“Le Gaulois”: Shqiptarët ndihmuan heroinën Zhan d’Ark që të çlironte Orleansin

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të shtunën e 25 janarit 1913, në ballinë, një shkrim për marrëdhëniet mes popullit shqiptar dhe atij francez duke u mbështetur në dy shembuj konkretë.

Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, për publikun shqiptar, tekstin e plotë:

“Shqiptarët dje dhe sot.

Po flitet shumë për Shqipërinë në këtë moment dhe simpatitë që ekzistojnë midis këtij vendi të vogël dhe Francës sonë të dashur nuk datojnë nga sot. Dëshmon detaji i vogël i mbështetur në topografinë lokale.

Gjendet në Orléans, në qendrën më të vjetër të qytetit, një rrugë e çuditshme dhe mjaft piktoreske që quhet “Rruga e Shqiptarëve – Rue des Albanais”.

Ky emër ngjall kujtimin e kontigjentit të luftëtarëve të guximshëm që erdhën, në vitin 1429, përmes brigjeve të Adriatikut, të ndihmonin Jeanne d’Arc me qëllim çlirimin e qytetit. Fitimtarë, shqiptarët u vendosën dhe krijuan familjet e tyre në Orléans, në lagjen që ka ruajtur emrin e tyre.

Ndoshta në damarët e shqiptarëve të dikurshëm ka rrjedhur gjak francez, sepse askush nuk mund ta mohojë se në shekullin e trembëdhjetë, Bohemond, princ i Tarantos dhe mbret i Napolit, ishte djali i të famshmit Robert Guiscard, që rrethoi Janinën dhe largoi të pabesët nga Shqipëria. Shumë nga shokët e tij u vendosën atje.

Pra, këto janë kujtimet e mëdha historike që na mundëson pamja e një rruge të vogël “Rruga e Shqiptarëve – Rue des Albanais”, e humbur në një cep piktoresk të një qyteti të vjetër provincial.”


Kush ishte Zhan d’Ark?

Zhan d’Ark, ishte një vajzë fshatare në Francën mesjetare; adoleshente, me besim se Perëndia e kishte zgjedhur për të udhëhequr vendin në luftën për çlirim nga Anglia.

Lufta, që do të zgjaste 100 vjet, filloi kur Henri V i Anglisë sulmoi Francën pasi mendonte se princi francez i kurorës, Çarles, ishte i paligjshëm. Zhan d’Ark ishte 17 vjeç, pa asnjë përgatitje ushtarake, kur e bindi princin Charles për ta lejuar të udhëhiqte sulmin për çlirimin e Orleansit.

Nga dëshpërimi, pa asnjë shpresë për fitore, princi nuk kishte ç’të humbiste dhe ia dha komandën.

Zhan d’Ark, për habinë e të gjithëve, e fitoi betejën; princi Çarls u bë mbret i Francës dhe Zhan d’Ark u bë e njohur si “Bija e Orleansit”.

Pastaj ajo kërkoi që ofensiva të vazhdonte, por gjeneralët nuk donin, dhe për ta hequr qafe, ia dorëzuan pabesisht forcave kundërshtare, që e gjykuan për magji, e dënuan për herezi, dhe më 1431 e dogjën në turrën e druve.

Shumë shekuj më vonë, Kisha Katolike do ta shpallte Zhan d’Arkën martire dhe shenjtore, ndërsa Shekspiri, Volteri, Michelet, Schiller, Mark Tëain, Anatole France, George Bernard Shaë dhe të tjerë të shumtë për t’u përmendur demonstruan heroizmat dhe fatin e saj fatal me shkrimet e tyre.

  • Burimi: © Dars (Klos), Mat – Albania