“Tre rrëfime nga takimi me xha Janin, nipin e Fan Nolit”

Prof. Nasho Jorgaqi

Një ditë vjeshte tek rrinim buzë kufirit, në verandën e doganës sonë dhe prisnim nipin e Fan Nolit me të birin, nuk më hiqej nga mendja një paradoks i jetës së mërgimtarit tonë të përjetshëm. Sado i çuditshëm që të duket, po është fakt se Noli ka qenë, ndoshta, i vetmi nga rilindasit e shquar, që nuk kishte të afërm dhe farefis në atdhe.

Madje, s’e kishte këtu as vendlindjen dhe, kur u vendos në Shqipëri në vitet ’20, qyteti i Korçës e shpalli qytetar nderi. Megjithatë, Noli nuk e kishte harruar prejardhjen e të parëve të tij, ai do ta mbante veten nga Qyteza, një fshat i vockël i krahinës së Kolonjës.

Ne tani kishim dalë të prisnim të parët njerëz nga rrethi i afërm i Nolit dhe kjo gjë na emociononte. Është gjithnjë një pamje e dhimbshme të shohësh mërgimtarët kur kalojnë kufirin dhe çapiten nëpër tokën amtare.

Duket sikur lëvizjet e hapat ua drejton një forcë tjetër graviteti. Forca e dashurisë dhe e mallit për vendin që u ka dhënë identitet qënies së tyre. Këto mendoja atë çast tek vështroja duke ardhur drejt nesh tre burra të paparë ndonjëherë, një i moshuar e dy më të rinj.

Ata i kishte molisur aq shumë malli, sa nuk dinin me kë të përfaleshin më parë, dhe ndiheshin sadopak të lehtësuar vetëm kur flisnin në gjuhën tonë të përbashkët. Gjuha amtare në këto çaste është një mrekulli. Me një gjuhë shqipe të pastër dhe të bukur, burri i moshuar na tha:

-Unë jam Jani Qerkusi, nipi i Fan Nolit, djali i Sulltanës, motrës së tij të vogël. Ky është Thanasi, im bir. E ky tjetri një kushëriri yni, Panajot Çeku. Jemi tepër të mallëngjyer e të nderuar që vijmë në Shqipëri.

Xha Jani, siç do t’i thërrisnim pastaj, ishte një burrë rreth të shtatëdhjetave, trup mesatar, me ca vetulla të trasha, ballë të gjerë, që të kujtonte dajën e tij. Në shikimin e parë ai i ngjante një fshatari të veshur me kostum e kravatë. I qetë e fjalëpak, të jepte përshtypjen e një burri babaxhan, po në të vërtetë ai kishte urtësinë e mençurinë e njeriut të thjeshtë. Gjithnjë thoshte fjalë me mend.

-Një nga miqtë, kur do vinim për këtu,- zu të tregonte xha Jani,- më pyeti: “E te kush do të vesh në Shqipëri?”, “Në gjirinë time”,-iu përgjigjësh. “E pse, ke gjiri atje?” “M’u duk sikur më shkeli kur më pyeti kësisoj. “Kam, thirra, me plot gojën, si s’kam! Gjithë populli në Shqipëri është gjiria ime”. Mirë i thashë?

Sa herë do të na preknin e do të na vinin në mendime fjalët dhe rrëfimet e ngrohta të këtij plaku patriot. Gjatë një jave që do të qëndronim me të e do të shëtisnim nëpër Shqipëri, xha Jani, po dhe i biri e i kushëriri, do të ishin vazhdimisht të prekur e herë-herë të hutuar nga gjithë sa shikonin e dëgjonin. U dukej sikur të tërë njerëzit i njihnin dhe s’e kishin të vështirë të hynin menjëherë në bisedë me ta. Së pari, sepse ndiheshin shqiptarë dhe e tregonin veten, të tillë, së dyti, sapo njerëzit merrnin vesh se ata qenë të afërmit e Nolit, i rrethonin me nderim të veçantë dhe kjo i prekte tepër. Vështronin njëri-tjetrin në sy dhe gati u lidhej fjala në grykë. Kështu ndodhi kur u gjendën në mes nxënësve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku dëgjuan fëmijët të recitonin vjershat e poetit. Kështu ndodhi ku morën pjesë në një leksion për Nolin në një nga auditorët e Universitetit. Po edhe kur u takuan në Korçë me punëtorët e trikotazhit, me pleqtë në kalanë e Beratit. Për më tepër, u bëhej sikur këta njerëz i njihnin prej kohësh, se ishin vërtetë gjiri, dhe për njerëzit e fisit s’ka si të mos ndiesh mall e dashuri në shpirt.

-S’ma merrte mendja,- thoshte xha Jani me zërin e tij të shtruar e të ngadalshëm,- se do qaja si fëmijë në pleqëri. Po ja, që në pleqëri provova gëzimin më të madh të jetës sime. Erdha këtu, ku i kemi rrënjët, se njeriu pa rrënjë është si reja. Reja sillet nga e vërtit era, dhe daja ynë, tok me të dhe ne, si re do të ishim sikur të mos qe mbi dhe Shqipëria! Sa e bukur qenkësh! Më pëlqen shumë e shumë dhe tani e kuptoj pse e lakmojnë të ligjtë.

Shumë gjëra të mira mendonim e thoshim me njëri-tjetrin para se të vinim për këndej, po nuk na i hante mendja tërë sa pamë, dëgjuam e ndenjëm këtu. Të më besoni, se kur po kapërcenim kufirin tëk ma bënte zemra. Gjaku më lëvrinte me nxitim nëpër deje dhe më bëhej se trupin s’e kisha timin. Isha në dheun tonë. Sepse kurmi im sapo kish dalë në dritë, këtë tokë kërkonte dhe e gjeti tani, në pleqëri.

Pa mendoni, unë jam i pari nga gjiria e dajës tim që vij në Shqipëri. E ju më nderoni. Nderoni dajën, sigurisht, se ai qe një shqiptar i përmendur. Se unë, në fund të fundit, ç’jam, një hekurxhi, që s’kam bërë asgjë për këtë vend, po ama në zemër e kam mbajtur dhe e mbaj.

Edhe një gjë, që s’mund të rri dot pa jua thënë. Kur vdiq daja, para se të vinte telegrami nga Amerika, lajmin e përhapi Radio-Tirana. Unë për vete nuk e dëgjova, po ata që e dëgjuan erdhën menjëherë në dyqan dhe më thanë. M’u drodh zemra nga lajmi i helmuar, por sa u ngushëllova. Thashë me vete: “Sa mirë! Shqipëria nuk e ka harruar dhe, kur s’të harron Shqipëria, nuk ke të vdekur”. Ky është nderi më i madh që i keni bërë dajës sonë.

