“Si e ruajnë shqipen arbëreshët”

Emilia Conforti, ka ruajtur me xhelozi gjuhën shqipe, ashtu sikurse e ruajtën edhe shumë arbëreshë të tjerë të Italisë ndër shekuj.

Madje ajo nuk është mjaftuar me kaq, ka ardhur në Kosovë që të përvetësojë gjuhën shqipe, në lexim dhe në të shkruar.

Ajo është bashkëpunëtore në Universitetin e Kalabrisë, ku edhe bën hulumtime, ndërsa më parë ka qenë e angazhuar edhe në Universitetin e Prishtinës. Në një intervistë për KosovaPress, Conforti tregon se gjuha e Arbërit vazhdon të flitet në familjet shqiptare të cilat u shpërngulën në Italinë Jugore pas vdekjes së Skënderbeut, para 5 shekujsh.

Sipas saj, arbëreshët kanë huazuar fjalë të shumta edhe nga italishtja, por duke u dhënë prapashtesa nga shqipja.

Teksa shton se arbërishtja nuk i ka marrë fjalët standarde të shqipes, duke e bërë që të duket dialekt tjetër. E pavarësisht këtyre, ajo thotë se nëse një arbëresh dhe shqiptar duan të komunikojnë së bashku, munden pa problem.

“Po tradita popullore kanë, i kanë edhe përrallat, edhe këngët, edhe shprehje dhe fustane, i bëjnë vallet çdo vit. Është ruajtur shumë mirë, kanë kaluar 500 vjet”, theksoi ajo.

Për të ndihmuar komunitetin arbëresh në Itali, ajo tregon se kanë krijuar disa fonde kombëtare përmes së cilave kanë organizuar kurse për të mësuar gjuhën shqipe.

Ndërsa kur jemi tek ruajtja e traditës, është pikërisht dëshira për të lexuar dhe mësuar këngët shqip. Ajo që e ka shtyrë Confortin që pastaj ta mësojë gjuhën shqipe në universitet.

Ajo thotë se edhe arbëreshët e tjerë, kanë interesim të dukshëm për të mësuar dhe përvetësuar shqipen.

Viti 2003 për arbëreshen Emilia Conforti shënon vizitën e saj të parë në Kosovë, për të ndjekur Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, gjë që i ka ndihmuar të flas më rrjedhshëm.


2 Shtator 2018