Nga Dilaver Goxhaj

Armatës së atyre që urrejnë LANÇ-in e veçanërisht Brigadën I Sulmuese, Heroinë e Popullit, iu shtua kohët e fundit edhe gazeta TemA. Dhe kjo luftë mediatike bëhet në kuadrin e 75 vjetorit të asaj Brigade.

“Hapi i parë në likudimin e një populli, –shkruan ish–radio korrespondenti amerikan më i vrullshëm i Luftës II Botërore, Edward R.Marrow (1908 – 1965)-, është të fshini kujtesën e tij, të shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë çfarë është dhe çfarë ishte.” Këtë gjë po përpiqen të bëjnë këto 30 vjet “demokraci”, “Gazetaxhinjtë tanë policorë,/ që veç të shpifin dinë,/ mbi varret tona me dëshmorë / të bardhën krejt e nxijnë.”, sikundër i anatemon këtë lloj kategorie poeti Euzhen Potje.

Unë jam bir partizani si dhe nipi i atij partizanit të vrarë nga ballisto-xhandarët, në fshatin Peshk të Martaneshit, për të cilin shkruan pa përgjegjegjësi gazeta TemA. Populli ynë thotë, se nipi për dajën qet pushkë. Por, besoj se më kupton, që pushka e nipit nuk është pushkë mercenari. Madej, TemA ndoshta mund ta marrësh me mend se çfarë kuptimi ka, për mua dhe sivëllezërit e mi, Lufta Nacional-Çlirimtare dhe Br1S. Të qenët pasardhës i tyre është një emocion. Por, me sa kuptoj, ti nuk i përket asaj kategorie që të kesh të tillë emocione. As unë dhe as mijëra pasardhës të 70 mijë partizanëve nuk do ta tradhtojmë idealin e tyre. Prandaj, është mirë të mos merresh me kërë histori lufte, jo për gjë, por ngaqë nuk e njeh. Unë e njoh atë histori, se më është vrarë dajua dhe plagosur tjetri, si dhe babai im në atë luftë çlirimtare. Por e njoha më shumë kur m’u dha rasti të luftoja edhe unë, në radhët e UÇK-së, dhe po të them, se edhe mua nëse ndonjë fshat do të më kishte bërë pritë të pabesë e rrethim të formacionit luftarak, sikundër i bëri fshati Peshk Brigadës I, ka gjasa se edhe unë ashtu do kisha vepruar, edhe pse isha në moshën 50 vjeçare; por edhe sot sikur të më ndodhte, ashtu do të bëja. Gjithashtu, do ta mbroj të vërtetën për Brigadën I sulmuese edhe për një fakt tjetër, se me atë inkursion të saj, që ju kërkoni ta shtrembëroni të vërtetën e atij misionini, ajo Brigadë shpëtoi Luftën Nacional-Çlirimtare, e cila i riktheu Shqipërisë pavarësinë.

Parimisht, lufta, pa marrë parasysh sa e nevojshme ose e justifikuar të jetë, përsëri është krim. Mirëpo nga krimi lind krimi. Kush e bëri krimin i pari, partizanët apo xhandaro-ballistët e fshatit Peshk? Të parët që bënë terror kundër Br1S dhe e vranë, ishin xhandaro-ballistët. Dhe, si rrjedhojë, pushkatimi i tyre ishte një ndëshkim. Ndëshkimi është bërë nga shoqëria njerëzore për të ndëshkuar atë që ka ndëshkuar më herët. Pra, patëm një lidhje domosdoshmërie të ngjarjeve, nga të cilat, mbajtja në rrethim të pabesë e Br1S, për nëntë orë, për ta asgjësuar atë, dhe vrasja e partizanit me tradhti, quhet shkaku, nga i cili lindi domosdoshmërisht pasoja, pushkatimi.

Dhe nuk është e vërtetë ajo që thuhet nga numri në gazetën “TemA”, dt. 18 korrik 2018, se partizani që u vra “ishte pjesë e praparojës së Brigadës”. Dhe këtë gënjeshtër kjo gazetë e thotë për t’u bërë sa më e besueshëme, se gjoja Br1S, kur ka mësuar se i është vrarë partizani i fundit i praparojës së asaj kolone luftëtarësh 3 km të gjatë, është kthyer prapa për të bërë masakër; e që me këtë kërkon të bindësh brezat e sotëm, se gjoja Br1S kishte shkuar në Veri vetëm për të bërë masakra. Këtë shkruan edhe Uran Safet Butka, në librin e tij “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, v.2, f.33-35, ku mbështetet TemA.

