“Në Shqipëri kush u shërben me pagesë të huajve nderohet”

Dr. Nuri Dragoj*

Këto ditë u fol për miliona euro që Greqia financon për kishin ortodokse, për politikën, median, për sektorë të ndryshëm të rëndësisë së veçantë, të cilët në një farë mase e kanë penguar ecurinë e punëve në Shqipëri.

Plot 20 vjet më parë, në parlamentin serb iu kërkua Millosheviçit të pakësonte financimet e fshehta në Shqipëri, por ai u përgjigj se po të mos ishin ato 40 milionë dollarë me të cilat paguhen 6 mijë vetë, Shqipëria nuk do të ishte në atë gjendje, që Serbia mund ta merrte me shoqatën e gjahtarëve të Beogradit. Ditët e fundit kryeministri grek pranoi se janë miliona euro që hyjnë në mënyrë të fshehtë në Shqipëri, por nuk tregoi sa shqiptarë paguan me ato para, 6 mijë, sa Millosheviçi apo më shumë.

Në fund të vitit 1942, ministri i Jashtëm anglez i shkruante kryetarit të misionit anglez Greqi-Shqipëri, se në Tiranë kemi 518 njerëzit tanë që i paguajmë me vite, pa i venë në punë. Tani ka ardhur koha dhe i kemi venë në lëvizje. Janë me ndikim të fuqishëm në popull. Po Italia, Greqia, Serbia sa paguanin me rrogë? Besoj se nuk ka nevojë të dyshojmë për shkaqet e vëllavrasjes midis shqiptarëve gjatë luftës.

Personat që financohen nga Serbia, Greqia e të tjerë, vështirë të bëhen publikë, pasi këto shtete kanë në dorë edhe çelësin e këtij mospublikimi. Të paktën, qeveria shqiptare me strukturat e veta duhej të merrte masa për të mos i lejuar në sektorë strategjikë të politikës, diplomacisë, sigurisë kombëtare, ushtrisë dhe ekonomisë. Natyrisht nëse mundet ta bëjë një gjë të tillë. Një masë e tillë do të frenonte shkatërrimin e Shqipërisë, pasi janë këto para që e kanë shpejtuar me hapa maramendëse procesin e helenizimit në jug të vendit; që sollën varrezet greke duke u dhënë dhe status historik; që ndërtuan manastirin në pikën më strategjike të jugut të Shqipërisë, në Grykën e Këlcyrës; që lejuan devijimin e Vjosës me 6 metra kub ujë në sekondë, për të ndërtuar Athina hidrocentralin e Pigait; që po realizojnë marrëveshjen e detit në dëm të interesave tona kombëtare; që nuk lejojnë ndërtimin e rrugës së Frashërit, vendit të shenjtë për shqiptarët, të shenjtërisë patriotike dhe madhështisë së bektashizmit atdhetar.

Në Shqipëri kush u shërben të huajve nderohet, në vend që të ndëshkohet. Ata kanë pushtet dhe para, guxojnë të bëjnë gjithçka pa iu dridhur syri. Gati 155 vjet më parë, studiuesi gjerman, Fallmerayer, duke folur për tradhtinë e Moisiut, i cili i mundur nga Skënderbeu u bashkua me turqit dhe, pas një viti, erdhi sërish në Shqipëri (1457), ku u prit me nderime, rifitoi postet honorifike dhe pronat e konfiskuara. Për këtë ai thotë: “Tradhtia te shqiptarët falet shpejt e lehtësisht, si një nga mëkatet që rëndojnë më pak”. Sami Frashëri pak më shumë se 130 vite më parë thoshte se Shqipëria do të bëhet kur shumica e shqiptarëve të bëhen shqiptarë. Mesa duket vazhdojmë të vuajmë të njëjtën dilemë e cila na ndjek si hije hap pas hapi.

