u dilnin përpara, Zylyftarit i ra në sy një pionier i vogël, fare i parritur. Si e ke emrin?, e pyeti. Skënder, iu përgjigj i vogli. Ku të punojnë prindërit?, vijoi ta pyes Zylyftari. Nuk i kam, nuk e di, tha i mituri. Gjatë gjithë asaj rruge të gjatë Zylyftari nuk e ndau fëmijën jetim nga vetja. E mbajti pas vetes. Madje ku rruga ishte e vështirë dhe e shikonte se ai ndjehej i lodhur, e hipte në mushkën e tij. Kur u kthyen në Berat e shkëputi nga shokët, duke i dhënë shenjë, demek do të vish me mua në shtëpi. Ç’e ke këtë fëmijë?, i tha Bulja. Tani e tutje ky fëmijë do të jetë i joni, ia ktheu të shoqes Zylyftar Veleshnja. Po mirë, mor burrë, nuk të mjaftonin dhjetë fëmijë, që na i bëre njëmbëdhjetë? Jo, ia ktheu përgjigjen Zylyftari. Ky do të jetë i veçantë dhe do ta trajtojmë si të tillë sat ë jemi sepse është jetim.

Ja, këtë veprim bëri ku burrë i madh, i asaj epoke që jo rrallë dikush e nëpërkëmb. Skënder Mustafaj jo vetëm që u rrit aty si “bir i vetëm”, por edhe u shkollua, duke u bërë një nga mësuesit më të mirë të Beratit.

Të gjithë njerëzit natyra i ka ngjizur të barabartë, janë bërë nga e njëjta baltë, nga i njëjti Punëtor. Zylyftar Veleshnja ishte dhe mbetet për çështje drejtësie “njeri i perëndisë”. Edhe pse në detyra të larta shtetrore ai nuk u përlye kurrë, nuk guxoi qoftë edhe në një rast për të marrë a përvetësuar nga ajo që nuk i takonte. Dikur në Berat, menjëherë pas luftës, atëherë kur populli e konsideronte të parin e qytetit, dikujt i ra ndër mend që të çonin një palë kolltukë për mobilimin e shtëpisë. Kur i pa Zylyftari, teksa zbrisnin ngarkesën nga makia, dhe u bind se kulltuqet po silleshin aty si bakshish nga pozicioni i të qënit ndër të parët “e vendit”, ai u nxi në fytyrë, u bë si i marrosur, duke bërtitur e ulëritur që t’i kthenin andej nga i kishin marrë. Ja kështu e tregonte ndershmërinë, karakterin, ndjenjën e të qenit njeri. Zylyftar Veleshnja i përkiste atij brezi njerëzish që sa ari e të gjithë botës, mbi dhe e nën dhe nuk mjaftonte për ta këmbyer me virtytin.

Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje që të jenë të përgjegjshëm, që të sillen e të veprojnë në raport të admirueshëm me të tjerët. Të këqijtë do gjejnë gjithnjë një rrugëdalje nga ligjet. Në këtë kuptim çdo njeri mund t’i bëjë dëmin fare lehtë, por jo çdo njeri mund t’i bëjë mirë tjetrit. Edhe në këtë kënd vështrim të shikimit të të dashuruarit të jetës për nderin dhe drejtësinë, ndjehem mirë të sjellë një fakt jetësor, nga dhjetra e qindra të tillë, nga jeta e “Heroit të Popullit” Zylyftar Veleshnja. Këtë ma tregoi një Hero tjetër, por nga ata të Punës, Qemal Bego. Kur Qemali kryente detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore të Kutallisë në Berat, një ditë dikush i trokiti në zyrë, shumë i alarmuar, dhe i kërkoi ndihmë sepse organizata e partisë e kishte cilësuar kulak. Ky dikushi ishte Peçi Papa. Njeri i thjeshtë, njeri që shikonte hallin e tij dhe, për më tepër, gjatë Luftës shtëpia e tij ishte kthyer në strehë të partizanëve, madje edhe të Zylyftar Veleshnjes. Unë nuk e kthej dot vendimin e organizatës, i kishte thënë Qemali, por nesër do të vete vet në Vlorë për të biseduar me Zylyftarin. Ai është i sëmurë, por nëse do të më dëgjojë, do ta sjell këtu në Kutalli për të bërë një ballafaqim në popull. Kështu bëri. Dhe Zylyftari, për t’ju gjendur pranë Peçi Papës, i cili e kishte strehuar gjatë kohës së vështirë të Luftës Nacionalçlirimtare, mblodhi njerëzit në fshat dhe aty, sy më sy, kërkoi që vetë ata të bënin biografinë e Peçi Papës. E dini si përfundoi kjo histori? Tek shtëpia e “kulakut” Peçi Papa, u vendos një pllakë përkujtimore si mbështetëse e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila është aty edhe sot e kësaj dite.

“Heroi i Popullit” Zylyftar Veleshnja bëri për vendin e tij aq sa mundi. Si ai, ashtu si edhe e filluam këtë shkrim, kanë qenë mijëra të tjerë, të cilët e panë dhe trajtuan këtë Shqipëri të gjorë si patriot, si vendin ku prehen eshtrat e të parëve dhe që do t’u lihet si trashëgim brezave që vijnë. Le të më thotë kush, le të sjellë qoftë edhe një “udhëheqës” nga këta të sotmit që t’i ngjajë në mendim, veprim e sakrifica Zylyftar Veleshnjes. Unë për vete nuk guxoj ta bëj këtë.


20 Qershor 2018