Këto që TemA shkruan, nuk janë fakte, janë vetëm interpretime. Nuk jam i mërzitur pse gënjen, jam i mërzitur se nga tani e tutje, nuk të besoj dot për gjithça as unë dhe as ata që e kanë lexuar gazetën deri sot. Ju e shtrembëroni të vërtetën e asaj lufte çlirimtare dhe të asaj ngjarjeje, sepse nuk doni që të humbisni iluzionet e krijuara prej urdhërdhënësve tuaj.

Mësojeni zotërinj, se partizani që u vra ishte komandanti i pararojës së Br1S, dhe jo partizani i fundit i praparojës, dhe është vrarë porsa pararoja mori me sulm kodrat para se të mbërrihej te ura e përroit të Çiçullit, i vetmi kalim nga mund t’i ngjitej Brigada Shkallës së Valit. Ato dy kodra mbaheshin prej gjithë natës nga xhandaro-ballistët e fshatit Peshk, që partizanët të mos dilnin dot nga rrethimi. Dhe, sikundër do ta shohim, kjo thuhet jo vetëm në Historikun e Br1S, f.272: “Kodrat u muarën me sulm. Nga ana jonë ra dëshmor skuadërkomandanti Kamber Sadiku.”, por edhe prej disa partizanëve të saj. Nëse nuk do të ishin marrë ato kodra, Brigada e parë do të ishte vrarë e gjithë në fshatin Peshk.

Që partizani u vra nga xhandaro-ballistët, porsa pararoja u hodh në sulm për të marrë ato dy kodra, duke u qëlluar pas shpine nga xhandarët e tjerë zogistë që qëllonin nga dritaret e shtëpive të fshatit Peshk, e thotë në ditarin e tij edhe Bedri Gjergji, zv.komisari i kompanisë ku bënte pjesë partizani që u vra: “Hidhemi në sulm. Në këtë kohë, nga penxheret e një shtëpie na vranë Kamberin, shokun tonë më trim e më komikun nga të gjithë. Lajmi i vrasjes së tij na bani që ne të qajshim të gjithë.”, (A.Q. i F.A. Fondi:Br1S, viti 1945,D.15, f.24).

Të njëjtën gjë tregon edhe partzani tjetër, Xhafer Peçi, në librin e tij “Monografi”, shkruar nga Skënder Hasko: “Vrasja e Kamber Sadikut tronditi gjithë Brigadën. Nuk ngeli partizan pa qarë”.

A e kuptoni ju të gazetës TemA, se çdo të thotë të qajë një ushtri e tërë, në momentin kur u vritet njeriu më i dashur i asaj ushtrie? A mund ta merrni me mend se çfarë urrejtje lind në zemrat e tyre, në ato momente? Ata ishin 450 luanë të egërsuar; më i moshuari i tyre ishte komandanti brigadës, dy muaj kishte që kish mbushur 31 vjeç, të gjithë të tjerët më të rinj! Përfytyro t’i dalësh përpara kësaj ushtrie me luanë të kësaj moshe e të egërsuar në të tilla pabesi. Ke qenë ndonjëherë djalë i kësaj moshe, ti Mero? “Është e ndaluar vrasja, -thotë Volteri – prandaj dhe të gjithë vrasësit dënohen, përveç rastit nëse ata vrasin në numër të madh dhe pas zërit të trumbetës.” Dhe borizani brigadës i kishte rënë trumbetës për të kaluar në sulm ata luanë, Mero. S’ta paska thënë Urani këtë detaj të rëndësishëm?

Mos harroni edhe tjetrën që, në kushtet e një luftimi në rrethim të një ushtrie të tillë, është më e lehtë të veprosh sesa të mendosh. Ajo luftë çlirimtare ishte njëkohësisht edhe revolucion shoqëror, Mero, dhe jo thjesht mjet për lirinë; prandaj u egërsuan aq shumë ata djelmosha partizanë, që ishin gati të digjnin edhe gjithë fshatin, si pasojë e atij rrethimi dhe të asaj vrasjeje tradhtisht. Po vallë, a e dini ju, se ç’do të thotë revolucion shoqëror? Pyetni Uranin, se e ka lexuar në librat e babait të tij.