Mithat Frashëri, në një artikull të botuar në revistën “Diturija” nr. 2, korrik 1916, thotë se armiqtë e Shqipërisë, dëmin më të madh na e bëjnë duke përdorur shqiptarët për interes të tyre. Pra “të ligën më të madhe e sjellim vet, duke u bërë vegla e të huajve, e atyre armiqve që na kanë pështjellë si një rreth prej flake”. Më tej ai thotë se nuk është mirë që njeriu të shaj veten e vet, por në këtë rast është fjala për qortim, të hapim sytë dhe të shohim më mirë për t’u shëruar nga kjo sëmundje e rrezikshme. Sipas Mithat Frashërit, tendenca për të gjetur një mik, që të na marrë nën mbrojtje, nuk është dhe aq shpresdhënëse, pasi po nuk deshe veten, nuk ka si të dojë dhe të ndihmojë tjetri. Po të bëhemi të zot e të bashkuar, edhe armiku druhet dhe detyrohet të na respektojë, në të kundërt ai tenton të zhvasë sa më shumë prej teje.

Ajo që thotë Mithat Frashëri 102 vjet më parë, ndodh edhe sot. Qortimet e tij vlejnë në ditët tona për të gjithë ne. Ja çfarë shkruan ai: “Mos rrini si Buda të kënaqur prej kotësisë dhe mefshtësisë suaj; mos u madhështoni pse krihni leshrat dhe dini të vishni kollaro të zbardhura me niseshte. Hyni në prekje me popullin, njihni dhe studioni shpirtin e tij, ndritoni dhe ndihni mendjen e tij. Mos i flisni fjalë të kota, mos i epni mendime të dëmshëm, mos e bëni gjendjen e gjorë më enarshike dhe më të egër nga ç’është. Po shikoni ta zbutni, t’i epni ndjenja njerëzore, parime dhe virtyte shoqërore, ta bëni të butë dhe të mirë, të mëshirshme dhe të dashur”. Mësoheni të shmangi cmirën dhe egoizmin, sedrën e rreme dhe inatin e tij; bëjeni që të dhurojë, të fal, të dojë dhe të mëshirojë; të shkoj me shokun dhe me vëllanë. Me një fjalë të bëhet miku dhe dashamiri i Kombit e i truallit, dhe jo armiku i tij”.

Në atë kohë ai i drejtohej rinisë që të merrte në dorë frenat për të udhëhequr fatin e kombit, të mos shohin vetëm të metat por edhe virtytet e shqiptarëve, të mos dekurajohen nga mangësitë, por të mobilizohen për të shmangur veset dhe për të fituar më shumë dashuri. Edhe sot shpresa mbetet te rinia, po te cila rini? Të rinjtë po e braktisin Shqipërinë. Të rinjtë shohin zbrazëti shpirtërore, sepse vendin e komandojnë banditët, hajdutët, se zgjedhjet vidhen, se në administratë mund të punësohesh vetëm nëse u ke shërbyer pushtetarëve, nëse u ke dhënë sa më shumë vota. Për të ndershmit nuk ka vend.

Globalizmi dhe rreziqet për Shqipërinë

Shpesh kur flasim për mbrojtjen e interesave kombëtare, hasim në disa kundërshti, të cilat mbulohen me vellon e globalizmit, të shuarjes së kufijve dhe më gjerë. Paratë e pista, bëjnë që përfituesit e tyre të mos e bëjnë të qartë, nëse këto qëndrime janë nga naiviteti, apo shkak i porosive të dhëna, i një strategjie jo fort të kamufluar, për të mos e bërë kombin shqiptar.

Iluzioni i gabuar se demokracia i shoi kërcënimet territoriale, është i gabuar. Sindromi i globalizmit është me rrezik të madh për fatin e kombit shqiptar, madje për këtë shkak, në këtë drejtim, bëhen financime të mëdha. Sot çështja shqiptare është më e kërcënuar se kurrë. Ballkani edhe pse shpreson të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, është njëkohësisht dhe objekt i ndonjë krize më të thellë dhe krijimit të ndonjë vije zjarri me pasoja të paparashikueshme.