Gjithë koha e qëndrimit të xha Janit në Shqipëri ishte një bisedë pa mbarim për atdheun e gjetur, për gëzimin që ai i zgjonte paprerë, por kjo bisedë, ngado që sillej, kthehej e rikthehej te Noli. Ne që e shoqëronim xha Janin dhe rrinim me të ishim të interesuar e të dëshiruar të dëgjonim vazhdimisht prej tij çdo gjë që kishte të bënte me Nolin tonë të madh. Ai e kuptonte këtë dhe nuk reshte së treguari. Ashtu thjesht siç i dinte vetë, apo siç i kishte dëgjuar nga të tjerët. Ishin këto rrëfime të sinqerta mbi ngjarje konkrete, për njerëz e mjedise që ai i njihte mirë, po që ne i njihnim pak ose aspak. Nga shumë pikëpamje xha Jani për gjithë sa rrëfeu do të na e “zbulonte” qytezën dhe ngulimet shqiptare në Trakë, jo aq gjeografinë e tyre, se sa pozitën shoqërore, gjendjen ekonomike, jetën e tyre zakonore. Ai plotësonte ose sqaronte, në një mënyrë a në një tjetër tregimin e Nolit për fëmijërinë e rininë e tij të parë, që ne e njohim nga “Autobiografia”. Rrëfimet e xha Janit jo vetëm i zgjeronin kufijtë e njohjes sonë të përgjithshme, po na çonin në Qytezën e largët, në jetën dhe historinë e saj. Për më tepër, duke na folur për ditë e net të tëra për familjen e Nolëve, për njerëzit e saj e për hallet e gazet që ajo kishte pasur, duke i lidhur këto me vet jetën e hershme të Nolit, ai dashur pa dashur krijoi një atmosferë të papërsëritshme, që ne e përjetuam thellë. Ishte fjala për Nolin, prandaj shumë nga rrëfimet e xha Janit i shënuam dhe po mundohemi t’ia përcjellim lexuesit.

Rrëfimi i parë

Fan Nolin dajë e kisha, po nuk e takova asnjëherë. Ai iku nga shtëpia dhe s’u kthye kurrë më, në një kohë kur unë akoma s’kisha lindur. Atëherë, do të thoni ju, ç’më mbetet mua për të thënë? Po diçka më mbetet të them, se tërë jetën kam dëgjuar të flitet për të. E kujtonin aq shumë e aq shpesh të afërmit e qytezallinjtë, e sidomos nëna ime, sa më duket se e njoh dajën, e kam pjekur kushedi se sa herë. Zëre se e kam parë nga aq fotografi, e kam dëgjuar nga gjithë ato të thëna e të treguara të dajë Dhimitrit e të tezeve, të qytezallinjve, që e kanë pasur shok të fëmijërisë e të djalërisë. Ata flisnin për Theofanin sikur të qenë ndarë të djeshmen me të.

Unë Jani, vetëm një kujtim kam drejtpërdrejtë nga ai që e ruaj nga fëmijëria dhe më pëlqen ta kujtoj në pleqëri. I kam dashur shumë shkronjat dhe, kur mbarova shkollën e fshatit, doja të mësoja më tutje. Shkolla më e lartë ishte në Aleksandropul. Një qytet përtej Edrenesë. E që të ndiqja shkollën, duheshin para. Babai s’kishte dhe unë u mbyta me të qara. Atë behar, mbaj mend, fshihja librat nën këmishë, merrja qenin dhe hyja në mes të arave me misër. Atje, fshehur nga bota, kuvendoja me qenin, i qaja hallin tim asaj kafshe të gjorë pa gojë e pastaj sikur gëzoheshim të dy kur hapja librin dhe i këndoja me zë të lartë faqet e tij një për një. E kujtova këtë histori të vjetër, sepse mbaj mend se kur humba të gjitha shpresat, i shkrova dajë Theofanit një letër. Tok me letrën, i mbylla dhe një fotografi timen. Prita e prita, kur veç erdhi përgjigja. Ai shkruante se i bëhej qejfi, që i nipi desh të mësonte, po nga fotografia i dukesha i vogël. Të rrijë dhe ndonjë vit, thoshte e pastaj do ta dërgoj me bursë në Shqipëri. Me këtë shpresë mbeta kaq kohë, po gjë nuk u bë. S’di të them se si u ngatërruan punët. Me sa duket, e zunë hallet, hallet e Shqipërisë që ishin më të mëdha se të nipit dhe kështu unë mbeta me ato shkronjat që mësova në fshat. Babai atëherë më futi te një kovaç si çirak dhe atje mësova një zanat për disa vjet, derisa hapa pastaj kovaçhanën time.

Ç’është e vërteta, dajë Theofani na kishte merak ne nipërve dhe desh që ne të bëheshim njerëz të mësuar, po shkolla donte para. E para s’kishim, as ne e as daja. Megjithatë, të nipin tjetër, Theofan e ka dhe ai emrin, të birin e hallë Parashqevisë, që ishte më i madhi, çalltisi, bëri si bëri, e mori në Amerikë dhe e futi në shkollë. Mbaj mend se u gëzua shumë kur i vajti ai, se i nxirrte mallin e shtëpisë e të fshatit. Po nuk e mori shkollën me qejf. Daja ç’nuk bëri, harxhoi para të mëdha, e, prapë, ai s’ndërroi mendje. Desh të ikte nga Amerika, dhe daja e nisi, po u mërzit shumë. Tha: “Dhe një nga të mitë, që desha ta bëja njeri të mësuar, s’më eci”. Të nipit i tha: “Sa u munduash për ty, s’u munduash për vete”. Gjithë gjiria jonë e mban mend këtë që ngjau. Bile dhe Theofanit, vetë, që jeton sot në Selanik, nuk i vjen mirë t’ia kujtosh.

Më pas daja, kur iku nga Shqipëria dhe bridhte nëpër Evropë, i çoi fjalë një nipi tjetër që të bëhet gati se do ta dërgonte për të ndjekur shkollën në Rusi. Ai priti, po nuk u bë gjë si duket, se as daja s’u ndje më. Thonë se do të jetë penduar ngaqë nuk i vajti mbarë me Theofanin.

Në gjirinë tonë të gjithë mbanin fotografinë e dajës. E donin dhe e nderonin pa masë, megjithëse shumë nga ne nuk e kishim parë. Në shtëpi tek ne, kishim të kremte kur merrnim letër prej tij. Ai shkruante rrallë, një herë ose dy herë në ditë, po kjo mjaftonte për të motrën, nënën time të gjorë, që sa herë e kujtonte, përlotej. Na çonte dhe para, sidomos familjes sonë, mbasi ne ishim më nevojtarë. Ato që na çonte qenë pakogjë e megjithatë na gëzonin, se vinin nga daja.

