“Udha Skrapar-Tropojë” e Izet Dyrmishit

Nga Bashkim Koçi

Jeta e njeriut është si një udhë. Në fund të kësaj “udhe”, të shkurtër apo të gjatë, të lehtë apo të mundimshme, të dështuar apo të suksesshmë, njeriu përllogarit “faturën” e tij përmbyllëse, duke nxjerrë bilançin përfundimtar të viteve të jetës. Sesi del vlera e bilancit, pozitiv apo negativ, kjo varet nga vetë njeriu, sesa kova me dhé ka bartur ai në vite për të ndërtuar “malin” e tij.

Në çka po “filozofoj” dëshiroj të nxjerr në dritë jetën e një njeriu me kontribut afro 60 vjeçar në të mirë të vendit, të zhvillimit dhe të emancipimit të shoqërisë, të skraparasit Izet Dyrmishi. Nuk është se do të mund të arrij e të mund t’i them “të gjitha” çka ai arriti të bëjë në vendin e tij të vuajtur e plot halle qysh nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e deri në kapëcyellin e shekullit të XX-të, por ato “kovat me dhè”, me të cilat ngriti “malin” e jetës së tij, mund të arrijmë t’i numërojmë.

Karakteri i njeriut formohet e forcohet në përpjekje për të arritur të mirën, duke u kacafytur me të keqen, e cila “ka për detyrë” të zërë rrugën, të të mundojë e të të lodhë për t’u dorëzuar. Izet Dyrmishi u njoh me jetën, me uljet e ngritjet e saj, duke e filluar atë me ca “trimërira” të cilat do të ndikonin në formimin e tij, do t’i falnin “mëvetësinë” për të ndërmarrë më pas veprime madhore, veprime që në fund të fundit ishin si një shtrëngatë pë t’i dhënë jetës drejtimin e duhur.

Ai u lind në maj të vitit 1924 në Koprënckë të Skraparit, në një familje që “digjej” për shkollë e dituri, por që në një fshat pa shkollë, siç ishte Koprëncka e atyre viteve, fati ia solli t’i niste vitet e para të vegjëlisë si çoban me dhi. Ishte 12 vjeç kur u regjistrua në klasën e parë në shkollës fillore të Malindit, fshat disa orë larg Koprënckës. U sistemua aty në një nga familjet e Spahinjve, tek dajua i kushëririt të parë nga babai, arsimdashësi Qani Spahiu. Gjë shumë e bukur, shumë fisnike, apo jo. Shumë familje në ato kohëra i kthenin shtëpitë në konvikte, duke u munduar e sakrifikuar për shkollimin e vajzës apo djalit të mikut pa asnjë kusht.

Gjërat më të bukura apo ato që të dëshpërojnë në jetë nuk mund të dëgjohen, të shihen as të preken. Ato vetëm mund të ndjehen. Izet Dyrmishi në një libër kujtimesh nga jeta e tij hedh dritë jo vetëm për vete, por për të gjithë atë brez të sakrifikuar, i cili nuk ka lënë shteg për t’u bërë qortimin më pak të rëndësishëm, për t’u kërkuar llogari për ndonjë mangësi, qoftë edhe formale, në drejtim të ndonjë detyrimi që nuk e kanë bërë dot. Përkundrazi. Ai dhe brezi i tij përjetuan kohëra shumë të vështira, kohëra që mbollën luftëra e që, me dashje apo pa dashje, u përfshinë për t’u bërë pjesë e tyre, t’i përjetonin ato si të ishin jo fëmijë ende të parritur, njomëzakë, por burra me mjekër të bardhë. Ai kujton e thotë se më 7 prill të viti 1939, fiks atë ditë, shkolla fillore e Malindit, u mbyll. Italia kishte pushtuar vendin. Më mori babai dhe vajtëm në shtëpi, në Koprënckë, kujton Izet Dyrmishi. Kur gjendeshim tek arat tona, pamë ca mysybetë që vinin vërdallë në qiell, për të cilët njerëzit thoshnin se “janë aropllanë lufte të Italisë”. Pas 12 ditësh u ktheva përsëri në shkollë. Mësuesi atë ditë mësimi u paskësh përcjellë një porosi të ardhur nga lart se “ky nuk është okupacin, por bashkim i Shqipërisë me Italinë”. Megjithatë, kish vijuar mësuesi, “unë e kam mendimin ashtu si ju, ashtu si prindërit tuaj, që Italia fashiste është një pushtuese e vendit, e Shqipërisë”.