Se në ç’momente u vra ai partizani “i praparojës” tuaj, na tregon edhe një ish-partizan tjetër i asaj brigade, Sotir Andon Foto, në f.236 të librit të tij “Në gjurmët e inkursionit”: “Na grinte sidomos një mitraloz “Breda”, i cili qëllonte mbi ne prej një shkëmbi përpara shtëpive të reaksionarit Ram Dervishi, përtej përroit, në fshatin Gjon. U pa se nga të gjitha anët ndodheshim midis pritash e të rrethuar. Të shtënat me armë vinin edhe prej një grupi shtëpish afër nesh, të cilat bënë që partizanët, pa marrë parasysh të goditurat e gjithanshme të reaksionarëve, me inisiativën e tyre, të hidhen në sulm në të gjitha drejtimet… Pikërisht në këtë çast një plumb i një dore tradhëtari goditi për vdekje shokun tonë, partizanin e vjetër trim, komunistin Kamber Sadiku.”

Është edhe një dëshmitar tjetër okular, zv.komandanti i b2Br1S, Dilaver Radshi, i cili në kujtimet e tij “Inkursioni”, botuar menjëherë pas lufte, f.80-81, shkruan: ““Brigada mbeti e rrethuar plotësisht. Sipas armikut, ajo kishte rënë në një thes që s’kishte për të dalë kurrë e gjallë. I vemi variant i mundshëm ishte çarja e rrethimi drejt Shkallës së Valës dhe kapja e Gurabardhit… Ishin xhandarët e Abas Kupit dhe tradhtarët e Martaneshit. Ata kanë për qëllim që, në mos na asgjësofshin, të na ngujojnë të paktën një ditë në Martanesh, për t’u dhënë kohë dhe mundësi forcave gjermane të mbërrinin aty, të nisura nga Dibra dhe Burreli apostafat për këtë qëllim. Lufta u ndes përpara, anash dhe prapa. Pikat mbizotëruese në të dy anët e kolonës sonë i kishte armiku, kurse për ne përtzanët terreni ishte krejtësisht i panjohur. Nata ishte shumë e errët. Agimi i ditës nuk duhej pritur, pasi situata luftarake do të keqësohej edhe më shumë. Duhej shfrytëzuar nata për të dalë nga rrethimi… Armiku në lagjen Peshk kishte zënë kodrat, të cilat përbënin një pozicion të fortë, sepse nga ana e poshtme mbyllte Shkallën e Valës, prandaj ajo duhej marrë me çdo kusht, natën. Të merrej Shkalla e Valës me sulm ditën, do të thoshte të jepnin jetën dhjetra partizanë… Pasi u muar kodrat e lagjes Peshk, ku na u vra komandanti i pararojës, trimi Kamber Sadiku, Batalioni i tretë zbriti poshtë në përruan e Çiçullit dhe filloi të ngjitej përpjetë Shkallës së Valës, që ka 72 të përdredhura… Brigada luftoi në rrethim për 9 orë rresht, pa pushim, kundër forcave armike që kishin zënë me kohë të gjitha pikat zotëruese të fshatit dhe në të dy anët e rrugës, në një gjatësi prej disa kilometra.”

Ja se si e tregon edhe Qerim Lila, autori i monografisë për historinë e Martaneshit (v.2000), në f.74: “Kur kanë arritur në fshatin Peshk, partizanët janë goditur përsëri nga mercenarët që i shërbenin pushtuesit; kanë qenë vendosur nëpër prita. Në këtë çast, në afërsi të përroit të Xhanit në përpjekje është vrarë skuadërkomandanti Kamber Sadiku”.

Por edhe në Historikun e Batalionit të parë të Br1S, hartuar në 3 mars 1945, kur Br1S ishte në Koplik për pastrimin e Malësisë së Madhe nga reaksioni, thuhet shprehimisht: “Në të dalë të Martaneshit, batalioni u përpoq me një grup ballistash-xhandarësh, që kishin dalë për pritë dhe i shpartalloi. Mbeti i vrarë, i qëlluar pas shpine nga tradhtarët, komunisti Kamber Sadik Golemi”. (A.Q. i F.A., Fondi Br1S,, viti 1945, D.3, f.5)

Ja që gënjshtra i ka këmbët e shkurtëra. Bindja juaj, se Br1S dhe komandanti i saj ishin kriminelë, është më armiqësore ndaj së vërtetës për atë luftë çlirimtare, dhe më e rrezikshme se gënjeshtrat që keni botuar. Është kjo arsyeja që ju vijoni ta meroni veten për të shpifur sa më shumë, duke na thënë, se “Fjalët dolën se mund të kishte qenë ndonjë reagim nga fisi Biçaku, që njihej si antikomunist, por nuk u vërtetua kurrë.”, gjë që tash duhet ta keni të qartë, se ishin gjithë burrat e fshatit Peshk të veshur xhandarë e ballistë, që donin të bënin masakër mbi 450 partizanë, sikundër e theksuan gjithë këta dëshmitarë okularë të ngjarjes, që i cituam më lart.