Në të vërtetë, kurbeti asnjëherë nuk e pasuroi dajën tonë sa të ndihmonte njerëzit e tij. Jo vetëm se ne ishim shumë dhe kë të ndihmonte më parë, po dhe ato që nxirrte, i harxhonte për punët e Shqipërisë. Dhe ne këtë e dinim mirë, prandaj dhe nuk i binim në qafë. Emri i tij i nderuar ishte shpërblimi më i madh që na dërgonte ne dhe gjithë qytezallinjve.

Fisi i nënës sime, fisi i Nolëve, ka qenë fis i vjetër e i përmendur. Këtë emër mbajnë disa familje, që rrojnë dhe sot në vise të ndryshme të Trakës perëndimore, por nuk kanë të bëjnë të gjithë me Nolët e vërtetë.

Shpesh pyesin për historinë e emrit të kësaj familjeje, me qenë se daja u njoh dhe si Theofan Mavromati. Në të vërtetë, Mavromatis ishte nofka që i vunë gjyshit, Stilianit, në fshat. Në Qytezë ose Ibik-Tepe atë e thërrisnin Stilian Lian Syziu, kurse i kthyer në greqisht e thërrisnin Stilian Mavromatis e në turqisht Stilian Karagjozi. Nofka të tilla qenë të zakonshme në fshatrat tona dhe i vinin çdo familjeje, duke marrë shkas nga zanati që kryente i zoti i shtëpisë, nga ndonjë shenjë e veçantë e trupit apo e fytyrës, nga ndonjë e metë që kishte. Ndodhte që thirrnin dhe me emrin e nënës, bie fjala babai im thirrej Nasi i Xhakes. Po gjyshi im, Stiliani, u thirr Syziu, sepse kishte sytë e zi, siç i kishte dhe daja. Kështu në letrat e qeverisë, të shkollës e të kishës, emri i gjyshit mbeti Mavromati. Theofan Mavromati u quajt dhe daja, kur doli nga fshati dhe mori rrugët e botës.

Fisi i Nolëve ishte i nderuar jo vetëm në Ibrik-Tepe, po edhe në fshatrat e tjerë shqiptarë të Edernesë. Prej derës së tyre kanë dalë burra të mençur e trima. Me nam ka qenë stërgjyshi im, Gjergj Noli, i cili sa herë plaste lufta, bëhej kumandar i taborrit të fshatit. Bile, u vra në luftë larg shtëpisë, në Luftën e madhe të Krimesë duke lënë pas emrin e trimit, gruan e re, gjyshen Sumba, dhe të birin, Stilianin.

Gjyshi, me pasurinë që trashëgoi nga i ati, s’hoqi keq. Vetëm dhera i la mbi 200 dynym; po i la dhe bagëti dhe një dyqan. Ai ishte nga më të kamurit e fshatit, por nuk arriti të bëhet çorbaxhi, nga ata që kishin 600 dynym dhera e lartë, si dhe bagëti të madhe, dyqane e ndonjë fabrikë.

Pasurinë që trashëgoi, gjyshi në vend ta shtonte e rregullonte, siç kishte bërë e ëma, gjyshja Sumba, me xha Mitrushin, përkundrazi nuk tregoi kujdes dhe për këtë u prish keq me xha Mitrushin. Merrte argatë nga larg për t’i punuar dherat dhe vetë kalonte kohën në kafenetë e fshatit dhe nëpër gjyqe. Më shumë merreshin gratë e fëmijët me punët e ekonomisë se sa ai. Unë e mbaj mend, burrë me autoritet, njëri që i dëgjohej fjala në fshat, s’kishte shkronja kushedi se çfarë, por merrte vesh nga dynjaja. Qejfi i tij ishin muhabetet e ndezura, sidomos nëpër kafene dhe të kënduarit. Kur këndonte ai, të gjithë e dëgjonin me dëshirë.

Nga martesa me Marinë (dhe kjo shqiptare me rrënjë), lindën 13 fëmijë, siç më tregonte mëma, po nga këta mbetën gjallë vetëm dy djem dhe katër vajza. Më i madhi i djemve ka qenë Dhimitri, pastaj vinte Theofani. Dhimitri ishte më i forti i shtëpisë dhe i takoi atij të merret me dherat dhe ekonominë, sidomos kur ishte i ri. Daja i madh hoqi keq i shkreti, jo vetëm nga hallet e shtëpisë, po dhe se erdhën kohë të rënda. Tërë ato vise u bënë shesh grindjesh e luftërash dhe më 1922, Dhimitri me familjen ikën natën nga Ibrik-Tepeja e brodhën si muhaxhirë, me plaçka në krah, derisa u vendosën në Kipseli, në një fshat afër Ksanthit, ku dhe vdiq më 1940. Ashtu si i ati, dhe ai mbeti kryeplak tërë jetën, bile edhe kur doli në Greqi. Kjo punë e dembelosi dhe e zvordhi nga ekonomia e shtëpisë. Dhe ai nuk punonte, pastaj merrej me polemikëra dhe u dilte zot interesave të fshatarëve të tij. Ai pati tre fëmijë Evangjelinë, që ka vdekur, Krisanthin, që jeton dhe sot në Athinë, dhe Jorgon, Jorgoja që ka lënë një djalë, Dhimitrin, që ndoqi rrugën e dajë Theofanit e u bë prift. Kam dëgjuar nga tezet se dajë Theofani mbante lidhje me të vëllanë, që i dërgonte letra herë pas here dhe para.

Motrat, siç thashë, ishin katër: Parashqevia, Sërmaja, Athinaja dhe Sulltana. Prej tyre sot s’ka mbetur gjallë asnjëra. Të gjitha gjyshi i martoi në Ibrik-Tepe dhe i martoi me shqiptarë. Parashqevia më e madhja e motrave, u martua me një nga familja e Vargollarëve, derë e mirë dhe e kamur, po i shoqi vdiq shpejt, siç vdiq dhe ajo e re, që të dy në Bullgari. Lanë prapa vetëm një djalë,Theofanin, për të cilin daja i vogël u kujdes në mënyrë të veçantë, e mori, siç u thashë, dhe në Amerikë. Theofani sot, megjithëse plak, ka një dyqan qirinjsh në Selanik dhe me të jeton. Hallë Sërmaja, e dyta e motrave, u gjend e martuar me Dhimitër Berbexhikun, tregtar, që kishin një dyqan basmash në Ibrik-Tepe, ishte në gjendje të mirë, por jo nikoqir. Thashë, “u gjend e martuar”, sepse Dhimitri ra në sevda me të dhe, sipas zakonit, e rrëmbeu natën pa dëshirën e saj e çoi te prifti dhe vuri kurorë. Dajë Dhimitri dhe hallë Athinaja u zemëruan aq keq, sa e hodhën priftin në gjyqin e Edernesë, po nuk fituan gjë. E motra, si duket nuk u mësua me këtë martesë, erdh e u tret, u shua dalëngadalë, derisa vdiq e re. Për fat të mirë, nuk patën fëmijë. I shoqi, Dhimitri, prapë e ruajti miqësinë me familjen e gjyshit.