Karakter, në gjërat e vogla apo të mëdha, do të thotë të marrësh përsipër ato gjëra që ti ndjehesh i zoti t’i bësh. Por për një njeri të moshës së hershme të rinisë, vetëm 16 vjeç, aq sa ishte Izet Dyrmishi në vitin 1940, kohë që përkon me luftën italo-greke, kryerja e ca punëve, “të vogla” në dukje, ishin shumë të mëdha për nga rëndësia që kishin. Si i dyshuar për sabotim të luftës në favor të italianëve, një oficer grek i kish dhënë masën e dënimit “arrest shtëpie” ndërsa babanë, Veizin, e dërguan në burgun e Korçës e që do të lirohej pas largimit të ushtrisë greke për shkak të pushtimit të Greqisë nga Italia fashiste. Nuk mund të themi apo të hamendësojmë për një “shpërthim gjenetik” tek Dyrmishët e Koprënckës, siç ishte kjo e Izetit në përfshirjen në lëvizjet revolucionare të kohës, por që ai u bë shembull i gjallë, njeri konkret në bërjen me sakrifica të gjërave, nuk ka përse të mos ia japim hakun si qëndrestar i palëkundur për atë çka mendonte të realizonte. Vërtet Koprëncka, fjala vjen, nuk kishte shkollë fillore, por ky Izeti i Dyrmishajve guxoi të “hapte shkollë” me çmendurinë e vet, duke u mësuar bashkëfshatarëve shkrim e këndim me librat që kish marrë me vete kur mbaroi shkollën fillore në Malind. Dija që vlente më shumë, sipas tij, ishte ajo që njihet pasi vihej në jetë. Këtë po bënte edhe ai. Klasë për të zhvilluar mësimin ktheu odën e miqve, pas miratimit nga të mëdhenjtë e familjes. Sigurisht nuk dëshiroj të bëj paralelizëm, por padashje mendja më shkon në kohërat që po jetojmë që, jo më individi, po vet shteti qëndron indiferent ndaj rrënimit të frikshëm të arsimimit të njerëzve.

Je i virtytshëm kur ndërmarrjen e guximshme e bën vetiu e jo kur ta kërkojnë të tjerët. Në jetën me plot ngjarje të lakmueshme të Izet Dyrmishit gjen njeriun e bindur për të kryer veprime heroike, pa e ditur se ai ato i bënte nën trysninë e ndërgjegjes së pastër dhe të njeriut idealist. Kam parasysh këtu veprimtari të tij, të cilat kur i sjellim e i ballafaqojmë me atë çka bëjmë ne të sotmit për vendin, për flamurin, të cilit i këndojmë nga mëngjesi në darkë e nga darka në mëngjes, të duken sikur atdheu është në dorë të inrigantëve të cilët të drejtët dhe idealistët i marrin për naivë e budallenj. Po ku shfaqej “naiviteti” dhe veprimet prej “budallai” të këtij njeriu të betuar për drejtësi e barazi? Po sjell fillesat e jetës së tij si pjesëtar i çetës territoriale të zonës së Potomit në Skrapar në luftën NÇ, përpjekjet dhe angazhimin për rindërtimin e shtëpive të djegura nga lufta, të ngritjes së shkollave dhe kurseve kundër analfetizmit, të organizimit të rinisë për të marë pjesë në aksionet vullnetare për rindërtimin e vendit etj. Të gjitha këto punë të mëdha, si shumë shqiptarë të tjerë, ai i kryente pa asnjë shpërblim. Dhe këtë të fundit dëshiroj ta përsëris, ta them me zë të lartë: pa asnjë shpërblim.