Kjo luftë e armatës tuaj, e intensifikuar kundër Luftës Nacional-Çlirimtare dhe figurave të saj të shquara, bëhet ngaqë jetojmë në një kohë të turbullt, e cila është e përshtatshme për demagogët. “Demagogët, –thotë Aristofani,- janë si ata peshkatarët e ngjalave; në ujëra të qeta ata nuk zënë asgjë, por nëse e turbullojnë tërësisht kënetën, atëherë gjuetia iu ecën.” Me këto shpifje denigruese, tarafi juaj kërkon t’i shkëputni njerëzit nga natyra, komuniteti, tradita, vendi dhe nga koha. Jo më kot Ajnshtajni pat thënë, se “Demokracia, është një sistem shoqëror, ku një budalla vlen më shumë se dy të mënçur.”

Po të lexohet ajo çka shkruani ju, e të krahasohet me ato çka shkruan Uran Butka, kuptohet se ju e keni kopjuar gjithçka prej tij, pasi që të dy ju, ngjarjen e çoni në 5 mars 1944. Ai që kopjon nuk e vë mendjen në punë. Mos kopjoni herë tjetër. Mësojeni që të mos gaboni më, se ajo luftë në rrethim prej 9 orësh ka filluar pa zbardhur ende dita e datës 3 mars 1944. Ky fakt i “i vogël” tregon se e ke shkrim të porositur, ose u ka verbuar urrejtja kundër 70 mijë partizanëve shqiptarë. A jeni shqiptarë, ju?

Një tjetër kopjim që ka bërë TemA, nga libri i Uranit, është ku ai thotë: “Me urdhër të Mehmet Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën”; ndërsa ju, si gazetarë me përvojë që jeni, shkruani: “Shehu urdhëron të ndalin dhe në shenjë hakmarrje të pushkatohen 25 burra dhe të rinj.” Nuk ma priste mendja që TemA të ishte kaq kopjace e rëndomtë. Apo me këtë kërkoni të na mbushësh mendjen, se Shehu e ktheu prapa brigadën, veç për të bërë masakër? Nuk jeni pa gjë, jo. Djalli qëndron në detaje.

Por Urani vijon të gënjejë edhe më shumë se ju të TemA, kur thotë se në atë “masakër” paska qenë edhe Dushan Mugosha, gjë që edhe ju nuk e keni besuar, prandaj dhe nuk e keni kopjuar. Madje Urani e thellon gënjeshtrën, kur thotë, se “lufta vazhdoi 6 orë”; dhe që ta bëjë të besueshme këtë rrenë, na thotë se kështu e shkruan vet Mehmeti, ndërkohë që M.Shehu në librin e tij “Kujtime nga jeta e Br1S”, Tiranë,1959,f.34, thotë: “Luftimet vazhdojnë nga të gjitha anët për nëntë orë rresht”.

Por TemA, ngaqë nuk e di fare atë histori, dhe shkruan si të urdhërojnë, ia këput rromapërtoma e thotë: “Mehmet Shehu dhe Brigada I e drejtuar prej tij po udhëtonte drejt Dibrës.”! Ja që je fare profan në njohjen e historisë së asaj lufte shpëtimtare, ndryshe do ta dije pse shkoi Br1S në Veri, në prapavijat e thella armike, gjatë atij operacioni gjermano-ballist të dimrit të vitit 1943-1944. Mësoje mire ti TemA, se ato ditë Br1S po udhëtonte drejt Gurabardhit të Matit për të mbritur në Shëngjergj të Tiranës, që të shpëtonte udhëheqjen e Luftës Nacional-Çlirimtare.

Më kanë thënë se gazetarët e kalibrit tënd, TemA, nuk dinë të shpifin; atëherë si ka bërë vaki që ke rënë në këtë derexhe, duke shkuar edhe më tej, për të gjetur sa më shumë “fakte”, dhe arrin e thua: “Numri që kishte kërkuar Mehmet Shehu për t’u pushkatuar kishte qenë 25 vetë.”? Mos vallë, me këtë rrenë kërkon të na mbushësh mendjen se vrasësit e brigadës partizane janë pushkatuar pa gjyq? Apo edhe këtë e ke kopje jo të saktë të asaj që thotë Urani: “Nuk u bë asnjë gjyq, madje edhe vetë Mehmet Shehu në veprën e vet të parë, nuk pretendon se është bërë gjyq”.