Athinaja mbahej si më e forta e motrave. Ishte si burrë dhe i ngjante shumë gjyshe Sumbes, prandaj dhe i thërrisnin me emrin e saj. U martua me Margarit Bojaxhiun dhe ai nga Ibrik-Tepeja, i cili kish një dyqan në fshat. Patën dy fëmijë: Dhimitrin dhe Kaliopin. Djali vdiq i ri. Ai mori pjesë në rezistencën greke kundër fashistëve dhe fashistët e zunë dhe e internuan në Gjermani nga ku nuk u kthye më. Po Athinaja e shkretë nuk desh të besonte se kish vdekur, e priste të vinte, shpresonte. I thoshin se e kanë parë këtu, se mund të jetë atje. Ajo grua e fortë nuk donte ta qaste vdekjen dhe me këtë shpresë vdiq para ca kohëve në Kavallë, ku , shkollë nga nipërit dhe mbesat e dajës.

Më e vogla e motrave, Sulltana, ishte mëma ime, u martua me Thanas Qerkusin, bakall nga Ibrik-Tepeja. Ai kish qenë çirak te një bakall në Keshan dhe, si mblodhi ca para, mori me qira një dyqan të gjysh Stilianit dhe ai pastaj i dha vajzën për nuse. Nga martesa e tyre linda unë dhe im vëlla Stiliani, që mori emrin e gjyshit. Ne kemi qenë tërë jetën të vuajtur dhe e kemi nxjerrë bukën e gojës me krahët tona. Unë kam punuar si kovaç dhe vetëm këto vitet e fundit kam hapur një dyqan hekurishtesh.

Mëma jonë s’ka disa muaj që ka vdekur. Vdiq me një peng në zemër. Kishte shumë dëshirë të shihte Shqipërinë, këtë vend, ku kemi rrënjët dhe, megjithëse ju e thirrët kur kishte 100-vjetorin e lindjes daja, ajo s’mundi të vijë. Gëzimin e saj e pata unë. Se unë erdha dhe, siç më shihni, jam në mes jush.

Rrëfimi i dytë

Dajë Theofani rron akoma te të gjithë qytezallinjtë dhe do të rrojë derisa të jemi gjallë e të ndjehemi se ç’jemi e ku i kemi rrënjët. Rron emri i tij shpirtndritur, se të gjithë ç’pat e shkriu për lirinë e mbarësinë e Shqipërisë dhe me këtë emër ne mburremi se jemi shqiptarë. Mburreshin ata që e patën shok të fëmijërisë e të djalërisë, ata që e njohën një herë e një kohë, po ata shkuan, kush para e kush pas tij. Unë nipi, që s’arrita ta takoj njëherë, mundohesha ta njihja nga tregimet e të tjerëve dhe qysh i vogël mbaja vesh sa herë që flitej një fjalë për të. Dëgjoja dajën e madh, tezet, qytezallinjtë pleq, po më shumë nënën, që një e dy, do ta zinte në gojë të vëllanë e do të përgjërohej për të.

Duhet njeriu të mendohet mirë e të mbledhë mendjen që të rrijë e të rrëfejë ç’ka mësuar nga të tjerët për dajën. Por këto ditë unë jam aq i mallëngjyer e i mbushur me tërë ato që pashë e dëgjova këtu në Shqipëri, sa e kam humbur fillin. Hajde kujtoi tashti një nga një, se të kthesh të shkuarat, duhet të vesh të të shkuarat. Ah, sikur të vinit në fshatin tonë, në Feres, të uleshim atje te vatra e të rrinim e të kujtonim…

Ç’më rrëfente mëma? Mëma më thoshte se në Qytezën tonë Theofani, që e thërrisnin Fani, e mbanin si një nga djemtë me gisht të fshatit. Ishte më i zgjuari e më i mësuari asokohe dhe këtë e tregoi kur i erdh sëra, kur u bë nga të diturit e Shqipërisë. Po Fani fëmijë, ka qenë fëmijë si të gjithë fëmijët. Nëna rrëfente se edhe ai bënte çapkënllëqe. Edhe atë e rrihte që ç’ke me të mësuesi i rreptë i fshatit. Bile, njëherë ai e goditi Fanin keq me kokrrat e tepsive në kokë, sa ia bëri plagë dhe i rrodhi gjak. Fani, nga frika se mos e shihte i atij, e mbulonte me festë. Mirëpo atë ditë që ngjau kjo, gjysh Stiliani bëri një gosti në shtëpi dhe thirri dhe mësuesin. Mësuesi, që e dinte se sa kokëshkretë ishte i ati i Fanit dhe meqë ky ishte kryetar i sillogut të prindërve në shkollë, nuk vajti në gosti. Gjyshit s’i erdh mirë dhe s’i pëlqeu kjo dhe nguli këmbë e dërgoi njeri të ta thërrisnin. Çoi fjalë se “nuk fillojmë gostinë, pa ardhur, zotrote”. Dhe ai pastaj erdhi e ndenji në një qoshe si në gjemba. Gjyshi e pyeti: “Ç’ke?” Ai nuk deshte t’ia thoshte arsyen, po ishte burrë dhe burri i flet burrit. I tha se i kërkonte të falur ngaqë e kish goditur të birin, Fanin, që rrinte i turpëruar.

Kur ishte në shkollën e Edërnesë dhe vinte për pushime në fshat, Fanin e çonin të kulloste bagëtinë. Mirëpo ai merrte librin me vete dhe harrohej pas shkronjave. Bagëtia hynte nëpër ara e bahçe dhe bënte kërdinë. Atëherë fillonin avazet. Dilnin të zotët dhe bërtisnin e veç kur merrnin vesh se ishte bagëtia që i ruante i biri i Stilian Syziut. Një herë, dy e pastaj u mësuan dhe ia falnin këtë pakujdesi. Ai djalë s’ishte për të ruajtur bagëtinë, por për shkollë. Dhe ka mbetur ajo fjalë e një qytezalliu që paskësh thënë atëherë: “Ky djalë një ditë do të bëhet burrë i dëgjuar që do të na nderojë të gjithëve”.