Jeta ka provuar se ai që shpërfill mundimin, vuajtjet, përgjithësisht sakrificën për të arritur diçka të virtytshme, në fund ndjehet i lumtur dhe i plotësuar në shpirt e në ndërgjegje. Personazhi ynë, Izet Dyrmishi, i ngjan, është “binjak” me çdo njeri që i ngjit shkallët e karrierës me urtësi, duke e konsideruar pozicionin apo një detyrë të lartë si premtim të mundimit për të arritur deri aty. Ishte plot 22 vjeç kur iu ngarkua detyra e sekretarit të parë të rinisë për rrethin e Skraparit. Ishte muaji prill i vitit 1946. Dikush mund të përfytyrojë në këtë pozicion një të ri të arsimuar, me universitet, një njeri që qëndronte shumë më lartë se të tjerët në formimin arsimor dhe intelektual. Në fakt Izet Dyrmishi ishte me arsim fillor dhe me një kurs një mujor, të cilin e kish kryer për problemet e rinisë në qytetin e Beratit. Atëhere ç’ish ajo magji që bëri ai për të komanduar, për t’u dhënë mend e frymëzuar të rinjtë skraparas të atyre viteve? Po, ai e kishte një “magji”. Madje shumë të sigurt për ta quajtur “investim” të së ardhmes, të jetës së tij si njeri me ambicje e që një ditë të mos skuqej nga turpi i qortimit të njeriut me sedër të pastër qelibar. “Magjia” e Izet Dyrmishit ishte intelekti i tij, ishte fakti që padijen e konsideronte mjerim dhe që si mbështetje të pazëvendësueshme të kishte këshillimin. Këshillim të cilin au “lypte” njerëzve me përvojë, kuadrove të rrahur me vaj e me uthull në shkollën e luftës për çlirimin e vendit. Nga kjo pikpamje ai nuk tregohej qibar, në mos ndjehej edhe i përulur për të mësuar e përfituar nga kushdo që çfaqte ide e praktika të dobishme.

Çdo gjë e mbush enën ku hidhet diçka, ishte bindja e tij e patundur, përveç dijes që hap vend tjetër për tjetër dije. Ai këtë sentencë e kishte dhe e konsideronte të parën, pa të cilën nuk do të mundte të ndërmerrte veprime që kërkonin të mposhtje “turpin” kur ishte fjala për të ngritur nivelin arsimor, për t’u bërë i zoti i vetes. Dhe “turpi” që mund të bënte ky djalë i ri me pretendime për jetën ishte vijimi i shkollës në moshë madhore, të mbaroje 7-vjeçaren kur vërsnikët e tij ishin duke përfunduar shkollën e mesme. Izet Dyrmishi, me vullnet dhe me ca sakrifica të vogla, i kapërceu shkallët një e nga një, duke arritur afër majës, të fillonte e të mbaronte me shumë sukses edhe shkollën e lartë. Dhe diplomën e shkollës së lartë nuk e mori siç ndodh tani rëndom, të blerë apo të dhuruar për shkak të karriges, por me mund, me inatin për t’u aftësuar e për t’i dalë për zot punës. Po sjell vetëm këtë fakt: Izet Dyrmishi mori leksione dhe i dha provimet me personalitete të larta të fushës së arsimit siç ishte Serjfulla Malshova, Nako Spiru, Sotir Manushi, Xhavit Qesja etj. Ky mjedis akademikësh dhe pasioni për t’u kompletuar me kërkesat më maksimale që kërkonte koha, krijuan tek personi i Izet Dyrmishit njeriun nga i cili mund të prisje rezultate për çdo detyrë që mund t’i ngarkoje.

Lakmia e njeriut për pushtet, apo për çdo gjë tjetër, shpesh kthehet në të kundërtën e saj, të “mbyt” përpara se ky “zjarr” të të fashitet. Izet Dyrmishi, për shkak të karakterit dhe sedrës për të qënë kokulur e shembullor për detyrën e ngarkuar, nuk u duk qoftë edhe një herë lakmitar e karrierist për të kapur poste që ai e gjykonte se nuk i meritonte. Fjala vjen kur ishte vetëm 23 vjeç, në vitin 1947, iu ngarkua detyra e sekretarit të parë për rrethin e Skraparit. Paralelisht u caktua edhe sekretar i komitetit ekzekutiv të rrethit, gjë të cilën sot nuk e konceptojmë, nuk e përfytyrojmë sesi mund të kryheshin dy detyra të rëndësishhme njëherësh, apo të mbante dy kunguj nën sqetull, siç thotë populli. Ai në kujtimet e tij shkruan për punët që i duhej të përballonte, siç ishin lufta kundër analfebitizmit, sepse 90 për qind e popullatës nuk dinte fare shkrim e këndim, ngritja dhe vënia në fuksion e institucioneve shëndetësore, normalizimin e nevojave për bukë e shumë problemeve të tjera, të cilat kërkonin jo vetëm shkollim të personelit administrativ, por në radhë të parë organizim e fantazi, fuqi shpirtërore për t’iu qëndruar afër halleve të njerëzve. Nuk po e sjell për nostalgji dhe as të nxjerr vlerat e sistemit, por të vërtetës i duhet qëndruar ballas. Në këta vite, tek të cilët u shfaqën vlerat drejtuese dhe organizuese të një kuadri, siç ishte Izet Dyrmishi, krahina e Skraparit nga të gjitha drejtimet ishte “ku thërret qameti”. Sot nuk e beson njeri që qyteti i Çorovodës, me 600 banorë, të jetë ndriçuar me llampa me vaj-guri, që spitali të jetë sistemuar “tek shtëpia e Hazis Mollasit”, që për shkollë fillore të sajohej një ngrehinë shkatërrirë, që transporti i ushqimeve për popullatën nga Berati në Çorovodë dhe nga Çorovoda për në qendër të fshatrave, të bëhej me karvanë, mushka e kuaj, etj, etj. Ja në këtë realitet mjerimi drejtonte punët 23 vjeçari, për të cilin besoj se meriton të shkruhet jo vetëm pse ai ka përballuar punë që kërkonin të ishe vërtet heroik, por edhe për të hedhur dritë për punën e brezave në mëkëmbjen e Shqipërisë në ata vite të vështirë e të pashpresë.