Po mirë, xhanëm, nga e dini kaq “saktë” ti TemA dhe Urani, historinë e asaj “masakre”, duke mos na dhënë asnjë burim?! Lexoni vallë dokumenta, apo shkruani çfarë u urdhërojnë ata që u paguajnë si e si të gënjeni? Apo niseni nga ajo thënia e Napoleonit: “Sa më e madhe të jetë gënjeshtra, aq më e madhe është mundësia për t’u marrë si e vërtetë.”? Besoj se kjo duhet të jetë, se unë, vetëm pesë a gjashtë gënjeshtra nga tuajat përmenda, por ju gjithçka që keni shkruar e keni të gjithë gënjeshtër, në përmasat që plotëson kriterin e treguar nga Napoleoni.

Që ti TemA ke për qëllim ta shtrembërosh të vërtetën, këtë e kupton dhe bufi, që kur thua se gjithçka është bërë me urdhër të Mehmetit, por edhe kur thua që në titull, se janë pushkatuar pa gjyq. Dhe këtë e bën, sikundër të thashë, ngaqë ti nuk di se ka ekzistuar ndonjë brigadë e tillë partizane, e jo më të dish veprën e saj, por të kanë thënë: “lexo Uranin, se ai shkruan të vërtetën”. Mësoje ti, por ia thuaj edhe Uranit, se porsa partizanët e Batalionit të tretë të Brigadës filluan t’i ngjiteshin Shkallës së Valës, Mehmeti nuk ka qëndruar në fshatin Peshk, por i është ngjitur bashkë me Batalionin e tretë Shkallës, për ta kapur majën e saj para se ta kapte armiku, dhe faktikisht e kapën 2-3 minuta më shpejt se armiku që po vinte nga fshati Valë. Kapja e saj ishte shpëtimi i Brigadës. Po të mos qe kapur ajo “dritare” nga doli Brigada, atëhere do të kishim masakër të vërtetë në Martanesh, dhe ti e Urani sot do t’i ngrinit himn “heroizmit” të gjermano-ballistave. Nuk përjashtohet mundësia që të merrnit edhe çmimin Nobel. Fatkeqësi për ju, apo jo?

Mirëpo, këto dy gënjeshtrat tuaja i bën nul kryetari i atij gjyqi partizan, të cilin ju e mohoni se është kryer, zv.komisari kompanisë, Bedri Gjegji, në ditarin e tij, ku thotë: “Kështu në prita zumë 24 vetë. I shkrova një copë pusullë Mehmetit, ku i thoshnja se kemi zanë 24 veta me armë nër prita. Ai m’u përgjegj: “Mbani aty e kur të vini i lëshoni!”. Mirëpo ne donim t’i vrisnim, se na kishin vrarë Kamberin, dhe për këtë dojshim me e shfaru të gjithë fshatin. I shkruaj prap Mehmetit, ku i them: “Kamberi u vra nga penxheret. Jemi të mendimit me i pushkatu të gjithë, me djeg shtëpinë nga u qëllua Kamberi”. Mehmeti më shkruan: “Bëjuni gjyqin. Po qe se duhen vrarë, vrai e nisu!”. I marrim që të gjithë, i lidhëm me brezat e tyre që të gjithë. Pasi u bajmë gjyqin u them: “A doni të vini partizanë? “Ne ishim me Baba Fajën, më thanë ata, e tash jemi ballista e kështu kena me qëndru”. Atëhere u drejtohem partizanëve: Këtu nuk kemi gjykata klasike. Gjykata jemi ne. Çfarë u duhet bërë këtyre vrasësve? Na vranë Kamberin dhe po pengojnë Brigadën në zbatimin e detyrës luftarake. “Të pushkatohen!”, bërtitën që të gjithë, ”Të pushkatohen!” U vendos t’i pushkatonim. Atëherë që të gjithë të tmerruar bërtasin: “Amani se do vimë me ju.” Ne iu përgjigjëm se ne tash nuk jemi me ju, dhe urdhëroj të pushkatohen sipas vendimit të gjyqit.”, (Ditari,f.25)

Në fund të fundit Brigada I sulmuese do të nderohet nga historia, më shumë mbi ngjarjet, veprimet dhe luftimet gjatë gjithë asaj lufte sesi e arriti lavdinë e saj heroike, sesa mbi mënyrën si e krijoi atë lavdi. Por, a mund të më thoni ju, TemA, çfarë kanë bërë amerikanët për t’u çliruar nga tirania britanike, ngaqë takohesh shpesh me ta? Dhe me çfarë iu desh të përballej Linkolni, i adhuruar nga i gjithë kombi amerikan, për t’i dhënë fund skllavërisë? Pa gjak historia nuk shkon përpara.