E dinë gjithë sa e njohin dajën se Theofani ishte ai që udhëhoqi grevën e djemurisë në gjimnazin grek të Edërnesë. Nga sa kam marrë vesh më vonë, kjo është e para grevë që bënte djemuria e shkollave në këtë qytet të Turqisë. E, me këtë që ndodhi, daja, djalë i porsadirsur mustaqet, tregoi se ishte i zoti të drejtonte, jo vetëm veten kundër një gjëje të padrejtë, por dhe të tjerët. Në shtëpinë tonë e në Qytezë kush nuk e mori vesh se kjo që ngjau erdhi nga zënka në mes drejtorit të gjimnazit dhe profesor Anastasiadhit. Fani, siç tregojnë, paskësh qenë aty kur ngjau zënka dhe pastaj mori anën e profesorit kundër drejtorit. Se profesori kishte të drejtë dhe ishte e padrejtë që ai të pushohej nga puna, siç ia punoi i pari i shkollës. Drejtori, që të dilte e tija, e thirri veç Fanin në zyrë dhe i kërkoi të dilte dëshmitar kundër profesorit. Mirëpo Fani nuk mund ta bënte këtë. Ai i qëndroi besnik të vërtetës dhe jo vetëm kaq, po e përhapi në tërë shkollën dhe ngriti djemurinë në këmbë. Drejtori i gjimnazit nuk pandehu këtë dhe u zemërua keq, aq sa e dënoi dhe dëboi nga shkolla. Shumë vjet më vonë, kur drejtori i gjimnazit ishte bërë peshkop në Ksanthi dhe qëlloi të takohej me dajë Dhimitrin, ia përmendi atë që kish ngjarë një herë e një kohë dhe i tha se e mbante akoma inatin.

Mëma e gjorë rrinte e rrinte dhe kujtonte si ishte takuar për herë të fundit me të vëllanë. Kjo kish ngjarë në Sofje të Bullgarisë. Daja kish ardhur në Evropë nga Amerika dhe u kish çuar fjalë në Qytezë që të vinin ta takonin. Gjyshi dhe gjyshja kishin më shumë se dhjetë vjet pa e parë të birin. U ngritën, morën dhe Sulltanën, më të voglën vajzë se të tjerat i kishin martuar dhe vanë në Sofje. Daja kish ardhur i veshur prift dhe do të mëshonte për herë të parë në gjuhën shqipe në kishën më të madhe të qytetit. Kishin rrjedhur shqiptarët nga të katër anët, të dëgjonin fjalët e ungjillit në gjuhën e nënës. Shkoi dhe gjyshja me të bijën. Ato ishin shumë të gëzuara, kur shihnin Fanin që e dëgjonin dhe e nderonin të gjithë. Bile, kur mbaroi mesha, gjyshe Maria u ul në gjunjë e desh t’i puthte këmbët, po i biri s’e la dhe, në mes të mallëngjimit , i tha: “Këtë gjë duhet ta bëj unë, se jo vetëm je ti që më linde, po ti më more mua që s’doja të shkoja në shkollë, më fute në thes me zor dhe kështu unë nisa udhën e diturisë”. Gjithësa dëgjuan dhe panë, qanë nga mallëngjimi. Mëma, kur e rrëfente, gjithnjë përlotej. Vetëm gjyshit nuk i pëlqeu puna e priftërisë që kish zënë i biri. Ai, nga marazi i madh, as shkoi në kishë e as dorën s’ia dha më pas, po u deh dhe u mbyll në hotel. Thoshte shpesh, siç tregojnë: :Me ato rrobe të zeza të priftërisë nxirosi jetën”, dhe tërë jetën s’ia fali të birit këtë.

Daja, si u diplomua në gjimnazin e Edërnesë, punoi mësues në shkollën greke të Pazardaresë, një fshat me nja shtatëdhjetë shtëpi. Po nuk e sosi motin dhe u largua nga kjo punë. Erdhi e ndenji në fshat. Pse e bëri këtë ai që e desh aq shumë shkollën? Thonë se nuk i pëlqente puna, po edhe sepse nuk e shikonin me sy të mirë pas grevës së gjimnazit. Mund të jetë dhe njëra, dhe tjetra. Por kur e mendon këtë gjë pas shumë e shumë vjetësh, kur vë në hesap se ç’u bë ky njeri më vonë, thua se punët qëndronin fare ndryshe. Fani, qysh kur i hyri shkollës dhe e sosi me mundime të mëdha, desh t’u thoshte të tjerëve se ai s’desh të bëhej as çoban, as reshper, siç bëheshin tërë versa e tij. Bile, as mësues fshati s’i pëlqente. Koka e tij ziente nga dituria. Ai jepte e merrte me disa gjuhë. Do në greqisht, do në turqisht, do në frëngjisht, po dhe pak englesçe. Me këto gjuhë ai kuvendonte me tërë dynjanë. Sa për shqip, shqipja, thonë ata që e kanë dëgjuar, këndonte kur e fliste. Vetëm një, kapedan Gjerda në fshat, e ndjeu se për djalin e Stilian Nolit, Qyteza ishte shumë e vogël. Një verë, siç ishte mendja e tij, nuk mund të rrinte dot në një butë të vogël, si Qyteza jonë. E theu butën dhe iku. Iku dhe mori rrugët e botës për të mos u kthyer më. Ata që e deshën, e prisnin, por kur morën vesh punët e tij të mira për Shqipërinë, thanë: “I qofsh falë asaj. Të ngjallet e të përparojë Shqipëria, po Qyteza s’vihet në hesap!”

Kur mendojmë tashti gjithë sa ai bëri për vendin e tij, nuk mund të mos themi se ajo ditë kur iku prej nesh është ditë e bekuar. Sikur të mos jetë ajo, mua s’do të më njihte njeri si shqiptar. E jo vetëm mua, po dhe vëllezërit e motrat tona atje tek janë jabanxhinj. Ai na dha një emër që na nderoi e, kur na kini nderuar ju, na ka nderuar bota.


Rrëfimi i tretë

Ju kërkoni të dini për fshatin ku lindi Fan Noli, për Qytezën Ibrik-Tepenë, siç e thërrasin vendësit, dhe për fshatrat shqiptare në viset përqark. Unë kam lindur e jam rritur në këto anë dhe di ç’kanë qenë dhe si ka vajtur fati i tyre më pas. Shqiptarët një herë e një kohë jetonin në vete këtyre anëve të Trakës, të shpërndarë në tetë fshatra. Veç Qytezës sonë, në mes Keshanit e Edërnesë, ishin dhe Alltentashi, Sulltanqoi Pazardare. Zallofi, Allabari, Karaxhakli dhe Mandrica.

Me përjashtim të Mandricës, na shpërngulën dhe ne u gjendëm në Greqi. Ne ishim jabanxhinj në atë vend dhe cili jabanxhi e ka të lehtë në dhe të huaj! Mijëra shqiptarë, gra e burra, fëmijë e pleq, morën rrugën e një kurbeti të dytë, akoma më të rëndë se i pari. Ku nuk na çoi nevoja, derisa u vendosën atje, ku jemi sot, në Trakën greke, të shpërndarë në Ferres, në Tiqero, në Qipi, në Parathimi, në Kipseli e gjetkë.

