“Gjeniu i marrëzisë” dhe… heshtja teatrore

Nga Naun Kule

“Gjeniu i marrëzisë” është nga botimet e fundit të shkrimtarit dhe dramaturgut Loni Papa (2003), një përmbledhje me drama të shkruara në kapërcyell të shekujve 20-21. Në këtë libër përmblidhen pesë drama me mesazhe dhe personazhe të kohëve të ndryshme por me rrezatim të qartë ideor për të sotmen tonë; për çka duam, kërkojmë, bëjmë dhe zhbëjmë.

Duket në këtë libër akumulimi shumëvjeçar e jetësor i autorit në fushën e letrave, për më tepër në atë të dramave e dramaturgjisë, përvojë tashmë e konsoliduar e këtij dramaturgu të njohur, Laureat i “Çmimit të Republikës”, autorit të mirënjohur të “Cucës së maleve” dhe të 13 dramave simotra,(dy prej të cilave të vlerësuara me çmime kombëtare), të mbi 35 librave të botuara veçanërisht në gjysmën e dytë të shekullit që shkoi, në prozë dhe poezi, drama dhe romane, novela, tregime dhe publicistikë, për të kulmuar sidomos në dy fusha; të dramaturgjisë dhe të letërsisë për fëmijë.

Libri përmbledhës me drama “Gjeniu i marrëzisë” është një prurje e pritshme në fushën jo aq të bollshme të dramaturgjisë shqiptare dhe sidomos të jetës aktuale teatrore të cilat, të shtyjnë për të parë më gjerë heshtjen dhe indiferencën ndaj botimeve dhe autorëve dramaturgë si Pulaha, Kraja, Laço, Paçrami, Kozeli, Çapaliku, etj. Sigurisht, askush nuk kërkon sot plan repertori kur dhjetë teatro profesionistë në qytetet kryesore të Shqipërisë me nga katër premiera në vit ofronin spektatorë për të mbushur sallat në çdo stinë dhe mbanin gjallë jetën kulturore të qytetit.

Motivet dhe personazhet, detajet dhe figurat artistike, simbolika e përdorur me mjeshtri, gjuha e kursyer dhe figurative përshtat fjalës dhe veprimit skenik, përbëjnë vlera të dukshme të cilat mund të ngjiten denjësisht në disa skena.

Trajtime të tilla tematike si ajo e luftës kundër korrupsionit, si “nëna e të gjitha lavireve…” i cili ende përbën një rrezik potencial për shoqërinë tonë, njëlloj si atëhere kur “shkatërroi Babiloninë e madhe”Mbartësit e tij të sotëm, ndonëse në dukje janë tjetër gjë, madje duken të sojmë, të fismë e “atdhetarë të flaktë”, ujin e çojnë në të njëjtin mulli si dikur. Kështu psh, bëhet fjalë për figurën e Xhevro Karait i cili qan, çirret dhe godet kokën me grusht, sepse s’do mund t’i shërbejë më kombit nga që humbi rastin në fushatën e zgjedhjeve, të fitonte për…40 vota!?

Drama përcjellë mesazhin se e drejta vazhdon të mbetet në kryq, paçka se ka mbi dy mijë vjet që lutemi të ringjallet si Krishti…

Ndërsa drama “Martesa e Lidrës” thërret për dinjitet njerëzor dhe identitet kombëtar, pasi edhe “i vdekuri e ka një emër…Po ne, të paemërt do mbesim?! Dhe urtaku Plator godet me gur tabelën ku është shkruar nga pushtuesi emri i ri i qytetit…?!”

Gjatë gjithë leximit të shoqëron lirizmi i dramës “Arda” dhe figura e floçkës Ardë, qëmtuar sakt nga mitologjia jonë popullore e cila pasi mëson shuarjen e fisit nga Syqeneja, sakrifikon familjen dhe fëmijtë tek shkon të ripërtërijë fisin… Tema e dramës “Çafka e detit” u përket gjithë vendeve dhe mbetet e gjithëkohshme në përkushtimin madhor të sakrificës për interesat e progresit njerëzor. Personazhi historik Magelani, rrezikon dhe sakrifikohet me vetëdije në emër të këtij ideali për ta çuar deri në fund rrugën e gjatë dhe të rrezikshme të zbulimit. Pasi vritet në luftëra fisesh gjatë udhëtimit, kundërshtarët e vet bashkudhëtarë i përvetësojnë, gjithë meritat e tij. Edhe gruaja i çmendet pas vdekjes së dy fëmijëve…

Gjithë udhëtimi historik me këngën e “Çafkës së detit” e përjetuar si këngë marinarësh, gjithënjë me pengun e një dashurie të pastër dhe me dëshirën e madhe për tu rikthyer në atdhe.

Drama “Vozabërësi Dako” mendoj se është njëra nga dramat më të mira të këtij vëllimi.

Ajo flet për luftën kundër pushtuesit gjerman madje për një fakt domethënës dhe pak të njohur në Shqipëri; vrasjen nga partizanët në malet shqiptare të nipit të Geringut, njerit nga bashkëpunëtorët dhe ndihmës i Adolf Hitlerit.

Dramaturgjia e spektaklit zhvillohet përmes dy linjave të cilat gërshetohen bukur dhe plotësojnë organikisht njera tjetrën, duke e rritur dramacitetin e veprës. Drama e parë shpirtërore është e prefektit i cili do të pushkatohet nëse nuk gjen brenda shtatë ditëve atentatorin që grisi flamurin gjerman në mes të qytetit. Madje, do pushkatohet i fundit, pas pushkatimit të këshillit bashkiak të qytetit.

Dramën e dytë e vuan vozabërësi i cili, është detyruar nga komandanti gjerman i qytetit, që të bëjë jo më voza por…arkivole. Mirëpo, në vozat e verës është fshehur edhe gjysma e flamurit gjerman, i grisur pikërisht nga i biri, djali i vozabërësit. Dhe së fundi ai e bënë arkivolin e parë në të cilin fut dhe mbyll gjysmën e flamurit të grisur nazist…

Në përditëshmërinë tonë intelektuale, veçmas atë teatrore, flitet aq shumë për mungesën e dramës shqiptare dhe se për këtë shkak, regjisorët dhe trupat teatrore rikthehen tek “arkivat” e huaja. Sigurisht, sot e pas nesh do vazhdojnë të mirëpriten në skenë Çehovi e Shekspiri dhe se mund të rikthehemi edhe tek “Karnavalet e Korçës”, por mendoj se duhet dhe mundet që skena jonë të paraprihet nga krijimtaria dramaturgjike e dramaturgëve tanë. Këta presin vëmendjen dhe vlerësimin profesional të regjisorëve e aktorëve, nxitjen deri edhe angazhimin tematikë të tyre.


8 Korrik 2018