Tri vite më parë sekretari i Shtetit Amerikan ngriti zërin në senat për rrezikun rus në Ballkan, të përplasjes së Lindjes me Përëndimin, duke bërë fjalë edhe për një vijë zjarri Serbi-Kosovë-Mali i Zi-Maqedoni. Vijë zjarri pikërisht në ato shtete që aspirojnë të bëhen pjesë e NATO-s dhe BE, gjë të cilën nuk e dëshiron Rusia. Kjo deklaratë ka kaluar thuajse në heshtje nga politikanët ballkanik, nga media.

Mund të jetë për arsye se nuk është kuptuar, se është quajtur një shaka apo shashkë politike, sepse të gjithë vuajmë nga sindromi i globalizmit. Por në të vërtetë nuk është kështu. Akademia e Shkencave të Maqedonisë, në enciklopedinë e vet, i konsideron shqiptarët të ardhur vonë, pas shekullit të 9. Qeveria maqedone nënshkruan me Greqinë Marrëveshjen e Psespës, në të cilën e shuan gjuhën shqipe. Me këtë dokument pajtohet edhe politika shqiptare, madje punon për miratimin e saj me referendum, për ta çimentuar që të mos shkulet kurrë. Kancelarja Merkel e ka theksuar me forcë rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Këtë vit, duke folur nga Maqedonia, ajo përmendi termin “rrezik lufte”. Presidenti Tramp bëri fjalë për një rrezik lufte në Ballkan, ku mund të përfshihet Mali i Zi e Shqipëria. Pra theksoi se Ballkani vazhdon të jetë një vullkan, i cili mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Termi “Kemi NATO-n” “Na mbron Amerika”, “Iku koha e luftës” e të tjera, tashmë duken si të tejkaluara. Luftrat nuk janë ndalur kurrë. Luftrat lokale për interesa madhe e strategjike të të mëdhenjëve mbeten përherë të ndezura. Është vërtetë fat që ne kemi Amerikën. Fat që jemi pjesë e NATO-s dhe duhet të bëhemi pjesë aktive e mbrojtjes prej saj të interesave në Ballkan. Por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë dhe interesat madhore nuk e kursejnë luftën. Sërbia e ka refuzuar hyrjen në NATO. Beogradi u shpreh kundër sanksioneve të BE ndaj Moskës dhe ende nuk e ka njohur Kosovën. Pikërisht se shihet ky rrezik, politika gjermane ka lëshuar kërcënimin se pa njohur pavarësinë e Kosovës, Beogradi duhet ta harrojë anëtarësimin ne BE.

Por këto, edhe pse janë në favor të çështjes shqiptare, nuk mjaftojnë. Ne duhet të zgjohemi, të mos i pranojmë paratë e psita që na afrojnë dhe të punojmë për këtë komb. Interesat madhore nuk pyesin për aleanca, për anëtarë grupi, pasi e dimë çfarë bëri Rusia në Çekosllovaki në vitin 1968, e dimë dhe agresionin tjetër rus ndaj Ukrahinës dhe aneksimin e Krimesë rrethe 4 vite më parë. Nga historia dimë shumë, dimë dhe që ajo përsëritet.

Në vitin 2015 u bë fjalë për krijimin e një aleance midis Rumanisë, Sërbisë dhe Bullgarisë, një aleancë e pakuptimtë në aspektin politik, ekonomik e diplomatik, pasi bëhet fjalë për copëtim të vendeve ballkanike. Kjo aleancë është si një mur ndarës. Ajo të kujton aleancat e vitit 1912 midis fqinjëve të Shqipërisë, që ishin kundër interesave të shqiptarëve. Tashmë Gjermania i ka thirrur nën armë gjithë forcat e afta, Suedia po ashtu, Franca ka bërë të njëjtën gjë. Anglia e ka forcuar sistemin ushtarak dhe në shumë shtete të fuqishme është rritur buxheti i luftës.