Mund të bëhemi rreth 13000 frymë. Vetëm në Ferres jemi mbi 3000 shqiptarë të ndarë në lagje sipas fshatrave nga kemi ardhur, nga Qyteza e Zallofi, nga Sulltanqoi e Alltentashi. Nuk harrojmë nga kemi ardhur dhe dimë se kemi një gjak.

Si u gjendën ato fshatra shqiptare në mes të Trakës? Kësaj pyetjeje s’i ka dhënë përgjigje të plotë as daja vetë. Ai në një libër që ka shkruar thotë, se shqiptarët janë vendosur në këto vende nga koha e vjetër e Bizantit. Dhe ne na pëlqen të themi se jemi të lashtë, që kemi mbetur shqiptarë e se ruajmë gjuhën e zakonet, sidomos gjuhën. Dimë edhe se nga kemi ardhur, nga ç’vis i Shqipërisë. Ne të Ibrik-Tepesë jemi nga Qyteza e Kolonjës së Korçës, ata të Alltentashit nga Qafëzezi. Kështu të tjerët.

Po në çfarë kohe? Ca thonë në kohën e Ali Pashë Tepelenës, të tjerë thonë më përpara. Edhe unë, kështu them, se jemi më të vjetër. Po gjë të provuar s’kemi. Histori kemi, veç histori të pashkruar. Gjithë ç’dimë për të shkuarën tonë, i dimë nga pleqtë. Thua, mjafton kjo? Ja, që ju doni të dini më shumë. Më vjen keq që daja nuk e shkoqiti dot këtë gjë para se të mbyllte sytë. Me sa kujtoj unë, nuk ka qenë gjë e lehtë. Atëherë s’keni ç’prisni prej meje.

Unë do të flas për ato që i kam dëgjuar dhe ju pastaj i vini në kandar. Fshati ynë ka qenë një fshat i madh e i bukur me emër të dëgjuar. Ishte më i pasuri nga të gjithë fshatrat shqiptarë të Trakës. Prandaj e kishin bërë dhe qendër administrative. Kish mydyr e jo myftar, kish dhe postë-xhandarmërie e tagërmbledhës. Varej nga Keshani. Më lart vinte Uzun-Qupraja e pastaj Edërneja.

Qytezën tonë e mbaj mend si një qytet fare të vogël për atë kohë, me njërëz plot e me plot shtëpi, në anë të disa kodrave të buta që ngrihen nga veriu. Këto kodra ishin vend antike, sepse po t’i gërmoje pak, nxirrnin poçe të vjetra e sidomos ibrike. Si duket, në kohëra të lashta, te ky vend gjendej ndonjë punishte poçash dhe prej kësaj i kishte mbetur emrit dhe fshatit.

Se turqisht tepe i thonë kodër dhe Ibrik-Tepe do të thotë kodra e Ibrikëve. Po të parëve tanë s’u pëlqente e s’u vinte për kollaj ta thoshin turqisht emrin dhe i vunë emrin Qytezë, të cilën e sollën me vete. Kështu e njihnin dhe e thërrisnin të gjithë shqiptarët e Trakës.

Qyteza në kohën më të mirë ka pasur mbi 400 shtëpi dhe nja 5000 frymë. Të gjithë shqiptarë, shqiptarë denbabaden, të shëndoshë e të pashëm si ata. Të huajt mund të vinin për të punuar e për nevoja të tyre, po asnjë nuk mund të ngulej aty. Fshatrat tona qenë thjesht shqiptare dhe shqiptarësia e tyre mbeti e paprekur. Mund të ketë pasur, mbase, dhe ndonjë ferman të Stambollit për këtë, po unë nuk e di. Di që fshatrat tona gjendeshin të rrethuar nga fshatrat turke, bullgare, greke.

Ne jepnim e merrnim me ta, kishim marrëdhënie shumë të mira. Shqiptarë kishte plot në Edërne,bile me punë të mira, në zyra e në ushtri, kish dhe në Sufli, një qytet matanë lumit Marica, ku bëhej tregti e madhe. Shqiptarët e Suflisë thonë se kishin ardhur nga Suli dhe një pjesë e tyre qenë grekëzuar.

Ne takoheshim me njëri-tjetrin nëpër pazaret e Keshanit e të Suflisë, të Uzun-Quprusë dhe të Edërnesë. Kështu shqiptari takonte kudo shqiptarë në këto anë dhe, kur kthehej në fshat,ku flitej vetëm shqip, ndiente sikur aty qe një copë Shqipëri.

Qyteza kish toka shumë të mira, të bollshme e pjellore. Tokat qenë tonat, secili kish tokën e tij, kush më pak e kush më shumë, si në tërë fshatrat e botës. Ne s’ishim çiflik, siç qenë shumë nga fshatrat turke, greke apo bullgare. Nga vinte kjo? Se burrat e tetë fshatrave shqiptare ishin në rend të parë ushtarë e pastaj bujq.

Ne tokat vërtetë i kishim tonat, dhe kjo na bënte të ishim më pak të varur nga çorbaxhinjtë, po taksat i paguanim si të gjithë të tjerët një në një. Në fshat tagërmbledhësi s’luante nga vendi, po kur mblidheshin timaret, të tretat e të dhjetat, vinin tagërmbledhës dhe nga Keshani dhe Edërneja.

Qyteza ishte, siç u thashë, si një qytet i vogël, me dyqane, me një çarshi të hapur, me kafene. Kishin filluar të ngriheshin dhe fabrika të vogla vaji e sapuni. Te ne rritej krimbi i mëndafshit, që e çonin pastaj në Sufli dhe nxirrnin ndonjë para. Fshati kish dhe bagëti të madhe, sidomos buallica. Ishte vend tamam për buallica, ngaqë kish ujëra plot përqark. Bile, në kufi me Sulltanqoin, shtrihej një liqen i vogël që ne e thërrisnim Vithi i Kuq, ngaqë e kish llumin të kuq. Fshati qe ndarë në disa mëhalla dhe kishte disa çezma. Më e njohura ishte çezma e lartë. Ishte dhe një që thirrej çezma e Tosumit.

Shkollën e fshatit e kishim me tetë klasë, po bënim vetëm pesë sepse s’kish dhaskal. Mësuesit i pagonte fshati. Për ta sosur shkollën duhej të shkoje në Keshan, 30 km më tutje. Mësimet bëheshin në gjuhë greke dhe dhaskalët qenë grekë.