Kur njeriu e di sesa e gjatë është udha, dhe kur e çmon se jeta është e vështirë për të dalë faqebardhë në krye të saj, duhet të jetë përherë i përgatitur, përherë në përgjim. Përvoja njerëzore ka çimentuar dhe dhënë prova se punët e vogla, vazhduar rregullisht, janë më me vlerë se punët e mëdha, por të kryera pa zell. Izet Dyrmishin, ndoshta edhe pse kishte zakone të rrënjosura në virtyt, i priti shkallët e ngjitjes në përgjegjësi me urtësi, duke i bërë qëndresë shtysës për të qënë lakmitar. Vetvetiu, vetëm për shkak të përkushtimit dhe arritjeve në pozicionet drejtuese në Skrapar, në shtator të vitit 1953 u ngjit në detyrën e sekretarit të parë të rrethit të Beratit. Por Berati nuk ishte Skrapar, kishte probleme shumë më të mëdha e më të komplikuara. Sipas Izet Dyrmishit Berati i mësoi të kuptonte se shteti mbahet në këmbë me ligje, se shteti kërkon rregull e disiplinë, se shteti është shtet dhe kur atij i dëmtohen interesat të ndëshkon, mund të përdorë edhe dhunën.

Kur gjykojmë rreth aftësive drejtuese e organizuese të Izet Dyrmishit, të mençurisë së tij për zgjidhjen e problemeve të shumta e të komplikuara me urtësi e tolerancë, më vjen mirë ta krahasoj me një anije të madhe, e cila ka më për zemër ujërat e thella. Eshtë rasti të sjell një fakt goxha të sikletshëm për t’u zgjidhur, por me ndërhyrjen dhe manovrat e drejtpërdrejta të këtij kuadri plot talent për të hyrë në zemrën e njerëzve, u kapërcye si të ishte një gjë fare e zakonshme. Në Berat, në ata mote, u dyndën shumë kuadro skraparas, shumica oficerë, të cilët jo pak kishin kapur të drejtonin vende kyçe në pushtet apo në ekonomi, aq sa u përhap fjala se “Beratin e okupoi Skrapari”. Me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Izet Dyrmishit u bënë korigjimet e nevojshme, u bënë disa lëvizje për të cilat populli shfaqi dakordësi të plotë.

E vetmja mënyrë për të bërë punë të dobishme, ndoshta jo të mëdha, por që të jenë të mirëpritura nga njerëzit, është që ta duash atë që bën dhe të lodhesh e të sakriofikosh për ta arritur. Kuadri, për të cilin po shkruajmë këto radhë, i bëri punët me zemër, iu dha për të lënë mbrapa konsideratën “si në kohën e Izet Dyrmishit”. Dhe ky vlerësim për punën prej afro prej 7 vjetësh në rrethin e Beratit, erdhi ngaqë ai investoi që të ishte jo vetëm një sukses, por edhe një vlerë.