Po të kërkojmë që të hedhim vështrimin në histori, nuk do të thotë se jemi nacionalistë të pandreqshëm, por që të tregohemi vigjilentë, të duam vendin tonë, t’i kthehemi vetes, përgjegjësive individuale dhe kolektive, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos e pësojmë përsëri në të ardhmen, duke cunguar kombin, në vend të bashkimit të tij. Nuk kanë vlerë fajësimi i Europës, as nënshtrimi ndaj saj, por duhet të punojmë shumë dhe seriozisht për konsolidimin kombëtar, me qëllim që të mos na përsëritet e kaluara. Ende nuk është kuptuar si duhet nga politika shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, se pa pasur qëndrime të përbashkëta për çështjet kombëtare, pa funksionuar si një tërësi kombëtare, punët nuk do të na shkojnë si duhet.

Historikisht trojet shqiptare janë copëtuar nga fqinjët me mbështetjen e Fuqive të Europës, të cilat kanë pasur si synim ta shuajnë Shqipërinë nga harta e kontinentit, edhe pse ajo popullohet nga një prej popujve më të vjetër. Copëtimi i Shqipërisë nuk ka pasur asnjë bazë historike, por u bë që Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, të përligjnin lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare. Pastrimi etnik ndaj shqiptarëbe ka nisur që në luftën ruso-turke (1877-1878), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet shekullore etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.

Ndihmën ta kërkojmë duke punuar

Shqiptarët e mbetur pa të drejtë përtej kufijve të Shqipërisë londineze, trajtohen me ashpërsi. Prania e shqiptarëve në Greqi është e hershme. Ata banojnë në ato troje prej mijëra vjetësh, troje të cilat janë në vazhdimësi të pandërprerë me territorin e Shqipërisë, pavarësisht nga kufijtë që u vendosën në vitin 1913. Çështja çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar. Problemi i pronave të shqiptarëve në Çamëri ka mbetur i pazgjidhur. Të pazgjidhura janë dhe problemi i njohjes të të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Çështja çame kërkon trajtim politik dhe jo të shërbej për t’u fshehur nga politika për hir të “marrëdhënieve të mira me Greqinë”. Çështja çame mbetet njëra nga pikat kyçe, që mbajnë pezull marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kur dihet se pa u zgjidhur drejt çështja çame, nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Trajtimi i shqiptarëve si pakica kombëtare në Maqedoni dhe Malin e Zi, nuk është i shkëputur nga mosgjetja e gjuhës së përbashkët të udhëheqësve të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, por duhet pranuar se Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike, si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë. Ata u trajtuan si “pakica kombëtare”, madje pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të “bashkësive” që përbëjnë “shtetin shumetnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtetformues.

Për këtë shkak Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni-trajtimin e shqiptarëve si minoritet. Edhe pse këtë vit u mundësua të pranohej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, u pranua nga qeveria, po bëhen të gjitha përpjekjet që ajo të mos realizohet, pasi e bllokoi Presidenti i Maqedonisë dhe në Marrëveshjen e Prespës nuk u zu fare në gojë.

Vetëm duke u çliruar nga koncepti “e dinë të mëdhenjtë”, “puna e shqiptarëve është në dorë të Amerikës” e plotë slogane të tjera, duke realizuar zgjedhje me të vërtetë të lira e duke punuar me përkushtim, me një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik e social brenda vendit, duke nxjerr në drejtim të sektorëve të ekonomisë por dhe të politikës njerëzit më të ditur dhe më të përkushtuar për çështjen kombëtare, në vend të atyre që dinë më shumë hile dhe bërtasin për interesin personal, do të mund ta bëjmë Shqipërinë.

Më shumë se kurrë, tani është koha të bashkohemi në një zë, të mos biem pre e kurtheve të diplomacive që punojnë kundër bashkimit të kombit shqiptar, të mendojmë dhe të veprojmë si një trup i vetëm, si popull dhe si komb, pasi në rrethanat e tanishme vihet re një fenomen që kërkon të menaxhohet mirë. Është koha kur, nga njëra anë, duket se po rritemi si popull, pasi Kosova është duke e konsoliduar pavarësinë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po bënë përpjekje për të marrë statusin e kandidatit për në BE, nga ana tjetër, ende po na kërcënon rreziku që të tkurremi si komb, për shkak të egërsisë diplomatike të vendeve fqinje, të mbështetura nga fuqi të tjera, që i bashkojnë me ta lidhje shpirtërore dhe ato të besimit fetar shekullor. Kjo duket qartë në kërkesat e dy shteteve fqinje, Greqisë dhe Serbisë, të cilat kanë mëse dy shekuj që vazhdojnë të kërkojnë me ngut rrëmbimin e pjesëve nga trupi i kombit tonë, madje duhet thënë se atë çfarë kanë kërkuar, e kanë realizuar.