Më pyetët se si ishte gjendja ekonomike e fshatit. Si të ishte? Si në gjithë dynjanë. Kish të kamur, po më shumë të skamur. Do të thuash se tokat ishin të mira, se klima qe e mirë, se s’kishin çifligarë e bejlerë. Kështu është, po kishte çorbaxhinj, ata që kishin toka, bagëti, dyqane e fabrika. Këta kishin kamje të madhe. Bie fjala, Ballaçët qenë çorbaxhinjtë më të kamur. Familja e gjyshit nuk hynte në serën e tij. Vërtet, ai kishte toka e bagëti, po nuk ia bënte hyzmetin dhe dalngadalë nisi të bjerë nga vakti, siç të thashë, këtë kohë e arriti dhe dajë Theofani dhe e provoi se sa e vret njeriun nevoja. Të kish para gjyshi, s’do ta kish lëshuar djalin nëpër botë me pesë kacidhe në xhep, po do t’i kish dhënë para që të bënte shkollë si gjithë ata që i nisnin për këtë punë. Daja, siç e dini, hoqi shumë, e, në vend që të mësonte, punoi për bukën e gojës.

Dua të them Qyteza edhe pse në mes të tokave të mira e ujërave të pasura, kishte halle plot. Kishte çorbaxhinj dhe argatë dhe kur njëri ka e tjetri s’ka, s’do mend se ka vuajtje dhe sherr. Po kjo është një mesele më vete. Fjalën e kemi për Qytezën, për shqiptarët e fshatit tonë dhe unë për këtë dua t’ju flas. Qytezallinjtë kanë pasur emër të mirë. Njiheshin si njerëz të zgjuar, punëtorë e nikoqirë të mëdhenj. Qejfin e kishin me masë, dëfrenin, po me karar. Pak i gjeje në çarshi e në kafene. Arat dhe bagëtitë ishin punët e tyre.

Shkollën e donin sa për t’u hapur sytë, që të mos ua hidhnin të tjerët, po s’e sosnin të gjithë. Të rrallë qenë ata që ndiqnin shkollat e mëtejme të Keshanit e të Edërnesë. Më të rrallë ata që venin pastaj në Athinë. Një nga këta qe daja. Të tjerë unë nuk di. Ne e quanim veten shqiptarë, kurse turqit na thërrisnin arnautë, siç na thërrisnin grekët arvanitas. Po në krahasim me arvanitasit e Greqisë, ç’është e vërteta kemi ndryshime qoftë në gjuhë, qoftë në zakone. Të mbledhur në fshatra në vete, të ndarë nga vendasit, me ekonomi të mirë, shqiptarëve të vilajetit të Edërnesë u kërcënoheshin më pak rreziqe se arvanitasve të Greqisë. Daja ynë ishte i kësaj rrënje, shqiptar e bir shqiptari dhe i trashëgoi gjithë të mirat e të parëve të tij, prandaj kur u nis prej andej ishte gatuar i tëri me gjuhën, zakonet, trimërinë dhe besën shqiptare. Në qoftë se ai sapo u takua me patriotë të Rilindjes, u lidh dhe u vu menjëherë nën komandën e tyre, ushtar të Shqipërisë e kishte bërë me kohë Qyteza, kur i ra koka.


Rrëfimi i katërt

Kur them se Qyteza jonë ka qenë e tëra shqiptare, kam parasysh se ajo fliste shqip dhe vetëm shqip. Ja, një shqipe si flisni ju e që pleqtë tanë, kur donin të tregonin se si qëndronte kjo me të folurat e tjera, thoshin se është e folura e Kolonjës së Korçës. Falë kësaj, ne u mbajtëm në këmbë, përndryshe, çdo gjë mund të ishim, po shqiptarë jo. Prandaj ne i kemi dashur me shpirt, sepse gjithnjë e kemi ditur se, po u shua gjuha, u shua dhe fara jonë.

Gjuha shqipe e Qytezës, nuk e teproj, ishte më e bukura e më e pastra nga tërë fshatrat shqiptare të Trakës. Them kështu se ajo ndryshonte nga shqipja që flitej në fshatrat rreth nesh. Të folurat tona andej ndryshonin edhe për një arsye tjetër. Flitej një shqipe nga kish ardhur fshati. Qytezarçja jonë qe e afërt me të folmen e Sulltanqoit, të Pazardaresë, po jo aq me atë të Zallofit, se jemi larg njëri-tjetrit dhe s’kishim marrëdhënie. T’u them disa fjalë si thonë në Qytezë e si i thonë në Alltentash. Në të parën, i thonë shumë mote, në të dytën, shumë vjet, kështu dhe gjysmë e gjyms, nga e na, ve e kokove, jakni këtej, ejani këtej, krye e kokë e plot të tjera.

Ju dëgjoj juve dhe kuptoj se shqipja jonë dhe ajo që flitet këtu është gati-gati njësoj. Veç ne të Qytezës kemi disa fjalë e të folura që ndërrojnë nga këto tuajat. Ne s’themi faleminderit, por qofsh me nder, jo rrugë, po udhë, jo fshatra, po fshet, jo shkrepëse, po zjarrës, jo i artë, po i argjentë etj. Pastaj ka fjalë me ca kuptime të holla, ndryshe nga ju. Ne themi: ngordhmë, për vdekur Vdes kur vdes nga sëmundjet, ngordh kur të vrasin, siç bie fjala, gjermanët i ngordhën (vranë) fshatarët. Ngordh kur vdes nga armët ose aksidentalisht. Ne themi ujë i pastruar e jo si ju, ujë i pastër. Fjalën besë e përdorim shumë, dhe besa-besën, besali, po dhe fjalën tjetër flambur për flamur.

Gjuha jonë ka lezete dhe bukurira, që të gëzojnë shpirtin e jo vetëm veshin, qytezalliu, kur do një gjë a kur habitet, ta ka qejfi ta dëgjosh *). Thotë shëndet qofshi apo vafshi dhe ardhshi, punokan, qenkeshin, shitkeshin etj.

Kemi dhe fjalë që pleqtë tanë i mbajnë si shumë të vjetra. Ja, ndonjë gjë që më kujtohet tashti, si gjegj për dëgjon,dbora për humba etj.

Qytezallinjtë kur inatoseshin, shanin e mallkonin keq, si Prapa diellit! Humbsh këtej! Të hash kryet! Zverkun përsprapi. Dosë! Krue! Kukuville, leshprerë (vajzë e përdalë) etj.

Sa për emrat e njerëzve, ata janë të gjithë emra ortodoksë, kurse llagapet janë të ndryshëm dhe, me sa dëgjoj këtu, shumë prej tyre kanë ardhur prej këndej. Mund t’u them llagapët e familjeve kryesore të Qytezës: Adhami, Gjika, Gega, Dedolli, Ramadani, Kandalli, Kondili, Papakostandini, Qirjaqi, Haxhi, Bojaxhiu, Mejolli, Haxhimajolli, Çano, Ballaçi, etj. Këto llagape qytezallinjtë i mbajnë edhe sot.