Si rrjedhojë, mund të them se 22 burrat xhandaro-ballistë të atij fshati u ndëshkuan për ndëshkimin që ai fshat i bëri asaj Brigade, duke e goditur befasisht me të gjitha llojet e armëve, 9 orë rresht, në një rrethim të plotë e shumë të ngushtë, për të asgjësuar 450 çlirimtarë revolucionarë. Me atë rrethim dhe atë luftim vdekjeprurës kundër atyre 450 çlirimtarëve të Shqipërisë, luftë për pushtuesit, ata xhandarë të fshatit Peshk turpëruan jo vetëm veten dhe fshatin e tyre, por edhe atdheun e tyre, dhe “Të turpërosh atdheun tënd, thotë Viktor Hygo, është njëlloj sikur ta tradhtosh atë.” Lufta nuk është festë. Ajo ka më shumë gjak dhe më shumë vdekje të pajustifikueshme. Ju nuk e dini që luftëtarët dhe revolucioni nuk i përzgjedhin viktimat. Është e lehtë të jesh pa kujtesë, zonja TemA. Dhe ti bie në këtë llum, ngaqë nuk e di, se rruga më e mirë për të përcjellë një të vërtetë është një lloj komunikimi që i kapërcen kufijtë e fjalës: është të kuptuarit intuitiv.

Megjithatë, po u bëj një pytje: Sikur ajo Brigadë të mos kish mundur ta çante atë rrethim, dhe forcat gjermane, të ardhura nga Dibra dhe Burreli, do t’i kishin pushkatuar të 450 partizanët, juve çfarë do të thoshnit sot? Jam i bindur që do të thoshnit, atë që thotë Uran Butka: Mirë ua bënë “sepse Nacionalçlirimtaria i ktheu pushkën Martaneshit.”,(v.II,f.35). Ja pra, kjo është ndërgjegjja juaj, e cila nuk është thjesht një frazë boshe.

Ndërsa ndërgjegjia e djelmoshave partizanë ishte krejt e pastër, ndaj dhe ata i mbështeti populli në luftë. Dhe këtë mbështetje popullore, ajo Brigadë e pati edhe në atë inkursion. Ja sesi shkruan në kujtimet e tij Mehmet Shehu: “Në Fushë Studën e humbasim orientimin. Fillon një shi i fortë me borë dhe fryn një erë si furtunë.”, (“Kujtime nga jeta e Br1S”,f.30). Dhe më tej ai ka thirrur zv.komisarin e k1b1Br1S, Bedri Gjergjin, i cili në ditarin e tij dëshmon:

“Ishim në periferi të fshatit Llëngë. Një fshatar që kishim për udhëheqës rruge, porsa kaloi një garth iku me vrap. Atëherë Mehmeti thirri mua, me që isha nga Elbasani, dhe më pyeti se ku ndodhemi e nga mund të dalim. Unë jam me të vërtetë nga Elbasani, i thashë, por në këto anë nuk kam qenë ndonjëherë që ta njihja vendin, por edhe sikur të kisha qenë, është natë dhe mbuluar krejt me borë. E, aty për aty u nisa të takoja ndonjë fshatar, kur atë çast del një grua nja 30 vjeçe dhe më ndalon të shkoja andej, tue më thanë: “Mos shkoni këndej se gryka është e zanë nga gjermanët e katundarët e shumë ballistë dhe s’keni me shpëtu asnjë.”, (A.Q. i F.A. Fondi:Br1S, viti 1945,D.15,f.23). Kategoria e asaj gruaje gollobordase e ka emrin POPULL, Mero.

Mero, nuk bëj gabim të të kujtoj, se kur njerëzit nuk e njohin saktësisht historinë, ata janë thjeshtë mendjerobëruar, sepse nuk janë të pavarur intelektualisht.


Tiranë, 18 korrik 2018