Shqipëria, si shtet amë, duhet të interesohet më shumë për mbarëvajtjet e etnive shqiptare jashtë kufijve aktualë, të ngrejë zërin për më shumë të drejta për ta, të kërkojë që të zbatohet parimi i vetëvendosjes së popujve. Nuk ka arsye pse të mbeten kaq të vetmuar, me mungesën e së drejtës për bashkim kombëtar. Nuk duhet të ushqejmë mendimin se në BE nuk do të shkojmë të gjithë bashkë, si një komb, por copa-copa, fshat më fshat, aty ku jemi dhe siç jemi, pa kufij e pa identitet. Kështu nuk mund të shkojmë kurrë në BE. Nuk duhet të mendojmë se çdo gjë e ka në dorë Amerika, por ta ndihmojmë Amerikën me kërkesat tona, duke shtruar probleme, duke thirrur për të drejtat tona, me qëllim që ajo, Amerika, të gjejë shkas për të ndërhyrë dhe për t’u interesuar.

Po nuk qau fëmija, nuk i jep gji nëna. Kjo shprehje, filozofi e popujve, ka në themel shumë të vërteta.

Hulumtimi për të gjetur rrugët e duhura për çështjen e pazgjidhur shqiptare, i takon politikës dhe, në radhë të parë, politikës brenda Shqipërisë aktuale. Aktualisht, vihen re përpjekje të Europës për të bërë një korrigjim me rastin e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj, por nuk do të dëshironim që drejtësia e vonuar të na vijë si një “drejtësi e cunguar”. Shpërbërja e ish Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Europës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar.

Çështja shqiptare kërkon një vëmendje më të madhe ndërkombëtare, me përgjegjësi të plotë historike e politike, kërkon vetëndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot, dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë. Por jo gjithçka duhet pritur nga Europa. Në radhë të parë, edhe pse ajo e di, ne duhet t’i shpjegojmë asaj dhe shteteve të tjerë, jashtë këtij kontinenti, të vërtetën tonë historike, të një kombi që nuk e ka merituar kurrë këtë qëndrim.

Duhet pranuar që politika dhe diplomacia jonë nuk ka argumentuar të drejtën tonë për vetëvendosje, të ligjshme politikisht dhe juridikisht. Kjo për faktin se Shqipëria nuk ka diplomaci. Lexoja një dokument ku ambasadori austriak në Londër ishte gati i trashëguar, stërgjyshi ambasador në Londër, gjyshi po ashtu, me pas babai, i biri të njëjtën gjë dhe së fundi nipi kryente po detyrën e stërgjyshit. Sepse ata e shohin diplomacinë si profesion që kërkon njohje të thella, ndërsa në Shqipëri ndërrohen qeveritë dhe emërohen diplomatë njerëz që nuk dinë fare se çështë diplomacia.

Ne e dimë mirë që kjo Europë ka përligjur ndryshimin e kufijve me dhunë e genocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike. Me gjithë pendimin e saj, ende nuk shihen lëvizje të qarta në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Duket se ka një mëdyshje në gjykimin dhe vendimin e tyre, mëdyshje e cila diktohet nga presioni i vendeve të interesuara për të mbajtur peng shqiptarët dhe nga të tjerë si Rusia, që vazhdojnë të ndihmojnë skllavëruesit e shqiptarëve me të gjitha forcat dhe mjetet.


  • Qendra e Studimeve Albanologjike / Instituti i Historisë

31 tetor 2018