Janë sfidat ato që e bëjnë jetën interesante çka nuk munguan as në jetën e Izet Dyrmishit, të cilin pas Beratit e gjejmë në Tropojë. “Po unë nuk kam qenë asnjëherë atje, si do të mund të kryej një detyrë kaq të vështirë?” – kishte kundërshtuar Izeti. Por ai ishte “thyer” menjëherë teksa kish dëgjuar togfjalëshin “kështu ka vendosur partia”. Larg, shumë larg i ish dukur Tropoja, si të ishte në fund të botës. “Qyqja, ku ma paskan degdisur djalin”, kish ulëritur e ëma, Nenuja, sapo kish dëgjuar lajmin për transferimin e të birit në Tropojë.

Ai nuk ishte vetëm një ëndërrimtar për t’i kryer punët ashtu si duhej. Kishte edhe bindjen se brenda vetes fshihej forcë, durim dhe pasion për të gjetur fjalën edhe me Tropojën dhe tropojanët, të cilët, sipas asaj që i kishin thënë të tjerë, ata dëgjonin vetëm bajraktarët. Të mos harrojmë që ishte viti 1959 dhe Izeti vetëm 35 vjeç.

Izet Dyrmishi nuk hoqi dorë dhe nuk e shkoi ndërmend kurrë që të ishte i pafuqishëm për t’u bërë pak “bajraktar” e që të mund të lidhte miqësi apo të fitonte respektin dhe besimin e bajraktarëve të vërtetë. Ky vetëbesim, dhe ca më shumë historia e bajraktarëve të Krasniqes dhe të Gashit, të cilët gjatë gjithë kohërave kishin mbajtur anën e progresistëve, e bënë me krah për të arritur tregues shumë të mirë në ekonomi, në emancipimin e shoqërisë dhe të familjes dhe të transformimin rrënjësor të arsimit dhe shëndetësisë. Në fillim të vitit 1961 Tropoja mbante vendin e parë midis 13 rretheve të Shqipërisë së Veriut. Një sukses i madh i cili s’kish si të mos ngazëllente edhe Izet Dyrmishin të cilin, kur u nis për atje, udha për në Tropojë iu duk me shumë rreziqe. Tani, pas gjysmë shekulli, tropojanët mund të kenë harruar atë që ai bëri për ta, por nuk kanë harruar kurrë se si ai i bëri të ndjehen. Të moçmit ende thonë “si në kohën e Izet Dyrmishit”.

Pas Tropojës këtë kuadër “shëtitës” e gjejmë në Kukës, në të njënjtën detyrë. “Eshtë makineri e rëndë dhe e kam shumë të vështirë për ta manovruar”- i kishte thënë Izeti Xhafer Spahiut, të ngarkuarit nga “lart” për të bërë komunikimin e detyrës. Por edhe Xhafer Spahiu, ashtu si të tjerët: “kështu është vendosur”.

E vërteta doli ashtu si ai e ndjeu. Izet Dyrmishi arriti rezultate të shkëlqyera, por dikur, në mars të vitit 1975, maqineria “Kukës”, ajo “e vështira për ta manovruar”, bëri që ai të vuajë një dramë jo të vogël. Drejtuesit e Ndërmarrjes Bujqësore të Krumës, ndër më të mëdhatë në rreth, kishin raportuar shifra fiktive në grumbullimin dhe magazinimin e misrit, gjë që ligjet e kohës vepruan ekstremisht, deri në dënime me vdekje. Një copë e kësaj “bombe” kapi dhe plagosi rëndë edhe Izet Dyrmishin. Ai më pas u dërgua drejtor në NB-në e Krumës, aty ku kish plasur “bomba” dhe për rezultatet që arriti, qëndrimi ndaj tij u zbut, për të mos thënë u rehabilitua plotësisht. Ai u emërua pranë fabrikës së letrës në Lezhë dhe gjatë 9 viteve të fundit, përpara se të dilte në pension, drejtoi Degën e kuadrit në Universitetin e Tiranës. Për çka përjetoi në punën e tij, të përpjetat e të tatëpjetat, si në rrugën e një gremine, e kisha dëgjuar të thoshte: Një person që nuk ka gabuar asnjëherë, nuk ka provuar asnjëherë një gjë të re.

Eshtë një fjalë goje të thuash “ai ka qenë i guximshëm dhe i vendosur qysh kur ka qenë i vogël”, por kur “lexon” e gjykon jetën e një personi si të Izet Dyrmishit, njeriu qëndron për një çast dhe i thotë vetes: ky paska qenë qëndrestar i vërtetë, i vendosur për të mbetur nga fillimi deri në fund të jetës së tij njeri i përunjur ndaj së vërtetës dhe i mirësisë njerëzore.


22 Gusht 2018