Në Qytezën tonë flitej, po dhe këndohej e vajtohej shqip. Ka qenë një fshat me një jetë të gjallë, plot zakone e të kremte të bukura. Kush vinte në Qytezë kish ç’të mbante mend. Tek ne këndoheshin plot këngë dashurie e dasme, këngë për të vegjëlit, po dhe këngë vaji, tregoheshin përralla, thuheshin në muhabete proverba, hidheshin e priteshin gjëegjëza. Daja derisa u bë tetëmbëdhjetë vjeç, i dëgjoi të gjitha këto. Gjyshi ishte burrë që i sajdiste shumë njerëzit, shkonte në gëzime e hidhërime dhe kudo se ndante Fanin. Fanit këto i hyjnë në shpirt dhe kur iku, i mori me vete.

Ne ishim në vise, siç ju thashë, ku jetonin popuj të ndryshëm me gjuhë e zakone të ndryshme. Po ne kishim tonat dhe s’binim më poshtë se ata. Mblidheshim nëpër shtëpira, në oborre dhe oda, po dhe në sheshe, sidomos te Sheshi i madh para kishës. Të dielave bëhej shesh, kështu i thoshin. Shkonin të mëdhenj e të vegjël te Sheshi i kishës ose ai i fshatit dhe loznin valle e këndonin, veç djemtë e veç vajzat. Vetëm po të ishim gjiri, lidheshin për dore. Në kohën e kreshmeve për 40 ditë nuk bëheshin valle, po topdore, loznin me top.

Dasmat qenë gëzimi më i madh i qytezallinjve. Valonin gërnetat, qemanet e govatat apo lahuta, që i kishim vegla tonat. Lëre pastaj kënga, u këndonte të gjithëve në zemër. Në shtëpinë tonë, tregonte mëma, gjysh Stiliani ishte këngëtar i parë, psallte në kishë, po këndonte dhe nëpër dasma. Edhe daja që i vogël mësoi të këndonte, kish zë të mirë dhe me këtë zë këndoi deri në pleqëri të thellë. Vallet i kërcenin me të kënduar, të ndarë me dy palë, ia merrnin dhe ia kthenin njëri-tjetrit. Mua dhe sot më lëvizin këmbët kur e kujtoj atë kohë të fëmijërisë. Këngët që këndoheshin në Qytezë kanë qenë të shumta e të ndryshme. Disa prej tyre këndohen dhe sot, po unë nuk i mbaj mend. Kujtoj ndonjë prej tyre e jo të plota. Ja një këngë që këndonte djemuria atëhere;


Ç’më ndenji ljepuri në bisht,

Pa më kuvendojnë turqisht.

A të shkonjë nga ato puse?

Nga ato puse, qënkeshin nuse,

Pa më shitkeshin tarpushe .

O tarpushe të kuqe,

Pse me dbore , pa s’mu duke?

A të shkonjëm nga ato bafsha ,

Nga ata bafsha qenkshin vasha,

Po na shitkeshin unaza…


Më kujtohet dhe fillimi i një kënge që thoshte:

Në sinër të urofit

Prisnin çupat të shkojin,

Se dojën të kuvendojin…


Të vegjëlit thoshnin me zë të lartë:

Cilivili zogëza,

Zogëza katuna ,

Më mba pishën,

Pula qep këmishën…

Nga zakonet e dasmës qytezare më vjen ndër mend se kur vinte nusja, i jepnin një mollë dhe ajo e flakte pas. Ai që e merrte, do të kishte fat.

Një zakon tjetër dasme ishte ai që çifti, kur hynte në shtëpinë e dhëndrit, shkelte te pragu i derës një hekur të vënë qysh më parë dhe kjo ishte mbarësi, pse ndillte një jetë të përbashkët të fortë. Rrugës çiftit i jepnin një foshnjë ta mbanin në mes dhe ëmbëlsira. Kur kalonte, të gjithë thërrisnin “Gjashtë çupa e gjashtë djem”.

Edhe për të vdekurit Qyteza kishte zakonet e saj. Ai që vdiste nderohej e përcillej jo vetëm me lot, po dhe me fjalë. E qanin me zë dhe me radhë. Vajtimet qenë këngë të dhimbshme, që të këpusnin shpirtin, sidomos kur vdiste ndonjë i ri apo hallexhi.

Veshjet tona ishin tonat dhe s’kishin të ngjarë me ato të të tjerëve. Gratë mbanin këmisha të bardha, të qëndisura, xhamadan ose jelek dhe fustanellë të rëndë. Kurse burrat vishin poture leshi, në mes vinin brez të gjatë që mblidhej disa herë, në këmbë lidhnin ofgjela (si pece), të bardha me kordele të zeza. Në kokë mbanin sarëk, shami të zezë.

Shtëpitë e qytezallinjve ishin shtëpi fushe, thurur me baltë, me çati të gjëra e oda të mëdha. Shtëpitë dykatëshe qenë të rralla. Vetëm Ballaçet e pasur kishin në Qytezë.

Kishte dhe gjëra të tjera, po kush i mban mend. Bie fjala, qerret qenë jo me dy, por me katë rrota e i tërhiqnin qetë e buallicat, po kishte dhe pajtone të shpejta me dy rrota e me kalë përpara.

Sa për shakatë, si tërë fshatarët dhe ne të Qytezës nuk mbeteshim prapa. Hidheshin e përhidheshin fjalë, po tregoheshin dhe meselera plot kripë. Duhet të ishe i kujdesshëm se kur të vinin në shenjë, të kushtonte para shoqërisë. Më kujtohet se sa bukur ë qesendisnin mendje-madhin që kërkon të fshehë se kush është në të vërtetë; “I thanë mushkës e kujt je? Ajo tha: E njeh atë kalë? Atë e kam dajë. S’desh të përmendë gomarin…

Më shtytë në kohë shumë të largëta, më bëtë të kujtoj Qytezën tonë, që ishte dhe s’është më…Shtëpitë janë akoma në këmbë, janë dhe rrugët, dhe varret, rrjedh dhe përroi aty pranë, po ne s’jemi më atje. E kur, s’jemi ne, s’ka si të ketë Qytezë. Ajo rron vetëm si një kujtim, që një herë e një kohë kish aq bukuri e ngjallte aq gëzim, sa i dha jetë sa e sa brezave. Ajo nxorri në dritë dhe një shqiptar të madh, siç është për ju dhe për ne Fan Noli. Ky bir i saj bëri që emri i Qytezës të kujtohet dhe sot e të mos ketë mort!